Konferencë ndërkombëtare mbi etikën gazetareske dhe vlerat mediatike në rrethana specifike dhe gjatë zgjedhjeve

Në këtë eveniment morën pjesë përfaqësues të mediave elektronike, të shtypura dhe online, organizata qytetare të sferës mediatike, organe rregullatore, institucione shtetërore dhe organizata ndërkombëtare.

Në fjalimin e tij, kryetari i Komisionit për ankesa pranë Këshillit për etikë në media, Mirçe Adamçevski, u përqëndrua në vetërregullimin mediatik dhe perspektivat e tij në të ardhmen, përmes prizmit të punës së deritanishme të Këshillit. “Nga më shumë se 50 ankesa deri më tani, pothuajse një e treta i dedikohet cenimit të të drejtave të njeriut, gjuhës së urrejtjes, nxitjes së dhunës dhe diskriminimit në baza të ndryshme. Ka ankesa për publikimin e informacioneve të paverifikuara, pa u konsultuar me dy apo më shumë burime, për mosrespektimin e privacisë, përzihen faktet dhe mendimet, lajmi dhe komenti”, – theksoi Adamçevski.

Sefer Tahiri, anëtar i Komisionit për ankesa, adresoi shkeljet më karakteristike të standardeve profesionale në media, dhe raportimin jo të balansuar gazetaresk. “Në shumë media, aspak nuk merret parasysh fakti që gazetarët duhet të insistojnë që në punën e tyre të mbajnë një ekuilibër midis konkurrencës së ndershme dhe solidaritetit profesional. Respektivisht, as gazetarët dhe as redaktorët nuk do të duhej të lejonin qërim hesapesh me kolegët e tyre përmes mediave të tyre”, – tha Tahiri.

Enes Osmançeviq, përfaqësuesi i Këshillit të shtypit dhe mediave të Internetit në Bosnjë dhe Hercegovinë, në fjalimin e tij theksoi sfidat kryesore në mbrojtje të gazetarisë profesionale dhe etike në Internet dhe të rolit të mekanizmave vetërregullues. Ai beson se gjuha e urrejtjes është problemi më i madh në mediat online në BeH, por dhe në rajon. Sipas tij, ndryshe nga vitet ’90, kur nxitësit e gjuhës së urrejtjes ishin politikanët dhe personalitetet fetare, sot, ata janë shfrytëzuesit e Internetit, e në mesin e tyre shpesh mund të shihen artistë të njohur të estradës, atletë, aktorë, etj.

Në vazhdim të konferencës u diskutuan përvojat e deritanishme dhe konkluzionet nga monitorimi i raportimit mediatik gjatë zgjedhjeve, si dhe ndikimi i proklamuesve mbi përmbajtjet në media gjatë procesit zgjedhor. Në këtë pjesë, Martin Hakerbi, një gazetar me përvojë shumëvjeçare dhe redaktor në mediat kryesore britanike theksoi detyrat kryesore të mediave gjatë zgjedhjeve. “Nëse zgjedhjet u takojnë qytetarëve, atëherë mediat duhet të bëjnë përpjekje shtesë në drejtim të përfaqësimit të interesave të votuesve. Këtë mund ta arrijnë në më shumë mënyra, përmes sondazheve, emisioneve debatuese, ose përmes formave të ndryshme në Internet, për të afirmuar nevojat dhe mendimet e qytetarëve”, – theksoi Hakerbi.

Konferenca „Etika gazetareske dhe vlerat mediatike në rrethana specifike dhe gjatë zgjedhjeve” është aktiviteti i fundit i projektit rajonal „Llogaridhënia e mediave në Evropën Juglindore“, i cili zbatohet nga UNESCO dhe nga Instituti Maqedonas për Media si partner rajonal, me përkrahje financiare nga Unioni Evropian.

(Teksti është marrë nga www.mim.org.mk)

Scroll to Top