Duke e prezantuar projektin e mbështetur nga Fondi Kanadez për Iniciativa Lokale përmes Ambasadës së Kanadasë, në kuadër të të cilit mbahet debati, drejtoresha ekzekutive e KEMM-it Marina Tuneva theksoi se “Reporterët pa kufij” në Indeksin botëror për lirinë e mediave të këtij viti tregon se dekada e ardhshme do të jetë vendimtare për ardhmërinë e gazetarisë, me ç’rast pandemia e Kovid 19 do t’i potencojë dhe t’i forcojë krizat e shumta që e rrezikojnë të drejtën e raportimit të lirë dhe plasimin e informatave të pavarura, të llojllojshme dhe kredible. Sipas Reporterëve pa kufij, ekziston korrelacion i qartë midis shtypjes së lirisë së mediave si përgjigje ndaj pandemisë së korona virusit dhe renditjes të një shteti në Indeksin botëror për lirinë e medias.
Tuneva shkurtimisht i prezantoi disa nga problemet më shpesh të paraqitura nga vendet fqinje kur është fjala për ndikimin e krizës ndaj raportimit mediatik. Një pjesë e atyre problemeve janë si më poshtë:
- Përparësi u jepet analistëve dhe kreatorëve të mendimit publik, të cilët nuk janë ekspertë të shëndetësisë publike apo mjekë, ndërsa të cilët zakonisht prezantojnë një kënd të caktuar gjatë argumentimit varësisht nga interesat e përcaktuara politike. Me këtë gazetarët dhe ekspertët që i rishqyrtojnë apo kritikojnë masat e pushtetit janë të eksponuar ndaj akuzave për nxitje të panikut.
- Mbahen konferenca të përditshme të shtypit, por megjithatë nuk u jepet përgjigje pyetjeve gazetarëve. Institucionet nuk u përgjigjen me kohë kërkesave, duke arsyetuar këtë me situatën e jashtëzakonshme. Organizohen konferenca onlajn ditore të shtypit, por trajtimi ndaj gazetarëve nuk është i barabartë dhe mbesin shumë çështje të papërgjigjura.
- Storjet për raste të mëdha të korrupsionit të zbuluara nga gazetarët nga redaksitë hulumtuese nuk arrijnë deri te mediat “mejnstrim”, përveç se kur po ato media kyçen në mbrojtjen e organeve gjegjëse, që rezulton me akuza të gazetarëve.
Drejtoresha ekzekutive e KEMM-it përkujtoi në vërejtjen e komisarit të KB-së për të drejtat e njeriut, Mishell Bashalle, se disa shtete e kanë shfrytëzuar krizën si arsyetim për kufizimin e informatave dhe për ngufatjen e kritikave, përfshirë edhe arrestimin dhe frikësimin e gazetarëve. Sipas Bashalle, deklaratat e disa liderëve politikë ishin të kahëzuara kundër gazetarëve, që është e papranueshme, sepse mediat e lira janë gjithmonë të domosdoshme, por tani më shumë se kurrë.
Lidhur me sfidat për Këshillin e Etikës në Mediat e Maqedonisë dhe për reagimet më të shpeshta për raportimin mediatik, fjalim kishte edhe kryetari i Komisionit për ankesa pranë KEMM-it, Mirçe Adamçevski.
KEMM, që nga paraqitja e rastit të parë të korona virusit në vend, më 27 shkurt doli me kumtesë përmes së cilës kërkoi “raportim të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm rreth korona virusit”. Mediave iu bë thirrje të sillen me profesionalizëm dhe me etikë dhe të mos kontribuojnë në përhapjen e të pavërtetave dhe krijimin e panikut tek opinioni. U theksua se “informimi në raste të tilla, sipas Kodeksit të gazetarëve (neni 8), duhet të jetë i çliruar nga sensacionet. Mediat duhet të veprojnë në mënyrë që i dallon nga bartës të zakonshëm të informatave dhe të fakteve dhe ta zbatojnë edhe rolin e tyre si qetësues të shqetësimi tek qytetarët”. Me fjalë të tjera, siç theksoi Adamçevski, të sillen me përgjegjësi ndaj situatës së sapokrijuar. Nga mediat u kërkua që me kujdes t’u qasen informatave me të cilat prezantohen vlerësime për një përshkallëzim të mundshëm të ngjarjeve. Adamçevski theksoi se edhe përskaj vërejtjeve të Këshillit të etikës në Media, rritja e numrit të ankesave në muajt e parë të krizës ishte arsyeje që në mes të muajit prill, të reagohet lidhur me rastet e shpeshtuar të raportimit jo-etik dhe joprofesional, posaçërisht ndaj përhapjes së spekulimeve te media të caktuara lidhur me pandeminë e korona virusit. Në atë periudhë madje 70 për qind e ankesave kishin të bënin me raportimin për korona virusin, informoi Adamçevski.
Shkelja e nenit 1 të Kodeksit të gazetarëve, që ka të bëj me publikimin e informatave të sakta dhe të verifikuara është konfirmuar në 46% nga rastet e raportuara, apo 16 tekste për të cilat është parashtruar ankesë, kurse shkelje të nenit 8 të Kodeksit të gazetarëve, respektivisht informimit sensacional është konfirmuar te 11 tekste apo në 31% nga rastet e paraqitura. Sipas Adamçevskit, qytetarët reagojnë edhe ndaj përpjekjeve për politizimin e krizës rreth korona virusit në mediat, ndërsa në 13 nga rastet e paraqitura deri te KEMM-i është vërtetuar se gazetarët nuk sigurojnë distancë profesionale nga subjektet politike, respektivisht shkelet neni 14 i Kodeksit të gazetarëve (37%). Në 16% të rasteve bëhet fjalë për shkeljen e nenit 12 të Kodeksit të gazetarëve, sipas të cilit plagjiatura, më së shpeshti “copy-paste” është e papranueshme, ndërsa citatet nuk guxojnë të përdoren pa u përmendur burimi apo autori. Praktikë pozitive është ajo se po rritet numri i rasteve të zgjidhura përmes ndërmjetësimit, pikërisht për ankesa rreth korona virusit. Përndryshe, shkelësit më të mëdhenj të etikës janë mediat onlajn. Të dhënat e paraqitura tregojnë se pikë së pari gazetarët publikojnë informata jo të sakta ose se raportojnë në mënyrë të njëanshme, e pastaj se kanë koketuar me politikanët, se janë sensacionalist dhe plagjiatorë, respektivisht gazetarë “copy paste”. Këto, tha Adamçevski, ishin vetëm disa shembuj që tregojnë se në Maqedoni MEDIAT KANË LIRINË TË KRIJOJNË PRODHIME MEDIATIKE MADJE EDHE NË SITUATA TË JASHTËZAKONSHME. Këtë e dëshmon edhe numri i madh i teksteve për të cilat janë parashtruar ankesa. Por, gjatë kësaj nuk duhet harruar se liria nënkupton edhe përgjegjësi. Numri i njëjtë konfirmon se media të lira nuk do të thotë edhe media profesionale dhe etike.
Adamçevski përmendi edhe përvojën e Parlamentit Evropian që ka bërë faqe të përbashkët me institucionet e tjera, ku gjenden të gjitha hollësitë për luftën e BE-së me virusin, mes të tjerash edhe “çmontimin” e miteve të ndryshme që më së shpeshti paraqiten në opinion dhe posaçërisht në rrjetet sociale. Ndoshta edhe ne si organizata mediatike, përmendi Adamçevski, do të mund të bënim një faqe të tillë edhe përskaj asaj se KEMM-i vendimet e Komisionit i publikon në faqen e vet të FB dhe ia dërgon anëtarësisë së vet. “Një aksion i koordinuar do të kontribuonte më shumë për profesionalizmin. Gjithashtu do të duhet që edhe në të ardhmen të insistohet në transparencë të burimeve zyrtare. Vetëm në këtë mënyrë do të ulet numri i teksteve dhe raporteve spekulative”, tha Adamçevski. Ai përfundoi me rekomandimin që edhe më shumë të mbështetet vet-rregullimi, sepse është mënyra e vetme e sigurt që mediat t’i përmirësojnë praktikat e veta të raportimin, gjatë kësaj duke mbrojtur lirinë e të shprehurit dhe të të raportuarit, pa u përballur me mekanizma të tjerë të kontrollit apo të “gjyqit” për punën e tyre.
Për mekanizmat për mbrojtje dhe ndihmë të redaksive në kushte krize foli drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Dragan Sekullovski.
Ai theksoi se në fillim të krizës, redaksitë nuk ishin të gatshme të punonin në kushte krize të shkaktuar nga pandemia (mungesë e protokolleve dhe të praktikës paraprake). Më 18 mars, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend dhe fillimin e kufizimit të lëvizjes, disa redaksi kishin vështirësi në kryerjen e obligimeve të tyre të rregullta, ndërsa me qëllim të informimit objektiv të qytetarëve.
Sipas Sekullovskit, sfidat për mediat në kushte krize ishin siç vijon:
- Ruajtja e distancës fizike (posaçërisht për mediat e mëdha)
- Mungesa e pajisjeve mbrojtëse dhe praktikës paraprake
- Presion ekonomik
- Rreziku për masa restriktive dhe rregullave të tjera nga ana e Qeverisë.
Për vet gazetarët, siç theksoi ai, problem ishte: siguria personale dhe siguria e më të afërmve, shkelja e të drejtave të punëtorit, stresi emocional dhe zvogëlimi i qasjes së informacioneve nga institucionet publike.
Mekanizmat e mbrojtjes Sekullovski i grupoi në:
- Të brendshme– mekanizma të cilat menaxhmenti i medias i realizon me qëllim të mbrojtjes së gazetarëve dhe punëtorëve mediatik nga aspekti i rrezikut shëndetësor dhe ndihmës ekonomike-sociale.
- Të jashtme– mekanizma që i ndërmerr Qeveria dhe institucionet e tjera resorë, por edhe organizatat qytetare, komuniteti ndërkombëtar, qytetarët sikurse edhe sektori korporativ për ndihmën e mediave dhe të gazetarëve.
Ai I numëroi shembujt e mekanizmave të brendshëm: protokollet për punë të sigurt të redaksive, por edhe nga terreni për të gjithë të punësuarit (pajisje mjekësore, ndërrimet në punë, ndarja në grupe, puna nga shtëpia, të qenurit mysafir nga jashtë, masat e posaçme ndaj të punësuarve me sëmundje kronike dhe ngjashëm). Përveç kësaj, respektimi i Ligjit për marrëdhënie pune, masa intervente për ndihmë ekonomike dhe marrëveshjet kolektive për punë në mediat – ndihma sindikaliste.
Lidhur me mekanizmat e jashtëm të mbrojtjes, Sekullovski i përmendi:
- Qeveria përmes masave që ekonomikisht do t’i ndihmojë disa nga mediat në kushte kur edhe ashtu tregu i brishtë mediatik është prishur
- Përgjegjësi nga faktorët që organizojnë ngjarje për mediat dhe gazetarët (respektim të protokolleve)
- Organizata qytetare dhe bashkësia ndërkombëtare përmes edukimit dhe ndihmës në pajisje, mjete dhe financa
Dragan Sekullovski informoi se në gjysmën e dytë të marsit KEMM dhe SHGM, në interes të publikut më mirë të informuar dhe gazetarëve dhe punonjësve mediatik më të sigurt gjatë kryerjes së detyrave të tyre të përditshme profesionale, përgatitën një botim me titull: “Udhëzime për raportim të sigurt dhe profesional për korona virusin”. Autorët janë Marina Tuneva, drejtoresha ekzekutive e KEMM dhe Ognen Janeski, gazetar dhe alumni-studiues në sektorin për informacione publike të OKB-së.
Publikimi paraqet një lloj doracaku për raportimin etik, profesional dhe të përgjegjshëm për korona virusin në kushte të pandemisë botërore. Në te gjithashtu flitet edhe për masat standarde për kujdes, ndërsa sigurohen edhe rekomandime për raportimin e gazetarëve dhe punonjësve të medias nga terreni, si dhe udhëzimet për punën e redaksive dhe paraqitjet e ftuarve të jashtëm në emisionet.
Për profesionin e gazetarisë në kushte krize foli edhe Filjana Koka, gazetare në Radio-televizionin e Maqedonisë.
Ajo potencoi katër nivele të ndikimit të krizës ndaj profesionit:
- Teknik (funksionimi i vështirësuar në terren)
- Esencial (për përmbajtjet gazetareske)
- Kondicioni psiko-fizik i gazetarëve
- Gjendja ekonomike.
Siç theksoi Koka, pandemia i detyroi mediat të kthehen kah teknologjitë e reja dhe mënyrat e raportimit. Kjo situatë, sipas saj, ishte sa pozitive aq edhe negative, sepse çoi drejt asaj që gazetarët të kenë qasje të kufizuar në informacione të caktuara. Sa i përket burimeve të informacionit ose bashkëbiseduesve, tha Koka, ato nuk ishin në dispozicion nga institucionet si më parë, por për këtë të tjerët ndërkaq, ekspertë, analistë, u bënë më të arritshëm me ndihmën e këtyre teknologjive. Filjana Koka theksoi gjithashtu mungesën e gazetarisë hulumtuese. Disa nga mediat transmetonin informacione ashtu siç ishin plasuar, disa u përpoqën të merrnin përgjigje kur shfaqej ndonjë lajm, duke kontrolluar dhe kërkuar të paktën edhe një palë të storjes, që sipas Kokës, ishte e vetmja mënyrë normale për të luftuar dezinformimet. Si një sfidë e veçantë në lidhje me pandeminë, Koka theksoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shtet.
Në aspektin teknik, sipas Kokës, një energji e madhe u harxhua në vet mediat rreth mënyrës së organizimit të punës në vet studiot, redaksitë dhe në terren. “Përveç që vet duhej të ruhemi nga infeksioni, duhet që edhe përmes shembullit personal t’i tregohet opinionit se mbajtja e maskës është, tani për tani, mbrojtja më e mirë. Por më të rëndë e kisha kur një gjë të tillë duhej t’ua thosha kolegëve. Një numër i madh i tyre tanimë ranë nën ndikimin e lajmeve të rreme për 5g rrjetin, për çipizimet, për atë se ky është si lloj tjetër gripi, me ata ishte shumë më vështirë. Të depërtoni deri të kolegu i cili tanimë i është bindur gënjeshtrave, ndërsa vet ai duhet ta edukojë opinionin, tra transmetojë të vërtetën”, tha Koka. Për shkak të nevojës për mbrojtje nga ndonjë kolegë eventualisht i infektuar, sqaroi ajo, redaksitë ishin ndarë në dy grupe. “U humb ndjenja aq e rëndësishme për punë ekipore, që është baza e gazetarisë. Videot arrinin në email, inkuadroheshim nga zyra. Dhe këtu mungonte interaskioni me bashkëbiseduesin, ministrat, funksionarët u bën më komod në deklaratat dhe në konferencat e shtypit, sepse mungonte interaksioni i drejtpërdrejtë, që është shumë më efektiv për t’u zbuluar e vërteta”. Edhe pse ekzistonte mundësia e parashtrimit të pyetjeve, megjithatë, siç theksoi Koka, ekzistonin kufizime subtile për shkak të kohëzgjatjes së konferencave dhe mundësive teknike të gazetarëve për vizitueshmëri të onlajn konferencave apo deklaratave të dhëna. “E gjithë kjo e shndërroi gazetarinë nga një profesion dinamik në profesion të ngathtë, që u shkonte për shtati atyre që dëshironin të mbesnin larg nga syri i kujdesshëm i opinionit”, thekson Koka.
Nga ana tjetër, sipas sqarimeve të gazetares së TVM-së, pandemia ka bërë që secila temë e rëndësishme të jetë e parëndësishme dhe jotërheqëse në krahasim me temën për korona virusin. “Thjesht, ajo u bë temë botërore për më të rëndësishmen – shëndetin dhe jetën e njeriut. Gjithçka u fokusua në informacionet teknike të lidhura me virusin dhe informacione teknike edhe për fusha dhe çështje të tjera. Gjithnjë e më pak kishte storje hulumtuese. Ishte vështirë të përcillej korrupsioni, që në kriza të tilla veçanërisht dinë të lulëzojë”, theksoi Koka. Mundësia për analizë thelbësore ishte e kufizuar, në llogari të asaj që mos të përhapet paniku. “U paraqitën edhe përpjekje storjet kritike t’u përshkruhen lajmeve të rreme. Sikurse u hap Kutia e Pandorës, për shembull, të prekej tema e furnizimeve publike, tenderëve në katër sy, për shembull për respiratorët. A do të fillojë gjahu i shtrigave nëse parashtroj pyetje që do të dalë jashtë kornizave të raporteve të parapara dhe kumtesave? A do të përjetoj gjyqin publik, ku gjeti ky tani të pyes për këtë, po njerëz po vdesin, shihe këtë se çka po i intereson tani?!? Ndodhi, në një mënyrë, kolaps i gazetarisë”, theksoi Filjana Koka.
Çdo dalje në terren, potencon Koka, është mundësi për infektim. “Paniku ndoshta është zvogëluar, por frika është rritur. Punojmë për të mirën publike, në interes të opinionit, duhet të qëndrojmë të denjë në sigurimin e informatave të sakta dhe me kohë. Ku po qe se jo në terren? Kthehemi në shtëpi tek familjet dhe nuk guxojmë të tregojmë se sa të tmerrshme e kemi rutinën e deridjeshme. Është i madh ndikimi ndaj shëndetit tonë, ndërsa kjo reflektohet edhe në përkushtimin ndaj profesionit. Përveç kësaj, çdo ditë ekzistonte frika dhe ekziston frika për vendet e punës, për ekzistencën”, thotë ajo. Shumë gazetarëve iu rrezikuan vendet e punës, ndërsa pushteti iu dha mbështetje mediave, po kishte edhe të atillë të cilët mbetën pa vendet e tyre të punës. “Gazetaria edhe kësaj radhe u tregua si profesion shumë stresues dhe profesion nga i cili të gjithë presin të realizohet në mënyrën më të mirë. Ndërsa, njëkohësisht, nuk i ofrohet mbështetja e nevojshme nga opinion dhe institucionet “, përfundoi Koka.