Duhet debat dhe të hapet dialog për atë që publikohet në mediat onlajn. Është e nevojshme që ligjet në vend të përshtaten me ato evropiane, sepse ligjet aktuale janë vjetruar dhe nuk i mbulojnë fare mediat onlajn. Këto janë disa nga konkluzionet nga debati i sotëm publik “Vetë-rregullimi i mediave dhe masat e nevojshme për promovimin e profesionalizmit në media”, që e organizoi Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë. Sipas shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, David Gere (Dejvid Gir), liria e shprehjes është vlerë thelbësore në BE, por është në rrezik të vazhdueshëm si në Union ashtu edhe në vend. Gere theksoi se nevojitet konsensus i gjerë për dialog me të gjithë ata palët e përfshira në vend, kur bëhet fjalë për situatën në sferën mediatike dhe se BE-ja do ta mbështesë një dialog të tillë. Ai theksoi se BE-ja përmes një sërë instrumentesh financiare do të ndihmojë në këtë fushë, si në vend ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.
Duke iu referuar ekzistencës tetëvjeçare të Këshillit për Etikë në Media të Maqedonisë, kryetarja Katerina Sinadinovska theksoi se Këshilli sot konsiderohet si organ i etabluar dhe profesional. “Ne si esnafi i profesionit gazetaresk dhe bashkësi mediatike arritëm të fituar pozitën që vetë të redaktojmë dhe rregullojmë standardet gazetareske”, tha Sinadinovska, duke e vënë në pah ekzistimin e Regjistrit të mediave profesionale. Drejtoresha Ekzekutive e Këshillit, Marina Tuneva theksoi se zbatimi i vetë-rregullimit i tregoi përparësitë e atij procesi, por edhe sfidat në drejtim të informimit profesional. Mirçe Adamçevski, kryetar i Komisionit për Ankesa në KEMM, tha se në vitet e fundit kanë pranuar pothuajse 500 ankesa, 80% e të cilave kanë të bëjnë me mediat onlajn. Përfaqësuesit e KEMM e theksuan nevojën për vetë qëndrueshmëri afatgjatë të Këshillit të Etikës në Mediat e Maqedonisë.
“Punët duhet të ndryshohen në mënyrë sistematike, nuk mjafton të thuhet se ka liri të fjalës dhe se njerëzit nuk shkojnë në burg”, tha kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Mlladen Çadikovski, i cili foli për nevojën për përmirësimin e ligjet. Ai theksoi nevojën për ekzistimin e një Fondi për projekte me interes publik.
Biljana Petkovska, drejtoreshë e Institutit Maqedonas për Media, tha se tendencat evropiane venë në pah një ekuilibër midis mekanizmave rregullatorë dhe vetë-rregullues. Ajo i theksoi gjetjet e hulumtimit të tyre të fundit, sipas të cilave mediat onlajn shpesh i shkelin standardet profesionale, ndërsa gjuha e urrejtjes është më e pranishme në rrjetet sociale. “Një pjesë e medias onlajn mban marrëdhënie klienteliste me qendrat politike dhe të biznesit të pushtetit dhe shpesh krijojnë apo shpërndajnë dezinformata dhe propagandë në mënyrë të koordinuar”, tha ajo.
Për gjendjen e gazetarëve foli Darko Duridanski nga Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Maqedonisë, duke theksuar gjetjet nga hulumtimi i tyre. Ai tha se për shkak të gjendjes së keqe të gazetarëve, gjysma e tyre mendojnë të largohen nga puna. Sipas hulumtimit të tyre, një e treta e gazetarëve punojnë më shumë se 40 orë në javë dhe nuk paguhen jashtë orarit.
Shumica e pjesëmarrësve në debat e theksuan nevojën për dialog të gjerë në lidhje me përmbajtjen që shpërndahet përmes mediave onlajn. Debati u organizua në kuadër të projektit “Përkrahja e BE-së për Përmirësimin e Etikës në Media”, me mbështetje të BE-së dhe programi Civica Mobilitas.