Nëse pranojmë se gjuha e urrejtjes duhet të kuptohet si një term që përfshin të gjitha format e shprehjes me të cilat përhapet, nxitet, promovohet ose justifikojnë urrejtja racore, ksenofobia, antisemitizmi ose forma të tjera të urrejtjes, bazuar në intolerancën, përfshirë edhe intolerancën e shprehur në formë të nacionalizmit dhe etnocentrizmit agresiv, diskriminimit dhe armiqësisë ndaj pakicave të cilitdo qoftë lloj(etnik, gjinor, social), migrantëve dhe njerëzve me origjinë emigrante (i tillë është rekomandimi i Këshillit të Evropës), duhet të ekzistojë një konsensus se kjo paraqet një anomali e thellë në shoqëri. Sidomos për të atillën siç është ajo maqedonase, e cilat i përket kategorisë – demokraci në tranzicion.
Në shoqëritë e tilla, diskriminim mund të hasni, praktikisht, në çdo hap, e jo-rrallëherë ai shumë lehtë transformohet në gjuhë urrejtjeje – përmes stereotipizimit, theksimit të panevojshëm të përkatësisë së caktuar të aktorëve të ndonjë ngjarje, kontekstualizimit negativ, përqendrimit të tepërt në disa fenomene margjinale, e kështu me radhë. Veçanërisht është e pranishme në Internet, në radhë të parë në rrjetet sociale, ku aktorët nuk përmbahen t’i përdorin në kombinim me pasionet më të ulëta, të frymëzuar nga dëshira që i kundërti të stigmatizohet me çdo kusht.
Haset edhe në media, megjithëse shumë më rrallë në vitet e fundit. Nëse vitin e kaluar Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë pranoi katër ankesa të përcjella nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, ndërsa në dy prej tyre ka gjetur elemente të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit – për shumicën kjo do të thotë se forma e paraqitur e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit po qetësohet në mediat. Gëzon fakti se edhe tek radio-difuzerët është e pranishme gjithnjë më rrallë, krahasuar me më herët, kur publiku ishte dëshmitar i një arsenali të vërtetë shpërthimesh jo-shembullore të personave që propagandonin gjithçka që është në kundërshtim me sinergjinë për të gjitha themelet shoqërore. Sidomos pas ndryshimeve ligjore të vitit 2018, me të cilat ASHMV mori një mekanizëm për veprim kundërvajtës dhe sanksionimin e kryerësve, megjithëse ka ende dilema nëse shuma e parashikuar (maksimumi pesë mijë euro) është e mjaftueshme për frenimin e dukurive e tilla. Ky mekanizëm në dy vitet e mëparshme ende nuk është përdorur. Por kjo nuk do të thotë që alarmi duhet të fiket.
Para se gjithash, duhet dhe nevojitet të vendoset një sistem adekuat i sanksioneve nga shteti, si dhe për ndihmë juridike falas dhe rritjes së ndërgjegjes publike. Ajo që pritet nga organet e ndjekjes, në rend të parë, Prokuroria Publike, por edhe Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi, është të reagojnë shpejt, plotësisht dhe me efikasitet ndaj fenomeneve të tilla dhe ato t’i presin në rrënjë. Edhe pse, duhet thënë se praktika e deritanishme tregoi se këto dy institucione nuk kanë treguar efikasitet të lakmueshëm në eliminimin e këtyre anomalive shoqërore. Prandaj, rekomandimi edhe nga raportet relevante ndërkombëtare është që të ekzistojë një ndërlidhje e ndërsjellë me të cilën Prokuroria Publike dhe institucionet e tjera kompetente do të informojnë ASHMV-në, se deri ku është veprimi lidhur me kërkesat që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit.
Efekti do të jetë edhe më i mirë nëse edhe Këshilli për Etikë për secilën përmbajtje mediatike që ka elemente të gjuhës së urrejtjes, bazuar në vendimet e sjella të Komisionit për Ankesa, parashtron kërkesë për procedim penal në PP dhe, në të njëjtën kohë, informon Avokatin e Popullit për të marrë masa për mbrojtjen e personave ose grupeve të diskriminuara. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të thuhet se sistemi me kohë dhe në mënyrë efikase ka reaguar ndaj çdo dukurie të gjuhës së urrejtjes.
Fusha e dytë ku mund të arrihet një bashkëpunim i frytshëm midis KEMM, ASHMV dhe Avokatit të Popullit, gjithsesi, është mbrojtja e të miturve nga programe që mund të dëmtojnë zhvillimin e tyre fizik, psikik ose moral, siç është ndalimi i transmetimit të pornografisë dhe dhunës së tepruar në ekrane. Rregullatori ka zbatuar një kategorizim të programeve – cilat përmbajtje në cilën periudhë të ditës mund të transmetohen, si dhe turbullimin e detyrueshëm të fytyrave të personave nën 18 vjeç në artikujt gazetareskë dhe përmbajtjet tjera që përpunojnë tema në lidhje me të miturit.
Ekziston tashmë një bashkëpunim lidhur me edukimin mediatik, veçanërisht përmes Rrjetit për Edukim Mediatik, ku KEMM dhe ASHMV janë anëtare, ndërsa Ombudsmani është vëzhgues. Por, duhet përmirësuar në fushën e inkluzionit sociale – më saktësisht në përshtatjen e programeve për njerëzit me aftësi të kufizuara shqisore. Deri më tani, shumë pak nga radio-difuzerët e bëjnë të mundur këtë. Ekziston një përpjekje përmes vetë-rregullimit të tyre kjo përqindje të rritet në disa vitet e ardhshme. Por, është e nevojshme që Avokati i Popullit, përmes modaliteteve të ndryshme (njoftime, vërejtjeve, fushatave mediatike), ta theksojë rëndësinë e inkluzionit social të personave të tillë në shoqëri.
ASHMV dhe KEMM bashkëpunojnë edhe në realizimin e parimeve themelore të programeve te radio-difuzerët, veçanërisht ato për:
- Kultivimin dhe zhvillimin e vlerave njerëzore dhe morale të njeriut dhe mbrojtjen e privatësisë dhe dinjitetit të personit
- Barazi të lirive dhe të drejtave pavarësisht nga gjinia, raca, origjina kombëtare, etnike dhe shoqërore, bindjet politike dhe fetare, statusit pronësor dhe shoqëror të njeriut dhe qytetarit
- nxitjen e një fryme të tolerancës, respektit dhe mirëkuptimi reciprok midis individëve me prejardhje të ndryshme etnike dhe kulturore
- mbrojtje të identitetit të viktimave të dhunës
- respektim të prezumimit të pafajësisë
- nxitje të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ndjenjën e opinionit për drejtësi dhe për mbrojtjen e lirive demokratike.
Me ndryshimet ligjore të vitit 2018, Këshilli vendosi praktikën që të gjitha raportet të mbikëqyrjes në lidhje me këto parime, si dhe masat e shqiptuara të dërgohen në KEMM, për t’u shqyrtuar nga Komisioni për Ankesa në aspektin e respektimit të Kodeksit të Gazetarëve të Maqedonisë, ndërsa të ndërlidhura me këto parime, si dhe me respektimin e standardeve profesionale gazetareske në punën e mediave. Bashkëpunimi mund të përmirësohet në kuptimin e asaj që të gjitha përmbajtjet problematike të regjistruara ose zyrtarisht ose pas vërejtjes, ASHMV në vend që t’i analizojë, menjëherë t’ia përcjellë Komisionit për Ankesa në KEMM. Me përjashtim të parimit të fundit (respektimi i standardeve profesionale), që është lëndë e vëzhgimit të brendshëm të profesionit gazetaresk, për të gjitha parimet e tjera ka vend për përfshirje të Avokatit të Popullit, sepse i përkasin sferës së tij të veprimit në shoqërinë maqedonase.
Në fakt, deri te poentat e tilla u arrit në debatin “onlajn” të titulluar si “Lidhja midis organit vetë-rregullues, rregullatorit të mediave radio-difuzive dhe Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe reagimit ndaj gjuhës së urrejtjes në mediat”. Debati hapi më shumë çështje, më shumë tema me interes të përbashkët dhe konkluzione me të cilat u bë thirrje për veprim të koordinuar për rritjen e ndërgjegjes publike, edukimit dhe sensibilizimit edhe të gazetarëve dhe të sektorit jo-qeveritar dhe individëve dhe grupeve të tjerë me ndikim në jetën publike, përmes debateve dhe trajnimeve më të shpeshta, që pa mëdyshje, do të rrisin kapacitetin për njohjen dhe dënimin e tyre. Por mbi të gjitha, të institucioneve shtetërore. Sepse pa përfshirjen e tyre të plotë, efektive dhe të përkushtuar në çrrënjosjen e fenomeneve të tilla shoqërore devijuese, të gjitha thirrjet dhe apelet e tjera do të mbeten vetëm të tilla.