Ankesë nuk mund të parashtrohet për ndonjë gazetar të caktuar, por vetëm për të gjithë median, edhe atë për të gjitha televizionet, radiot, gazetat dhe mediat e internetit.
– Të përpiqemi të mbrojmë qytetarët dhe opinionin nga gazetarët dhe mediat joprofesionale, t’i ndihmojmë pronarët e mediave që t’i shmangen rrezikut nga gjobat marramendëse për shkak të stafit të tyre joprofesionist redaktues dhe gazetaresk dhe ta ndihmojmë vetveten duke dënuar publikisht ata që nuk kujdesen për etikën në gazetari. Unë e di se në kushtet e sotme në Maqedoni, një synim të tillë, dikush do ta quajë donkishotesk, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë përpjekje për të marrë një hap në drejtim të ndarjes së profesionistëve nga jo-profesionistët – tha gazetari Mirçe Adamçevski.
Komisioni për Ankesa është i përbërë nga shtatë anëtarë, dy prej të cilëve janë nga radhët e gazetarëve, dy nga pronarët e mediave dhe tre përfaqësues nga opinioni. Nga radhët e gazetarëve janë Mirçe Adamçevski dhe Bekim Ajdini, nga sektori civil janë Teofil Bllazhevski dhe Sefer Tahiri, nga pronarët Meri Jordanovska, dhe anëtarë të tjerë janë dhe gazetarët Filip Gjurçinovski dhe redaktorja e “Kanal 5”, Lidija Bogatinova. Në e-mail adresën info@semm.mk të gjithë qytetarët, gazetarët, organizatat, kompanitë dhe subjektet e tjera do të mund të dërgojnë ankesë për ndonjë produkt mediatik për të cilin konsiderojnë se është krijuar në kundërshtim me standardet gazetareske, se është joetik dhe joprofesional.
Komisioni pastaj do të shqyrtojë të gjitha ankesat e pranuara që kanë të bëjnë me shkeljen e standardeve profesionale dhe etike. Ankesat anonime nuk do të shqyrtohen. Më pas, këto ankesa do të filtrohen në zyrën ekzekutive, e cila do të vlerësojë nëse ajo është nën kompetenca të komisionit. Kjo zyrë do të mund të bëjë pajtimin e palëve të kontestit, si dhe të kërkojë që media të ushtrojë të drejtën e saj të përgjigjes ndaj parashtruesit të ankesës, gjegjësisht të shpjegojë motivet dhe argumentet se pse ka publikuar artikullin ose tekstin.
Shkelësi do të duhet të shpallë vendimin në vendin e përcaktuar nga Këshilli për Etikë. Publikimi është falas në të gjitha mediat anëtare të Këshillit. Komisioni për ankesa do të shqyrtojë dhe ankesat kundër mediave që nuk janë anëtare të Këshillit. Të gjitha vendimet dhe opinionet do të publikohen në ueb faqen e Këshillit.