Në seancat e mbajtura: në Shkup – në kuadër të Javës së edukimit mediatik, në tetor të vitit 2023, pastaj në Manastir – në Shtëpinë Evropiane në mars të këtij viti dhe në Shtip – në Universitetin “Goce Dellçev” në qershor të vitit 2024, morën pjesë një numër i madh i gazetarëve, aktivistëve civilë, studentëve, nxënësve të shkollave të mesme dhe profesorëve. Sesionet ishin tematike me diskutime të përqendruara në edukimin mediatik dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për shkeljet e Kodit të gazetarëve, mbi dëmshmërinë e gazetarisë “copy-paste” kur rishkruhen tekste të tëra pa cituar burimin, dhe mbi përgjegjësinë e mediave në përhapjen e gjuhës së urrejtjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për komentet në rrjetet sociale në lidhje me përmbajtjen e mediave.
Seancat publike të Komisionit të Ankesave gjatë vitit 2023/24 u mundësuan me mbështetjen financiare të UNESCO-s, në kuadër të projektit rajonal “Ndërtimi i besimit në mediat e Evropës Juglindore: mbështetja e gazetarisë si një e mirë publike”. Ky projekt mbulon Këshillat e Etikës në vendet e Ballkanit Perëndimor – Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, si dhe Këshillin e Turqisë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes në të gjithë rajonin për domosdoshmërinë e gazetarisë cilësore dhe të përgjegjshme, si një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike.
Këshilli për Etikë në Mediat në Maqedoni inkurajon qytetarët, institucionet dhe organizatat e shoqërisë civile të përdorin mundësinë për të paraqitur ankesë në KEMM, sa herë që ata dyshojnë se ndonjë nga përmbajtjet e mediave tejkalon rregullat për raportim të përgjegjshëm dhe profesional, sipas dispozitave të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë.
Pas seancave të hapura në Shkup, Manastir dhe Shtip, anëtarët e Komisionit për ankesa dhe përfaqësuesit e zyrës ekzekutive të KEMM-it do të vazhdojnë takimet e drejtpërdrejta me qytetarët dhe gazetarët në qytetet e tjera në Maqedoni.