Bazat e parashtrimit të ankesave janë të ndryshme. Kryesisht kanë të bëjnë me raportime të pasakta dhe jo të drejta, gjuhë urretjeje, diskriminim, mospërfshirje të palës së dytë, shkelje të privatësisë, si dhe përzierje të fakteve dhe mendimeve. Palët të cilat më së shpeshi ankohen janë qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, gazetarët dhe politikanët.
„Megjithatë, nevojitet më shumë kohë për t’u njoftuar me rregullat, çfarë nënkupton vetë-rregullimi, e çfarë nënkupton rregullimi. Këtë e ngatërrojnë edhe gazetarët edhe qytetarët, e në veçanti politikanët“, tha Dragan Antonovski, kryetar i KEMM-it.
Vetëm një pjesë e vogël e ankesave janë zgjidhur me anë të ndërmjetësimit, gjë që konfirmon se mediat ende rezistojnë të pranojnë gabimet në raportimin e tyre. “Në të njëjtën kohë, këtu bën pjesë edhe çështja e mospublikimit të vendimeve, problem i cili vazhdon të ekzistojë”, tha Marina Tuneva, drejtoreshë ekzektuive e KEMM-it. Ajo theksoi se nevojitet më shumë punë në mënyrë aktive për ndërgjegjësimin dhe ngritjen e vetëdijes mbi efektet e vetë-rregullimit. Për të arritur këtë qëllim, KEMM-i ka marrë mbështetjen e UNESCO-s dhe BE-së, në suaza të projektit për promovimin e lirisë së shprehjes dhe të informimit, si dhe për përforcimin e mekanizmave për vetë-rregullim mediatik, i cili do të zbatohet gjatë gjithë vitit.