Raportim etnik dhe politik për Covid 19!


Raportimi mediatik rreth Covid për pikë politike!

Sigurisht, se ashtu si virusi dëmton shëndetin, ashtu edhe devijimet e këtilla mediatike dëmtojnë thelbësisht gazetarinë, atë burimoren, të vërtetën, e cila bazohet në standarde profesionale dhe normat etike, të parashikuara në Kodin e Gazetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Publiku tanimë një kohë të gjatë po përballet me një tendencë për manipulim përmes gazetarisë, ndërsa manipuluesit shpesh i referohen lirisë së të shprehurit. Por, ajo nuk nënkupton të drejtën për qasje të papërgjegjshme dhe të paskrupullt gazetareske.

Disa nga gazetarët dhe mediat, në vend që të sillen në mënyrë kritike kur vërejnë se politikanët (nga pushteti ose opozita) po përpiqen të instrumentalizojnë situatën, vetë janë vendosur në funksion të narrativëve politik/partiak rreth virusit korona.

Këshilli Etik i Mediave (KEMM) reagoi ndaj rasteve të shpeshtuara të raportimit joetik dhe joprofesional, ndërsa veçanërisht ndaj përhapjes e spekulimeve te media të caktuara lidhur me pandeminë e virusit korona. Nga momenti i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme rreth Covid 19 deri në gusht, 70% e ankesave të parashtruara në Këshill, kishin të bënin me raportimin mediatik lidhur me virusin. Publiku reagoi edhe ndaj përpjekjeve për të politizuar krizën e virusit në media, ndërsa në disa prej rasteve të raportuara pranë KEMM është konstatuar se gazetarët nuk sigurojnë distancë profesionale nga subjektet politike, përkatësisht shkelet neni 14 i Kodit të Gazetarëve (37%). Mediat nuk duhet të shfrytëzohen për përçarjen e njerëzve përmes qërim-hesapeve të ndryshme politike, ndërsa virusi nuk guxon të bëhet ‘arma’ që do të përdoret për pikë politike nga cili do qoftë politikan, pa dallim nëse bëhet fjalë për pushtet apo opozitë.

Të tilla janë rastet: Kabineti i ish-ministrit të Punëve të Jashtme kundër mediave onlajn: Денешен.мкКурир. мк dhe Република.мк. Komisioni i Ankesave pranë KEMM konstatoi se këto portale në tekstet e botuara më 24 mars të vitit 2020, e kanë shkelur nenin 14.

Në portalet “Deneshen” dhe “Republika” konstatohet se “MPB dhe MM e Dimitrov dhe Shekerinskës për katër ditë në mes të krizës kanë harxhuar 2.5 milionë denarë për udhëtime jashtë vendit”, ndërsa në “Kurir” konfirmohet se “Ministria e Punëve të Jashtme e Dimitrovit ka shpenzuar 1.457.517 denarë për udhëtime zyrtare në periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme”.

Komisioni në tekstet e kontestueshme detektoi elemente me një prapavijë politike, të cilat bien ndesh me parimet e nenit 14 të Kodit të Gazetarëve. Kjo shkelje vihet re në fjalitë e mëposhtme “Sipas listës, institucionet kanë shpenzuar 50.053 euro në një periudhë, kur lideri i partisë në pushtet, Zoran Zaev, propozon shkurtime të pagave të administratës, për shkak të krizës, në të cilën gjendet vendi me virusin korona. Sërish në krye është Ministria, e udhëhequr nga Dimitrov – 1.100.058 denarë, e pastaj Mbrojtja e Shekerinskës me 361.183 denarë. Për këtë sonte në paraqitjen e tij në TVM foli edhe lideri i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski”.

Në Kod qartazi theksohet se raportimi nga proceset politike duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.

Narrative etnike (të pjesshme) rreth pandemisë globale!

Në disa prej mediave, papritur dhe çuditërisht, është vërejtur një qasje gazetareske në raportimin dhe interpretimin e situatës së krijuar nga Covid 19, në të cilën manifestohet një tendencë e qëllimshme dhe lehtë e dallueshme drejt etnocentrizmit të fshehur. Një diskurs i tillë mediatik çon drejt diskriminimit ndaj “Tjetrit” kolektiv në vend.

Në kronikën e një televizioni kombëtar komercial me titull “Çairi – vatër e re potenciale e Covid-19”, e transmetuar më 31 maj të vitit 2020, theksohet fakti se në këtë komunë ka lëvizje sikurse nuk ka pandemi nga virusi i rrezikshëm Covid 19. Televizioni nuk jep pamjen nga komunat e tjera të Shkupit, për t’u parë krahasimisht nëse respektohen masat dhe rekomandimet kundër Covid 19. “Në të dy anët e murit të ri mbrojtës, policë e vetura policie. Por risia e vetme është grafiti në mur që ndan rrugën kryesore në Çair. Pamja tjetër e përshkruar nga ditët e kaluara, qytetarë të grupuar, njerëz që nuk mbajnë maska. Megjithatë, kishte edhe të tillë që respektojnë masat, kështu që qëndronin dy metra larg, kanë dalë nga shtëpitë e tyre me maska ​​dhe me shalle në gojë dhe hundë”, raportonte televizioni. Ndërkaq një gazetë ditore kombëtare transmeton tekstin e një kronike të një televizioni kabllor kombëtar dygjuhësh me një titull të njëanshëm, tendencioz, ndërsa deri diku edhe stereotipizues me shkronja të mëdha “Ja pse në Çair ka më shumë të sëmurë, QYTETARËT NUK BESOJNË SE KA KORONA”. Në tekstin e botuar raportohet se “Ekipi televiziv i ka pyetur qytetarët e Komunës së Çairit dhe ishte për t’u habitur fakti se disa prej tyre nuk besojnë se virusi korona ekziston, ndërsa të tjerë besojnë në të dhe u apelojnë të tjerëve t’i respektojnë masat dhe të kenë kujdes”.

Derisa në këtë mënyrë raportonin disa prej mediave në gjuhën maqedonase për praninë e virusit në Komunën e Shkupit – Çair, në të cilën shumica e qytetarëve janë shqiptarë, katër muaj më vonë, mediat në gjuhën shqipe e kthejnë “goditjen”! Në një periudhë kur dy komuna të Shkupit, në të cilat shumica dominuese janë maqedonas, në mediat në gjuhën shqipe dominon narrativi që thekson faktin se këto komuna kanë numrin më të madh të të infektuarve nga Covid 19.

Një televizion kombëtar komercial, më 6 tetor të vitit 2020, raporton përmes kronikës me titull “Komuna e Aerodromit “vatër” e virusit korona”, ndërsa të nesërmen, më 7 tetor, raporton me titullin “Qendra dhe Aerodromi me më shumë raste aktive me Covid 19 në Shkup”.

Në kontributin me titull “Komuna e Aerodromit “vatër” e virusit korona” gazetari, përmes standup-it, pothuajse në mënyrë të ngjashme në kuptimin narrativ raporton, siç raportonte televizioni kombëtar në gjuhën maqedonase për Çairin. “Me ditë të tëra, Komuna e Aerodromit është vatra kryesore e përhapjes së Covid 19 dhe komunë që ka raste të reja çdo ditë. Megjithatë, qytetarët lëvizin lirshëm dhe ka shumë nga ata që nuk i respektojnë masat mbrojtëse, siç është mbajtja e maskës. Gjithashtu vërehet se në mënyrë normale funksionojnë edhe lokalet”.  kontributin e dytë numërohen komunat në Shkup, ndërsa Çairi nuk përmendet fare. Në disa nga portalet në gjuhën maqedonase nuk harrohet të theksohet se Çairi kishte numrin më të madh të të sëmurëve, që është fakt, por kur theksohet veçmas nga komunat e tjera krijohet përshtypja e stereotipizimit (jo) të qëllimshëm (etnik). “Të gjitha komunat e tjera kanë dukshëm më pak raste aktive, ndërsa Çairi që ishte komuna me më shumë raste, tani ka 55”, raportonte një portal në gjuhën maqedonase.

Por, për dallim nga këta shembuj, Vesna Nikodinoska, udhëheqëse e projekteve në Institutin Maqedonas të Mediave, në debatin me temë: “Gjuha e urrejtjes dhe praktikat diskriminuese në raportimin mediatik – deri ku jemi?”, theksoi disa shembuj rreth raportimit për romët, të cilët, sipas të dhënave që i paraqiti, konsiderohen si një grup veçanërisht i rrezikuar, gjë që u dëshmua edhe gjatë pandemisë, edhe atë në të gjitha vendet në Evropë ku ata jetojnë.

Nikodinoska konsideron se stereotipizimi dhe stigmatizimi edhe në kushte normale është i pranishëm ndaj tyre. “Se roli i mediave është thelbësor për t’u dëgjuar problemet e atyre që janë të pazëshëm treguan disa nga redaksitë që ndanë hapësirë ​​për artikuj cilësorë, përmes të cilave publiku mund të zbulonte, për shembull, se:

  • vetëm 14% e grave rome të përfshira me anketën ishin në dijeni të informacioneve, ku të drejtoheshin nëse kishin simptoma dhe cila është procedura për shërimin e mëtejshëm
  • në maj të vitit 2020 nuk kishte asnjë pikë testimi për Covid-19 në Shuto Orizare
  • ose, për shembull, nga 200 pasagjerë, vetëm 10 muzikantë romë u dërguan në karantinë në kazermën Pepelishte në Krivollak, në fillim të pandemisë në mars të vitit 2020”tha Nikodinovska në prezantimin e saj në debat.

Megjithatë, sipas saj, shumë pyetje mbetën edhe të panjohura: Sa fëmijë romë patën mundësi të ndjekin mësimin onlajn? Sa prej tyre kanë kompjuter në shtëpi? Sa familje rome kanë qasje deri te uji i pijshëm dhe i pastër ose për mirëmbajtjen e higjienës, veçanërisht në kushte krize? Apo si romët fitojnë për jetesë gjatë karantinës?

Mënyra e raportimit të disa mediave, siç përmendëm përmes shembujve, dëshmon se, për fat të keq, edhe kur përballemi me një kërcënim global shëndetësor, që nuk zgjedh njerëz, sipas asnjë baze, mediat në vend po ndahen sipas vijës etnike, por edhe politike sikurse edhe për shumë ngjarje dhe dukuri të tjera.

Si përfundim, mund të themi se në raportimin mediatik për dhe rreth Covid 19, në vend që të mbizotërojnë vlerat humane dhe solidariteti, vërehet stereotipizimi negativ, që çon drejt stigmatizimit dhe etnocentrizmit, përkatësisht drejt diskriminimit etnik.

Scroll to Top