TOLERIMI I GJUHËS SË URREJTJES PARAQET NJË SHKËNDIJË LEHTË FLAKËRUESE

E DREJTA E LIRISË SË SHPREHJES DHE LIRIA E INFORMIMIT

Gjithkush ka të drejtën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së informimit. Por, kjo e drejtë nuk është absolute. Me çdo të drejtë, rrjedh edhe detyrimi i përgjegjësisë. Gjuha e të folurit në publik është një nga mjetet më të rëndësishme që kanë rëndësi strategjike në përballjen me  gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit, përveç rregullativës ligjore. Pikërisht kjo duhet të jetë pika bazë me të cilën duhet të fillojë strategjia për përballjen me gjuhën e urrejtjes.

E drejta e lirisë së të shprehurit paraqet një nga të drejtat më të rëndësishme të njeriut. Kjo e drejtë integron: të drejtën për distribuimin e lirshëm të informatave që përmbajnë fakte ose gjykime me vlerë dhe të drejtën për të marrë informata, respektivisht të drejtën e opinionit për të qenë e informuar.

E drejta e shprehje së lirë është përfitimi më i rëndësishëm për sa i përket lirive të njeriut. Ajo është një reflektim i drejtpërdrejtë i personalitetit të njeriut. Pa respektin e saj, nuk ka demokraci. Në situata të caktuara, përmbushja e kësaj të drejte mund të ketë efektin e nxitjes së funksionalitetit të një të drejte tjetër, e cila është po aq e rëndësishme – e drejta për mbrojtjen e personalitetit. Në këtë drejtim, e drejta e shprehjes së lirë nuk është një e drejtë absolute.

Mediat kanë një rol shumë të rëndësishëm gjatë shqyrtimit të aspekteve kyçe që i përfshijnë këto të drejta, veçanërisht për faktin se pikërisht mediat janë të rëndësishme në krijimin e kulturës demokratike. Kultura demokratike është më e gjerë se çdo sistem politik. Pikërisht për shkak të këtij fakti, është i rëndësishëm roli që kanë mediat. Ato ndihmojnë opinionin që të informohet dhe të mbindërtojë horizontet e veta. Në këtë drejtim, debatet  që zhvillohen janë me rëndësi thelbësore. Dialogu që zhvillohet përmes mediave, pa marrë parasysh se për çfarë forme mediatike bëhet fjalë – tradicionale apo onlajn, duhet të rrjedhë me përgjegjësi, me të gjitha pikat e kornizës etike. Gjatë kësaj duhet të theksohet se të gjitha janë të rëndësishme edhe mediat që kontribuojnë në ndjekjen e dialogut edhe aktorët që bëjnë atë dialog, por edhe institucionet dhe qytetarët. Epoka digjitale ofron shumë mundësi për udhëtimin e shpejtë të informacioneve gjatë ushtrimit të lirisë së fjalës dhe informimit, gjatë kësaj në asnjë moment nuk duhet të lihet anash përgjegjësia që e imponojnë parimet themelore të punës gazetareske dhe gazetarisë etike.

Mediat digjitale sot mundësojnë që çdo njeri të bëhet një gazetar potencial. Por faktet flasin se duke përdorur këtë mundësi, shumica shkelin standardet etike të raportimit profesional gazetaresk. Ky nuk është vetëm një trend lokal, por edhe global. Në këtë drejtim, kur flasim për të gjitha këto aspekte, është shumë e rëndësishme të sigurohet që respektimi i të drejtës për lirinë e shprehjes nuk shkakton shkelje të të drejtave të tjera. Rregullativa ligjore duhet t’i sigurojë të gjitha kushtet për të mundësuar respektimin e së drejtës së shprehjes së lirë nga njëra anë, por edhe të mundësojë mospranimin gjuha e urrejtjes dhe gjuhës fyese të bëhen një formë komunikimi që është e pranishme.

PËRKUFIZIMI I GJUHËS SË URREJTJES DHE DISKRIMINIMIT

Nuk ekziston një përkufizim universal i gjuhës së urrejtjes, por në thelb terminologjikisht ky nocion përfshin çdo formë të shprehjes që promovon urrejtje ndaj një ose më shumë personave, për shkak të karakteristikave të tyre personale, ose përkatësisë ndaj një grupi ose bashkësie të caktuar.

Këshilli i Evropës në rekomandimet e veta për manipulimet informative, të përfshira në Raportin e botuar në vitin 2017, gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin i vendosi në kategorinë e “mal-imformation”, që nëse e përkthejmë, do të quhej informacione dëmtuese.

Sipas raportit, çrregullimet e informacioneve kategorizohen në tri kategori:

  • Keqkuptimi – Keqkuptimi ose informimi i gabueshëm është një gabim në përcjelljen e lajmit, pa manipulim të qëllimshëm. Në këtë kategori janë informacionet me kontekst të gabuar, të keqinterpretuara ose informata të transmetuara në mënyrë jo të plotë;
  • Dezinformimi – Manipulim i qëllimshëm, i vetëdijshëm ose i paramenduar me qëllim të shkaktimit të dëmit. Kjo kategori përfshin informacionet e natyrës manipuluese, informacionet e fabrikuara, “klik bejt”, spinat, përzierjen e qëllimshme të informacioneve të vërteta me ato të rreme, nxjerrjen jashtë kontekstit, përzierjen e komentit me një informacion, informacione plotësisht të pavërteta, informacione të sajuara, pseudoshkenca dhe të ngjashme;
  • Informim i dëmshëm/dëmtues – Keqpërdorimi i vetëdijshëm i informacioneve të caktuara që mund të shkaktojnë dëm. Gjuha e urrejtjes, diskriminimi dhe të dhënat që janë private, ndërsa rrjedhin në opinion me qëllim të shkaktimit të dëmit, janë lloje të informacioneve dëmtuese;

Autorët e këtij raporti, këto tri nocione  i përfshijnë në definimin e “lajmeve të rreme”, por theksojnë se është “e rëndësishme të dallohen mesazhet që janë “të vërteta” nga ato që janë “të rreme”, si dhe mesazhet që i krijojnë, prodhojnë ose shpërndajnë “aktorët” që kanë për qëllim të shkaktojnë dëm nga ato që nuk janë.

Në Kodin Penal, “gjuha e urrejtjes” saktësisht rregullohet nga aspekti penal.  

Neni 122, alineja 42

“Si vepër nga urrejtja e parashikuar qartazi me dispozitat e këtij Kodi, konsiderohet vepra penale kundër një personi fizik ose juridik dhe personave që lidhen me ata, ose pronësi e kryer në tërësi ose pjesërisht për shkak të një karakteristike të vërtetë ose të supozuar (të konceptuar, të imagjinuar) ose ndërlidhjes së personit që ka të bëjë me racën, ngjyrën e lëkurës, kombësinë, përkatësinë etnike, religjionin ose bindjen, paaftësinë mendore ose trupore, gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual dhe bindjen politike.”

Gjuha e urrejtjes paraqet një shprehje emocionale, me ç’rast degradon, frikëson, nxit urrejtje, dhunë dhe/ose diskriminim ndaj një individi ose grupi. Përmes gjuhës së urrejtjes krijohet ndjenja e përbuzjes dhe stereotipizimit, bazuar në konotacionet negative ndaj personave ose grupeve, apo ndaj karakteristikave të tyre. Gjuha e urrejtjes funksionon në bazë të koncepteve themelore dhe të fuqishme emocionale, ajo krijon dhe përhap diskriminim, kërcënime, frikë dhe urrejtje. Gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi paraqesin kërcënim për proceset demokratike dhe vlerat shoqërore. Me ndihmën e digjitalizimit, ato në nivel lokal, rajonal dhe global, shkaktojnë konflikte sepse ndikojnë mbi qytetarët dhe proceset e vendimmarrjeve.

Gjatë analizimit të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, janë të rëndësishme disa aspekte:

  • Caku, respektivisht qëllimi: a bëhet fjala për përhapje të qëllimshme të ideve raciste, apo bëhet fjalë për përpjekje për të informuar opinionit për çështje të karakterit publik;
  • përmbajtja e gjuhës;
  • konteksti – çfarë çoi në gjuhë, përmes cilit medium, deri te cila audiencë, situata dhe kushtet politike, shoqërore dhe ekonomike;
  • kush është personi përgjegjës për shprehjen e gjuhës së urrejtjes. Shumë persona mund të jenë gjeneratorë të gjuhës së urrejtjes, të tillë si gazetarë dhe redaktorë, por edhe politikanë ose funksionarë të zgjedhur, përfaqësues dhe liderë fetarë, etj.;
  • Efekti që ka gjuha ndaj opinionit, respektivisht diferencimi i saktë i gjuhës nga një diskutim i thjeshtë midis dy personave, deri te komunikimi ku janë përfshirë më shumë persona që do të ndihmojnë në shpërndarjen e mëtejshme dhe do të ndikojnë ndaj publikut

Një numër i madh i ligjeve penale në Evropë ndalojnë gjuhën e urrejtjes, duke e trajtuar si një vepër penale.

GJUHA E URREJTJES PO QETËSOHET TE MEDIAT TRADICIONALE, POR PO RRITET NË PLATFORMAT DIGJITALE

Shifrat statistikore tregojnë se ka një trend të zvogëlimit të gjuhës së urrejtjes te mediat tradicionale. Por, për dallim nga këto media, gjuha e urrejtjes është intensivisht e pranishme përmes mediave onlajn dhe rrjeteve sociale. Edhe komentet në postimet përmes rrjeteve sociale, janë një pjesë e rëndësishme e kësaj çështjeje.

Kryetari i Komisionit për Ankesa pranë  KEMM, Mirçe Adamçevski në debatin “Gjuha e urrejtjes dhe praktikat diskriminuese në raportimin e mediave – deri ku jemi?”, informoi se numri i ankesave në lidhje me nenin 10 të Kodit të Gazetarëve tregon një trend të rënies tek mediat tradicionale. Në vitin 2014 kishte 28.8% vendime në lidhje me ankesat për këtë nen, në vitin 2019, përqindja u ul në 20% dhe këtë vit, përfshirë gushtin, ka vetëm 5% ose 4 vendime, nga të cilat dy vendime janë për ankesat e koalicionit Margini, njëra për kolumnë në portalin Vecer.mk, ndërsa tjetra për Magazin.mk. Ai theksoi se në llogari të mediave tradicionale, shkelja e nenit 10 te mediat onlajn tregon rritje progresive. Sipas tij, kjo problematikë theksohet veçanërisht në periudhën e përballjes me krizën e shkaktuar nga COVID-19. Në vitin 2019, u formua Rrjeti për Luftimin e Gjuhës së Urrejtjes në Media, iniciues dhe koordinues i të cilit është Këshilli i Etikës së Mediave në Maqedoni, ndërsa Adamçevski në debat paralajmëroi edhe përgatitjen e një Kodi për Raportim Etik të Mediave Onlajn, i cili do të paraprihet nga një analizë e hollësishme.

Emilija Petreska-Kamenjarova nga Departamenti i të Drejtave të Njeriut dhe Edukimit Mediatik pranë Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, në debat përmendi disa shembuj që kanë ndikuar në aspektin e trajtimit të gjuhës së urrejtjes përmes platformave digjitale.

Rasti i Delfi As në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nxori në sipërfaqe përgjegjësinë e mediave onlajn në lidhje me komentet e bëra nga përdoruesit përmes rrjeteve sociale. Gjykata në këtë rast konkludoi se ndërhyrja në të drejtën e shprehjes ishte në përputhje me ligjin dhe se gjuha e urrejtjes e shprehur në komentet e përdoruesve nuk gëzonte mbrojtjen e nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ajo që është e rëndësishme për këtë vendim është fakti që Gjykata hodhi poshtë argumentet e botuesve të kompanisë “Delfi”, e cila menaxhonte me një nga portalet më të mëdha mediatike në Estoni. Gjegjësisht, ata kanë deklaruar se roli i portalit si ofrues i shërbimeve të informacionit dhe ruajtjes së të dhënave është vetëm teknik, gjegjësisht pasiv dhe neutral. Gjykata konsideron se edhe pse “Delfi” nuk ishte autor i komenteve të tilla, kjo nuk do të thotë se nuk kishte kontroll mbi hapësirën në të cilën u krijuan komentet.

Folësit e debatit konkluduan se gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi janë fuqimisht të pranishme në rrjetet sociale, veçanërisht përmes komenteve nën përmbajtjet që botojnë edhe mediat tradicionale edhe ato onlajn. Kjo çështje depërton fuqishëm si te ne, ashtu edhe në rajonin e Ballkanit. Më së shpeshti redaksitë distancohen, duke theksuar se nuk kanë në dispozicion burime të mjaftueshme me të cilat do të kishin reaguar te komentet përmes platformave digjitale. Kjo sigurisht që nuk i çliron nga përgjegjësia. Përveç burimeve të kufizuara, faktorët që ndikojnë në pikëpamjen e kulturës së gjuhës gjatë komentimit përmes platformave digjitale janë sensacionalizmi, por edhe mos-mbrojtja e privatësisë.

Korniza legjislative e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila detekton dhe duhet të sanksionojë gjuhën e urrejtjes, është e harmonizuar me standardet dhe dokumentet ndërkombëtare. Në vend ka vetëm një vendim gjykate në lidhje me gjuhën e urrejtjes, e ky është një problem serioz.  

Vendimi i vetëm deri më tani në vend ka të bëjë me një status të postuar në rrjetin social Facebook. Gjegjësisht, aktori Toni Mihajllovski mori dënim me kusht për kërcënimin e bërë në Facebook ndaj gazetarit Branko Triçkovski në të cilin shkruante se do ta vriste pa i kapsallitur syri. Prokuroria Themelore Publike – Shkup ngriti akuzë kundër aktorit i cili pranoi fajin dhe i kërkoi falje gazetarit për kërcënimet.

Tolerimi i gjuhës së urrejtjes paraqet një shkëndijë lehtë flakëruese. Ky moment tregon se ekziston problem gjatë mosnjohjes së gjuhës së urrejtjes si një fenomen i rrezikshëm shoqëror, i cili do të mund të shkaktonte pasoja negative, respektivisht vepra nga urrejtja. Ballafaqimi me gjuhën e urrejtjes kërkon përkushtim dhe përgjegjësi të fortë. Gjatë kësaj të gjithë janë të rëndësishëm edhe shoqatat mediatike edhe Prokuroria Publike edhe mediat, madje edhe vetë qytetarët.

Scroll to Top