Qëllimi themelor i gazetarisë është që t’i shërbejë opinionit përmes plasimit të lajmeve, pikëpamjeve, komenteve dhe informacioneve për çështjet me interes publik, duke mos i paraqitur spekulimet dhe thashethemet e pajustifikuara si fakte. Mediat nuk duhet të paraqesin materiale që përmbajnë fyerje ose shpifje ndaj individëve dhe grupeve, përveç nëse pas një vlerësimi të kujdesshëm vërtetohet se ka arsye dhe prova për të besuar se ajo është e vërtetë dhe është një temë e interesit publik.
Në të njëjtën kohë, gazetarët mbështeten në prezantimin e informacioneve dhe fakteve që përmbajnë kritika ndaj veprimeve dhe sjelljes së aktorëve politik në qoftë se ajo është në kundërshtim me përgjegjësitë e tyre, me përjashtim të situatave në të cilat këto informacione shpërndahen pa marrë parasysh të vërtetën. Nëse mediat posedojnë informacione në lidhje me veprimet e figurave publike e që janë në kundërshtim me përgjegjësitë e tyre, e kanë për detyrë që të sigurohen se informacionet janë të interesit publik dhe janë marrë në mënyrë të ndershme, janë vërtetuar në mënyrë adekuate dhe janë vendosur në kontekstin e duhur.
U bëjmë thirrje redaktorëve, të cilët kanë përgjegjësinë e fundit për atë se çfarë raportohet në media dhe për respektimin e standardeve të gazetarisë etike, me qëllim që të fitohet dhe mirëmbahet besimi i opinionit për informimin.
Këshilli për etikë mbështet lirinë e shprehjes dhe interesin publik gjatë informimit, duke theksuar se pavarësia në gazetari është çelësi i aspiratave për arritjen dhe mirëmbajtjen e demokracisë në shoqëri.
Shkup, 13.05.2015.