Këshilli për etikë në media prezantoi Kartën për raportim etik gjatë zgjedhjeve

„Kjo nismë është rezultat i nevojës për mobilizim të përbashkët dhe shfrytëzim të fuqisë së mediave në përpjekjet për arritje të pavarësisë në gazetari. Asnjë qeveri dhe parti politike nuk duhet të vendos në emër të mediave kur bëhet fjalë për objektivitetin“, tha drejtoresha e KEMM-it, Marina Tuneva.

Teksti i Kartës bazohet në parimet më të rëndësishme dhe universale të profesionit, që njëherit janë valide në çdo rrethanë, madje edhe gjatë zgjedhjeve. „Ne si KEMM, u munduam të thirremi në gazetarinë bazike dhe ta kthejmë esencën e gazetarisë – saktësi, balancim dhe etikë“, tha Dragan Antonovski nga Bordi drejtues i Këshillit.

Sipas Mirçe Adamçevskit, kryetarit të Komisionit për ankesa pranë KEMM-it, dokumenti bazohet në praktikën e deritanishme të pranimit të një numri të madh ankesash lidhur me veprimtarinë joprofesionale dhe joetike në media.

Në këtë dokument janë përfshirë parimet e vërtetësisë dhe objektivitetit, ekuilibrimit, ndershmërisë dhe neutralitetit, solidaritetit profesional, pavarësisë redaktuese dhe integritetit profesional, respektit dhe tolerancës, parimet e lirisë dhe përgjegjësisë, si dhe parimi i dallimit të qartë midis informacioneve dhe komenteve.

Evenimenti për nënshkrimin zyrtar të Kartës nga ana e mediave do të organizohet më 12 shkurt, në Qendrën informative të BE-së në Shkup.

Scroll to Top