Karta për raportim etik gjatë zgjedhjeve

Ne, gazetarët, redaktorët, dhe drejtuesit e mediave, duke respektuar të drejtën e publikut për të qenë i informuar në mënyrë objektive, të drejtë dhe me kohë, me përgjegjësi dhe vetëdije të plotë për rolin e mediave lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend, pranojmë këtë Kartë dhe pajtohemi që gjatë punës së mediave tona, të respektohen këto parime:

Parimi i vërtetësisë dhe objektivitetit
– Që nënkupton kërkimin e të vërtetës dhe raportimin korrekt, përmes transmetimit të fakteve në mënyrë të qartë. Në rast të publikimit të informacioneve të pasakta, media do të bëjë ç’mos që t’i korrigjojë informacionet e tilla.

Parimi i ekuilibrimit
– Që nënkupton paraqitjen e qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme në kontekstin e vërtetë dhe duke mos anuar nga cilido kandidat, parti a koalicion.

Parimi i dallueshmërisë së qartë midis informacioneve dhe komenteve
– Që nënkupton se informacionet do të formësohen në atë mënyrë që publiku do ta ketë të qartë dallimin midis fakteve, vlerësimeve e opinioneve.

Parimet e ndershmërisë dhe neutralitetit
– Që nënkupton se media do të përdorë qasje të ndershme në marrjen e informacioneve dhe në paraqitjen e tyre, duke shmangur paraqitje sensacionale të temave dhe ngjarjeve, si dhe të supozimeve të cilat do të mund ta mashtronin publikun.

Parimi i solidaritetit profesional 
– Gjatë punës së saj, media do ta nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e qëndrimeve, dhe nuk do të veprojë në atë mënyrë që do të nënkuptonte qërim hesapesh me mediat dhe kolegët tjerë.

Parimi i pavarësisë redaktuese dhe integritetit profesional
– Media detyrohet të raportojë në mënyrë të pavarur prej çfarëdo pikëpamjeve personale, interesave të jashtme dhe ndikimeve që do të mund ta rrënonin pavarësisë redaktuese dhe integritetin profesional.

Parimi i respektit dhe tolerancës
– Që nënkupton respektimin e dinjitetit, reputacionit, të drejtave dhe integritetit personal të individëve gjatë informimit të publikut. Në raportimin e saj, media nuk do të përdorë stereotipe, paragjykime dhe nënçmime në asnjë mënyrë dhe nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes.

Parimi i lirisë dhe përgjegjësisë
– Që nënkupton se liria ju imponon përgjegjësi mediave për formën dhe përmbajtjen e porosive që ua drejtojnë publikut, dhe për pasojat që rrjedhin prej tyre mbi mjedisin më të gjërë shoqëror.

Nënshkruesit e kësaj Karte pajtohen se do t’u përmbahen parimeve të saj, dhe do të angazhohen në mënyrë aktive për afirmimin e etikës dhe profesionalizmit gjatë raportimit.

Scroll to Top