Karta për raportim etik gjatë fushatës zgjedhore 2021

Parimi i vërtetësisë dhe objektivitetit

– Që nënkupton kërkimin e të vërtetës dhe informimit të drejtë, duke informuar mbi faktet në mënyrë të drejtë dhe të qartë. Në rast të publikimit të informatave të gabuara, mediumi do të bëjë gjithçka për të korrigjuar ato informata.

Parimi i paanshmërisë

– Që nënkupton paraqitje të qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme në kontekst të drejtë dhe pa marrë anën e asnjë kandidati, partie apo koalicioni.

Parimi i dallimit të drejtë mes informacionit dhe komenteve

– Që nënkupton që informacioni formësohet në mënyrë që opinioni ta ketë të qartë dallimin mes fakteve dhe pikëpamjeve e opinioneve.

Parimet e ndershmërisë dhe pavarësisë

– Që nënkupton që mediumi përdor qasje të ndershme për të marrë informacionet si dhe gjatë prezantimit të tyre, duke evituar lajmet senzacionale mbi temat dhe ngjarjet, si dhe supozimet e gabuara që mund të shkaktojnë keqinformim të opinionit.

Parime i solidaritetit profesional

– Gjatë punës që bën, mediumi nxit solidaritet të ndërsjellë dhe shumëllojshmëri qëndrimesh dhe nuk vepron në mënyrë që shkakton përplasje me mediumet e tjera dhe kolegët.

Parimi i pavarësisë redaktuese dhe integritetit profesional

– Mediumi merr përsipër të informojë në mënyrë të pavarur nga çdo qëndrim personal, interesa të jashtme dhe ndikime që mund të rrezikojnë pavarësinë redaktuese dhe integritetin profesional.

Parimi i respektit dhe tolerancës

– Që nënkupton respekt ndaj dinjitetit, të drejtave dhe integritetit personal të individëve gjatë informimit të opinionit. Mediumi gjatë dhënies së informacionit nuk bazohet në stereotipe, paragjykime dhe diskriminim në asnjë bazë dhe nuk përdor gjuhë urrejtjeje e as gjuhë që nxit urrejtje.

Parimi i mundësive të barabarta për gratë dhe burrat

– Që nënkupton që mediumet sigurojnë mundësi të barabarta për qasje ndaj shërbimeve mediatike për çdo kandidat. Mediumet më tutje do të udhëhiqen nga ky parim edhe gjatë mbulimit të aktiviteteve zgjedhore të kandidatëve.

Parimi i lirisë dhe përgjegjësisë

– Që nënkupton që liria i obligon mediumet të mbajnë përgjegjësi për formën dhe përmbajtjen e porosive që i japin opinionit dhe për pasojat që mund të shfaqen tek shoqëria e gjerë.

Nënshkruesit e kësaj Karte janë dakord për të respektuar parimet e saj dhe për tu angazhuar në mënyrë aktive për afirmim të etikës dhe profesionalizmit në raportim.

Scroll to Top