Përse njerëzit përhapin gjuhë urrejtjeje?
Gjuha e urrejtjes është më shumë sesa fjalë të ashpra. Me të nxiten, propagandohen ose justifikohen intoleranca dhe dhuna ndaj individëve, ose grupeve të njerëzve mbi baza etnike, fetare ose gjinore. Për disa kjo mund të jetë nënçmuese, të ndikojë në vetëbesimin e tyre dhe të përjetojnë depresion, izolim, zemërim dhe sjellje antisociale. Gjuha e urrejtjes shpesh bazohet në stereotipa dhe ndikim negativ në aftësinë për t’u zgjidhur shkaqet themelore të problemeve sociale.
Në onlajn sferën, gjuha e urrejtjes dhe lajmet e rreme hasen kur përhapen dezinformata dhe provokime përmes rrjeteve sociale me qëllim të dëmtimit. Disa nga mediat me qëllim nuk administrojnë komentet nën përmbajtjet që postojnë në rrjetet e tyre sociale, që të mundësojnë përdoruesit rishtas t’i shpërndajnë dezinformatat dhe urrejtjen.
Gjuha e urrejtjes mund t’i pasqyrojë bindjet e vërteta të një individi që janë të papëlqyeshme për një grup të caktuar njerëzish. Individë të tillë mund të jenë edhe të angazhuar qëllimisht të provokojnë njerëz të tjerë dhe quhen “trollë”, të cilët shpesh vijnë nga mjedise ku lajmet e rreme janë të zakonshme. Në një analizë të Institutit Maqedonas të Mediave (MIM) thuhet se “figura publike përmes profileve të tyre në rrjetet sociale ose në faqet e internetit, publikojnë përmbajtje ku vërehet gjuhë urrejtjeje, veçanërisht në bazë të përkatësisë politike”.
Gjuha e urrejtjes mund të jetë edhe rezultat i thjesht mosnjohjes së fakteve relevante dhe se ajo që thuhet është fyese dhe e dëmshme. Njerëzit mund të mos jenë të vetëdijshëm se përdorin gjuhë që konsiderohet si urrejtje kur me nervozë përdorin, për shembull, stereotipa fetare, pa ndonjë njohuri personale për besimet e atij grupi religjioz. Në analizën e MIM shkruan se “në periudhën nga shkurti deri në maj të vitit 2020, është regjistruar rritje e gjuhës së urrejtjes në baza etnike para festës së krishtere Pashkët dhe para fillimit të agjërimit të Ramazanit, kur udhëheqësit fetarë në këtë periudhë kishin pikëpamje dhe rekomandime të kundërta nga ato të Qeverisë për respektimin e masave për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Rritja drastike e njerëzve të ri të infektuar me Covid-19 krijoi edhe gjuhë të urrejtjes në bazë të gjendjes shëndetësore, në kombinim me përkatësinë etnike”.
Megjithatë, nuk janë të gjitha fjalimet negative gjuhë urrejtjeje. Sigurisht që mund të kritikoni funksionarë publikë ose të mos dakordoheni me një politikë, grup etnik ose doktrinë religjioze, por kritika duhet të bazohet në atë që thuhet ose si veprohet, e jo mbi identitetin e dikujt.
Gjuha e urrejtjes është vepër penale
Kombet e Bashkuara kanë përgatitur një numër të madh dokumentesh kundër gjuhës së urrejtjes dhe rekomandime që shtetet duhet t’i ndjekin. Që në vitin 1966, Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politikeparasheh se “çdo thirrje për urrejtje kombëtare, racore ose fetare që paraqet nxitje të diskriminimit, armiqësisë ose dhunës duhet të ndalohet me ligj”. Në nivelin evropian, Këshilli i Evropës kundërshton gjuhën e urrejtjes me rekomandime legjislative dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në përputhje me rekomandimet e tyre, shumica e autoriteteve evropiane e konsiderojnë gjuhën e urrejtjes si vepër penale. Kjo mundëson dënim të saj me kushte, mënyrën dhe vlerësimin e gjykatave, por gjyqësori nuk mund t’i zgjidhë të gjitha rastet e gjuhës së urrejtjes në Internet. Nga ana tjetër, ekzistojnë rreziqe që gjykimet t’i japin edhe më shumë dukshmëri urrejtjes, ndërsa autoritetet të etiketojnë mosmarrëveshjen legjitime si “gjuhë të urrejtjes” dhe ta kufizojnë lirinë e shprehjes. Për këtë arsyeje rekomandimet e OKB-së dhe Këshillit të Evropës janë që shtetet t’i kriminalizojnë “vetëm format serioze dhe ekstreme të gjuhës së urrejtjes”, respektivisht ato që në mënyrë aktive nxisin dhunë dhe diskriminim ndaj një personi ose grupi të caktuar. Në të gjitha rastet e tjera, shtetet duhet të kërkojnë mënyra alternative për parandalimin ose kundërshtimin e gjuhës së urrejtjes.
Si përhapet gjuha e urrejtjes onlajn?
Gjuha e urrejtjes onlajn karakterizohet me anonimitet të autorëve, qëndrueshmërisë së përmbajtjes dhe mundësisë së përhapjes nëpër platforma të ndryshme dhe përtej kufijve shtetërorë. Portalet onlajn, blogjet, kërkuesit dhe rrjetet sociale nuk janë vetëm ndërmjetësues të përmbajtjeve. Ato duhet të respektojnë të njëjtat norma dhe standarde të të drejtave të njeriut që zbatohen oflajn dhe të veprojnë më vendosmërisht dhe më shpejt kundër përhapjes së gjuhës së urrejtjes. Kështu, në maj të vitit 2016, Komisioni Evropian, nga njëra anë dhe “Facebook”, “Twitter”, “YouTube” dhe “Microsoft”, nga ana tjetër, miratuan kodeksin e sjelljes për të parandaluar gjuhën e paligjshme të urrejtjes. Megjithëse masat nuk janë të detyrueshme ligjërisht, këto kompani u zotuan t’i mënjanojnë përmbajtjet e paligjshme të urrejtjes brenda 24 orëve nga raportimi.
Megjithatë, ata nuk janë gjithmonë në gjendje ta bëjnë këtë sepse përmbajtja mund të mos raportohet, moderatorët e përmbajtjes të mos kenë arritur deri te ajo ose ajo të mos bie në përmbajtjet që ata i ndalojnë, ndërsa nganjëherë përmbajtja e dyshimtë është pjesë e diskutimeve private në grupe. Megjithëse kritikave iu nënshtrohen rrjetet sociale të popullarizuara, duhet të kihet parasysh se shumë të rinj po zhvendosen në hapësira të reja onlajn të lojërave (drejtpërdrejt), për shpërndarjen e fotografive dhe përmbajtjeve të tjetër të gjeneruara nga përdorues dhe influencerë, si dhe forume të ndryshme që nuk mund të moderohen vazhdimisht.
Edukimi mediatik për kundërshtim të gjuhën e urrejtjes
Megjithëse baza ligjore dhe instrumentet janë të domosdoshme kundër gjuhës së urrejtjes në Internet, parandalimi duhet të përfshijë edukimin mediatik, para se gjithash të të rinjve. Shkathtësitë e të menduarit kritik dhe përdorimit etik të platformave dixhitale janë pikënisje në edukimin mediatik dhe janë thelbësore në luftën kundër gjuhës së urrejtjes onlajn. Këto shkathtësi do të rrisin aftësinë e të rinjve për të njohur përmbajtje të urrejtjes, për t’i zbuluar supozimet, animet dhe paragjykimet dhe të ndërmarrin një aksion kundër tyre. Të rinjtë nuk janë vetëm përdorues, por edhe krijues të përmbajtjeve onlajn, ndërsa edukimi mediatik përfshin edhe shkathtësitë për të zotëruar teknologjinë dhe për të komunikuar në mënyrë efektive përmes formateve të ndryshme dixhitale (video, infografikë, baste, meme, etj.).
Të rinjtë, më shumë se çdo gjeneratë e mëparshme, po rriten me teknologji dixhitale, ndërsa mediat sociale janë vendi bazë për njohjen dhe debatin e tyre social, politik dhe kulturor. Në Maqedoni, sipas hartës së nivelit të edukimit mediatik nga viti 2019, madje rreth 94.6% e të anketuarve të moshës 16 deri në 29 vjeç thanë se çdo ditë janë onlajn përmes telefonit të tyre celular. Por, kjo nuk do të thotë që ata nuk duhet t’i mësojnë në mënyrë aktive shkathtësitë që u nevojiten për të qenë përdorues kritikë të informacioneve dhe qytetarë të aftë në Internet. Aktivitetet që kjo grup-moshë i bën më shpesh onlajn janë komunikimi përmes rrjeteve sociale (96.1%) dhe bisedat ose dërgimi i mesazheve përmes aplikacioneve të ndryshme të komunikimit ndër-personale siç janë “Viber”, “Messenger”, “WhatsApp” dhe të ngjashme (91.9%). Vetëm 16.1% e të rinjve të moshës 16 deri 29 vjeç vendosin ose përcjellin përmbajtje që ata vet i kanë krijuar, 14.6% prej tyre mirëmbajnë një faqe interneti ose blog dhe 6.4% të parandësishme janë përgjigjur se marrin pjesë në debate dhe forume për çështje civile ose politike. Sipas kësaj, përdorimi i përparuar i internetit është dukshëm më pak i përhapur, gjë që mund të jetë edhe falë mungesës së aftësive adekuate, shkruan në hulumtim.
Përmbajtjet negative që të anketuarit e rinj i kanë njohur në rrjetet sociale kanë qenë të ndërtuara dhe informacione të rreme që përhapen për qëllime politike dhe të tjera (38.9%), si dhe ofendime, poshtërime dhe kërcënime në bazë politike (37.4%), në bazë etnike ose fetare ( 33.1%) dhe në bazë të orientimit seksual ose identitetin gjinor (29.1%). Kur në rrjetet sociale kanë vërejtur përmbajtje që mund të shqetësojë, të fyej, të dëmtojë dikë ose të ndikojnë në një mënyrë tjetër negativisht tek njerëzit, numri më i madh i këtyre të anketuarve nuk kanë reaguar fare, respektivisht e kanë injoruar përmbajtjen (63.9%). Një numër shumë më i vogël i të anketuarve e kanë bllokuar personin që ka shpërndarë përmbajtje të tillë ose ka shkruar koment të tillë (17.6%), kanë shpërndarë përmbajtjen problematike së bashku me komentin e tyre kritik në lidhje me të (17.2%) ose nuk e kanë përcjellë më personin që ka shpërndarë një përmbajtje të tillë ose koment (16.1%). Një numër i parëndësishëm (4.3%) kanë reaguar në lidhje me përmbajtjen te provajderi i rrjetit social, ndërsa vetëm 1 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se kanë reaguar në MPB, Drejtorinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ose në një institucion tjetër kompetent, thuhet në studim.
Rrjedhimisht, zhvillimi i edukimit mediatik në arsimin formal dhe joformal, paraqet një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë kundër gjuhës së urrejtjes. Për promovimin e ndërgjegjësimit mediak dhe kundër perceptimeve të gabuara, paragjykimeve dhe krimeve nga urrejtja, në praktikat arsimore duhet të përfshihen edhe Agjencia për Media dhe Shërbime Mediatike Audiovizuale, si organ dhe rregullator kompetent dhe Këshilli për Etikë në Mediat, si organ vetërregullues, që kryejnë mbikëqyrje ndaj gjuhës së urrejtjes në mediat, Avokatin e Popullit, i cili duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë për mbrojtje nga diskriminimi, si dhe MPB, ku ekziston një Sektor i veçantë për krimin kompjuterik dhe forenzikë dixhitale.
Në vend që përpjekjet të përqendrohen vetëm në parandalimin e qasjes së të rinjve deri te përmbajtjet me gjuhë të urrejtjes, ata duhet të aftësohen me të menduarit kritik dhe shkathtësi për edukim mediak që t’i demaskojnë përmbajtjet e tilla. Të veprojnë në mënyrë të përshtatshme kur të përballen me urrejtje, përmbajtje fyese ose të paligjshme dhe të japin kontribut pozitiv në mediat sociale. Me këtë do t’i aftësojmë të rinjtë me shkathtësi që u nevojiten për të përparuar si qytetarë pro-aktivë dhe të fuqishëm.