Është e justifikuar revolta tek prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe tek vet personat që kanë këto probleme. Në këtë gjendje pandemie të Covid-19, shteti, gjegjësisht Qeveria, po bën përpjekje t’iu ndihmojë atyre personave që janë më të rrezikuar që të mund t’i tejkalojnë këto kohëra të vështira. Dhe kjo është në rregull dhe është mirë, ky, në fakt, është edhe funksioni i shtetit, gjegjësisht i Qeverisë, të kujdeset për qytetarët e saj, veçanërisht ata që janë në gjendje më të vështirë materiale dhe sociale, por ky kujdes duhet të jetë për të gjithë këto kategori të qytetarëve. Për fat të keq, doli se nuk është kështu. Si dhe pse nga masat për ndihmë nga kriza me Covid-19 u lan jashtë personat me nevoja të veçanta, tani për tani askush nuk tregon. Kështu edhe këtë herë, të margjinalizuarit mbetën të margjinalizuar edhe më tej.
Në procesin e plotë të margjinalizimit të personave me nevoja të veçanta pjesë kanë edhe mediat, të cilat në garën për lajmet më të reja për numrin e të sëmurëve, për numrin e të vdekurve, për përleshjet e përditshme politike midis partive politike, gjetën shumë pak kohë dhe hapësirë për të informuar se edhe kjo kategori personash ka nevojat dhe kërkesat e veta. Megjithëse ato ndonjëherë do të shfaqeshin në mediat, më së shpeshti do të ishte një gjë e tillë nëse dhurohej ndonjë donacion, që ndërkaq vlen për një numër shumë të vogël të personave me nevoja të veçanta dhe në një vend të caktuar. Kjo është mënyra në të cilën, gjatë pandemisë së koronës, u informua dhe informohet për personat me aftësi të kufizuara, por edhe për grupet e tjera të margjinalizuara.
“Personat me aftësi të kufizuara, përveç grave dhe romëve, janë një grup tjetër i margjinalizuar i njerëzve që gjatë pandemisë u përballë me shumë sfida. Në sipërfaqe dolën të gjitha mangësitë e sistemit arsimor. Në test në veçanti ishte arsimimi në kuptimin e asaj se çfarë kushtesh mund t’u sigurohen fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, të fëmijëve me aftësi të kufizuara në drejtim të së drejtës për të përdorur asistentë arsimorë, qasja në internet, pajisjet kompjuterike, mungesës së materialeve të përshtatshme mësimore, kufizimit të lëvizjes së personave me aftësi të kufizuara. Këto çështje, historitë personale, sfidat, si jetojnë, si arrijnë deri te arsimimi, kushtet shëndetësore dhe të tjera në kohë pandemie, nuk arritën të depërtojnë më lart në agjendën e mediave. Disa media, në mesin e të cilave edhe servisi publik, ndanë hapësirë për këta bashkëqytetarë për të cilët pandemia krijoi edhe pengesa të reja në betejën me sistemin. Është përshtypja e vetë gazetarëve se për personat me aftësi të kufizuara është raportuar pak dhe në mënyrë sporadike. Grupet e margjinalizuara edhe më tej mbetën mediatikisht të margjinalizuara, sikurse edhe para krizës. Përfundimet në lidhje me atë se si është raportimi mediatik për personat e margjinalizuar, nuk janë më të ndryshme nga ato që i kemi konstatuar edhe më parë, por gjatë krizës problemet u theksuan edhe më shumë, ndërsa persona e margjinalizuar humbën në figurën e madhe të përmbytur me lajme të frikshme”, do të thotë Vesna Nikodinoska nga Instituti Maqedonas i Mediave, duke përmbledhur rezultatet e marra në periudhën e kaluar, ndërsa që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes dhe përfaqësimin e grupeve të margjinalizuara në shoqërinë tonë.
Sektori joqeveritar që përfaqëson të drejtat e personave me nevoja të veçanta apelon për një bashkëpunim më të madh me mediat, sepse nevoja për një bashkëpunim të tillë është e ndërsjellë.
“Dëshiroj të bëj thirrje për bashkëpunim midis të gjithë aktorëve, përfshirë edhe organizatat që përfaqësojnë të drejtat e grupeve të margjinalizuara. Është e pashmangshme të bashkëpunohet, sepse ne kemi nevojë për mediat, por edhe mediave u nevojiten organizatat qytetare, respektivisht vetë personat me aftësi të kufizuara që t’u tregojnë se si në mënyrë adekuate duhet të raportohet për të drejtat e tyre. Një nga problemet kryesisht më të mëdha në mënyrën e raportimit për personat me aftësi të kufizuara në media, është qasja që kanë punonjësit e medias, duke filluar nga terminologjia që ata përdorin për të identifikuar këta njerëz, ose për të përshkruar disa nga karakteristikat ose të drejtat e tyre, e madje deri te ajo qasje e përgjithshme e mëshirës ose qasje mjekësore, siç e quajmë ne, me ç’rast të këta persona trajtohen si objekte, e jo si subjekte me të drejta të tyre njerëzore. Këtu shohim mundësinë për përparim dhe për këtë arsye vazhdojmë edhe më tej t’i afirmojmë të drejtat e tyre dhe rrjedhimisht u ndërmorën aktivitete me Institutin Maqedonas të Mediave, ndërsa aktivitete të tilla do të ndërmerren edhe në periudhën që vijon. Konsiderojmë se perceptimi ndaj personave me aftësi të kufizuar mund të përmirësohet vetëm në atë mënyrë, vetëm me prani adekuate dhe përfaqësim adekuat në mënyra që nuk degradojnë, por në mënyra që i pozicionojnë personat me aftësi të kufizuara si bartës të të drejtave”, tha Vllado Krstevski nga Këshilli Kombëtar i Organizatave të Invalidëve të Maqedonisë.
Edhe pse personat me nevoja të veçanta nuk janë shumë në mediat tradicionale, përfaqësimi i tyre në rrjetet sociale nga dita në ditë është gjithnjë e më i madh. Aty u paraqitën më shumë grupe sociale që u japin mbështetje personave me nevoja të veçanta dhe prindërve të tyre, përmes njoftimeve, shkëmbimit të përvojave, ideve, këshillave dhe ato zakonisht i drejtojnë prindër të personave me aftësi të kufizuara dhe entuziastë të cilët duan të ndihmojnë.
Këto grupe kanë filluar seriozisht të plotësojnë boshllëkun në informimin për problemet e personave me nevoja të veçanta, të cilin media tradicionale nuk munden, për arsye objektive, por edhe subjektive, ta plotësojnë çdo ditë. Por, përkundër përfitimeve pozitive nga grupet e tilla sociale për mbështetjen e personave me nevoja të veçanta edhe në këtë fushë, dita-ditës, është gjithnjë e më i pranueshëm fenomeni që është bërë përditshmëria jonë, e kjo është gjuha e urrejtjes.
Gjithnjë e më shumë në komentet e ndonjë postimi nga këto grupi për mbështetje, mund të lexohen përgjigje të pahijshme, kundërshtime, sulme të paargumentuara, fyerje dhe nënçmime dhe jo-rrallëherë ka edhe përzierje të politikës aktuale. Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse një gjuhë e tillë urrejtjeje ende nuk sanksionohet dhe për këtë arsye po përdoret, respektivisht po keqpërdoret. Këtë e përmend edhe gazetari Mirçe Adamçevski, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Ankesa pranë Këshillit të Etikës në Mediat.
“Edhe pse statistika flet se po zvogëlohet gjuha e urrejtjes, unë personalisht mendoj se nuk është kështu, por se bëhet fjalë për zhvendosje të gjuhës së urrejtjes nga media tradicionale në rrjetet sociale ose, më saktë, në komentet në rrjetet sociale ku tani mediat postojnë përmbajtjet e tyre. Kështu, tregimi i gjuhës së urrejtjes nuk ka fund. Gjuha e urrejtjes dëshiron si alibi të përdorë të drejtën për lirinë e fjalës, por liria e fjalës nuk do të thotë edhe liri për gjuhë të urrejtjes”, thotë Mirçe Adamçevski.
Në të gjitha këto sfida nga pandemia, pasigurisë shoqërore dhe varfërisë, të “pasuruar” me gjuhë të urrejtjes, personat me nevoja të veçanta e jetojnë jetën e tyre të margjinalizuar siç dinë dhe munden. Nëse një ditë do të dalin nga ajo situatë afatgjatë dhe do të marrin vendin e merituar në shoqëri, shumë varet nga ata vet, nga këmbëngulja dhe kokëfortësia e tyre, por varet edhe nga të gjithë aktorët e tjerë në shoqëri, posaçërisht nga mediat, të cilat pa dyshim, duhet të punojnë më shumë dhe të ndihmojnë në realizimin e këtij qëllimi.