Qytetarët mund të reagojnë për sjelljen në hapësirën online gjatë kohës së zgjedhjeve

Me shpalljen e Zgjedhjeve Parlamentare dhe Presidenciale, filloi periudha e veprimit të Trupit koordinativ për monitorimin e respektimit të Kodit të sjelljes në hapësirën online gjatë proceseve zgjedhore dhe referendumeve.

Trupi koordinativ do të veprojë për ankesat për shkelje të mundshme të Kodit nga partitë politike, kandidatët e tyre, kandidatët e pavarur, edicionet në internet të radiodifuzerëve, mediat online, kontrolluesit e fakteve, influencuesit dhe subjektet e tjera që mund të kryejnë ndikim mbi publikun në funksion të fushatës gjatë zgjedhjeve ose referendumeve.

Të gjithë qytetarët dhe personat juridikë mund t’i dërgojnë ankesat e tyre në e-mail adresën: koordinativnotelozaizbori@avmu.mk. Ankesat mund t’i referohen shpërndarjes së dezinformatave (informacione të pasakta, të paplota, të rreme ose keqdashëse), gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit mbi çdo bazë, mosrespektimit të rregullave dhe standardeve për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe formave të tjera të sjelljes joetike në internet.

Trupi koordinativ përbëhet nga përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Institutit Maqedonas për Media, Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni, Institutit për Studime të Komunikimit, Fondacionit “Metamorfozis” dhe Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele.

Deri më tani, Kodit i janë bashkëngjitur tre parti politike (E Majta, Partia Demokratike Evropiane dhe Partia e Pensionistëve) dhe 14 organizata mediatike (TV Koha, TV Tera, TV Due, TV Koçani LD, TV Spektra, Radio Bleta, Radio Koçani, Radio Vati, Sport1, 4Nuz, Ekipa, Radovish News, dhe 360 Gradë). Trupi koordinativ fton të gjitha subjektet të cilëve u referohet Kodi që ta aksesojnë atë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kyçen në këtë iniciativë.

Përveç ankesave, Trupi koordinativ do t’u përgjigjet publikisht çështjeve me interes të gjerë publik, si dhe çështjeve që lidhen me mediat dhe të gjithë pjesëmarrësit në hapësirën online gjatë procesit zgjedhor.

Koordinator i Trupit koordinativ është zgjedhur Sashe Dimovski nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, ndërsa zëvendësues-koordinatore është Olivera Vojnovska nga Fondacioni Metamorfozis.

Scroll to Top