Punëtorinë e drejtoi ekspertja Dajan Kemp nga Birmingam Siti, universiteti në Britaninë e Madhe, e cila është profesoreshë për tema që kanë të bëjnë me raportimin etik për çështje të ndjeshme dhe diversitet. Kemp ka qenë një gazetare dhe një redaktore në shërbimin publik britanik Bi-Bi-Si.
Ideja e punëtorisë ishte që përmes një debati interaktiv dhe përmes punës praktike, të bëhet një analizë krahasuese e etikës në mediat e Maqedonisë përballë praktikës në Mbretërinë e Bashkuar. U përmendën shumë shembuj nga Britania e Madhe, të cilat ndër të tjera kishin të bëjnë dhe me kapërcimin e problemit me mungesën e etikës në raportim, nëpërmjet përdorimit të mekanizmave vetë-rregullues. U diskutua edhe mbi mënyrat se si mund të aplikohet ajo praktikë edhe në vendin tonë, duke marrë parasysh specifikat e kontekstit lokal.
Çfarë do të thotë të jesh një gazetar profesionist, të kuptuarit tonë i “komentit”, në krahasim me “faktin”, çështjet e diversitetit që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes dhe njollosjes së grupeve minoritare, janë një pjesë e temave në kuadër të rendit të ditës për këtë eveniment.
Profesor Kemp tha: “Bashkëpunimi midis kolegëve dhe mbështetja e gazetarëve nga redaksitë tjera është shumë i rëndësishëm, sidomos në formën e këshillimit të ndërsjellë, duke ndjekur tendencat e fundit.” Për më tepër, ajo vuri në dukje se “ndërtimi i kapaciteteve të të dy organizatave, përkatësisht Këshillit të nderit si dhe Komisionit për ankesa dhe ndërtimit të rrjeteve me gazetarët, pronarët e mediave, dhe organizatat tjera të shoqërisë civile janë të rëndësishme për të promovuar procesin e vetërregullimit, si një mekanizëm i cili do ta ngritë ndërgjegjësimin dhe etikën në raportim.”
Kjo punëtori është pjesë e aktiviteteve për ndërtimin e kapaciteteve të SHGM-së dhe organizatave partnere me të cilat bashkëpunon, e paraparë në Planin Strategjik trevjeçar të SHGM-së. Ky proces u mbështet financiarisht nga Ambasada Amerikane në Shkup.