E drejta e çdo mediumi është të vendosë a do të merr pjesë në punën e trupit vetërregullues – Këshillit për Etikë në Mediat në Maqedoni, por kjo nuk e liron nga detyrimi të respektojë standardet profesionale në sferën e mediave. Këto janë standardet minimale të cilët pritet të plotësohen nga ana e mediave, në të kundërtën ato do të konsiderohen si paramedia, të cilët punojnë në dëm të interesit publik. Jemi të brengosur se besimi i publikut në mediat shpesh herë është tradhtuar nga ana e individëve dhe platformave mediatike të cilët punojnë në mënyrë të papërgjegjshme dhe në dëm të interesit publik, duke e sjellë në pyetje integritetin e profesionit.
Dukuritë e tilla negative më së shpeshti paraqiten në platformat e mediave onlajn, ku përmbajtjet janë me cilësi shumë të ulët, lajme të rreme, dezinformata, propaganda dhe senzacionalizëm. Në vitin 2017 mbi 80 për qind të ankesave të dërguara te Komisioni për Ankesa në KEMM janë të lidhura me mediat onlajn.