Deklarata rajonale e miratuar nga Këshillat për etikë në mediat në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë përmban parimet e mëposhtme për përdorimin etik dhe transparent të inteligjencës artificiale në media:
Preambulë
Ne, përfaqësuesit e këshillave për etikë në mediat në Evropën Juglindore dhe Turqi, të mbledhur në Ohër, Maqedonia e Veriut, në Takimin Rajonal për etikën mediatike dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale në redaksi,
Duke kujtuar rolin e gazetarisë në krijimin dhe përhapjen e informacionit me interes publik, veçanërisht në kohë krize dhe gjatë periudhave zgjedhore, dhe duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme që ky rol të mbetet i lirë nga kontrolli dhe ndikimi për qëllime shtrembërimi,
Duke theksuar rolin kyç të vetërregullimit mediatik për mbrojtjen e interesit publik dhe promovimin e raportimit të përgjegjshëm në epokën digjitale, përmes zbatimit të standardeve etike gazetareske, minimizimit të ndërhyrjes shtetërore në lidhje me liritë mediatike dhe uljes së proceseve gjyqësore kundër mediave,
Duke kujtuar kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë së gazetarëve në rajon dhe të shqetësuar për rritjen e presioneve politike ndaj pavarësisë mediatike, siç janë keqpërdorimi i burimeve shtetërore, përfshirë reklamimin, përpjekjet e aktorëve politikë për të kontrolluar mediat, marrja e kredencialeve gazetareske, sulmet e ashpra me qëllim stigmatizimin dhe diskreditimin e mediave, si dhe keqpërdorimi i proceseve gjyqësore kundër gazetarëve,
Të vetëdijshëm për ndikimin gjithnjë e më të madh të inteligjencës artificiale (IA) në gazetari, media dhe diskursin publik,
Duke e pranuar potencialin e saj transformues, por edhe rreziqet që ajo sjell për standardet etike, profesionalizmin dhe besimin e publikut,
Duke kujtuar përpjekjet e Këshillave për etikë në mediat për përditësimin e kodeve etike me qëllim përfshirjen e përdorimit të IA-së në redaksi,
Duke theksuar nevojën urgjente që gazetarët, profesionistët e mediave dhe qytetarët të fitojnë aftësi për punë me IA, në mënyrë që të orientohen më mirë në peizazhin informativ dhe të pajisen për të dalluar burimet e besueshme nga ato të pabesueshme, duke mbështetur njëkohësisht gazetarinë profesionale,
Duke kujtuar deklaratën për integrimin e IA-së në redaksi në Evropën Juglindore dhe Turqi, të miratuar në Konferencën Rajonale “Historia e besimit: Rrugë drejt gazetarisë cilësore në Evropën Juglindore dhe Turqi në epokën digjitale”,
Të vetëdijshëm për krizën e qëndrueshmërisë së mediave dhe për nevojën për burime financimi që mbështesin gazetarinë me interes publik dhe mediat në kohën e IA-së, përfshirë shpërndarjen e drejtë të të ardhurave të gjeneruara nga përmbajtja e besueshme e modeleve të IA-së.
Parimet e Deklaratës
IA si mbështetje, jo zëvendësim
Inteligjenca artificiale duhet të shërbejë si një mjet që mbështet gazetarët dhe redaksitë, por kurrë si zëvendësim për gjykimin njerëzor, vlerësimin profesional apo përgjegjësinë redaktuese.
Transparencë dhe shënjimi i përmbajtjes së krijuar me IA
Përdorimi i IA-së në krijimin, përzgjedhjen ose përpunimin e përmbajtjes mediatike duhet të jetë transparent dhe i përgjegjshëm. Publiku ka të drejtë të dijë kur dhe si IA ndikon në mënyrë të rëndësishme në informacionin që merr. Shënjimi duhet të jetë proporcional me rolin e IA-së, veçanërisht kur IA ndikon ndjeshëm në prezantimin, kornizimin apo thelbin e përmbajtjes; pavarësisht nëse bëhet fjalë për format tekst, imazh, audio ose video, kjo duhet të shënohet qartë për audiencën. Vëmendje e veçantë duhet t’u kushtohet përmbajtjeve të gjeneruara plotësisht ose pjesërisht nga IA, sidomos nëse dallimi nga përmbajtja e krijuar nga njerëzit nuk është i dukshëm. Materiali i tillë duhet të jetë i shënuar qartë dhe dukshëm. Format manipuluese të përmbajtjes së gjeneruar me IA, si videot deepfake ose zërat sintetikë, nuk duhet të publikohen pa arsyetim të përshtatshëm etik, paralajmërim dhe kontekst.
Përgjegjësi redaktuese dhe vlerësim i rreziqeve
Përgjegjësia përfundimtare për përmbajtjen mediatike duhet të mbetet te gazetarët dhe redaktorët. Para se të zbatohen sistemet e IA-së, veçanërisht në kontekste të ndjeshme si zgjedhjet, konfliktet ose krizat shëndetësore – mediat duhet të kryejnë vlerësim rreziku, duke marrë parasysh ndikimin mbi besimin publik, grupet e cenueshme dhe integritetin e informacionit. Algoritmet nuk guxojnë të marrin vendime pa një mbikëqyrje të rëndësishme njerëzore.
Besueshmëri dhe verifikim i fakteve
E gjithë përmbajtja mediatike e krijuar me ndihmën e IA-së duhet t’u nënshtrohet të njëjtave standarde të verifikimit, saktësisë dhe përpunimit etik si edhe përmbajtja e krijuar pa përdorimin e IA-së.
Pluralizëm, diversitet dhe mbrojtje e grupeve të cenueshme
Gazetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se IA mund të riprodhojë ose të përforcojë diskriminimin, paragjykimin ose stereotipet e dëmshme, si dhe të krijojë të ashtuquajturat “flluska informative” që kufizojnë shumëllojshmërinë e pikëpamjeve dhe burimeve.
Përgjegjësi dhe mbikëqyrje gjatë përdorimit të IA-së
Mediat duhet të vendosin politika dhe udhëzime të brendshme për përdorim të përgjegjshëm dhe etik të IA-së.
Mbrojtja e privatësisë dhe të dhënave personale
Parimet për mbrojtjen e të dhënave personale duhet të respektohen rreptësisht gjatë çdo përdorimi të IA-së. Nuk lejohet mbledhja ose përpunimi i të dhënave personale pa informim, pëlqim dhe bazë të përshtatshme ligjore.
Edukimi dhe shkrim-leximi për IA
Nevojitet mbështetje sistemike për edukimin e gazetarëve, punonjësve të mediave dhe publikut për kuptim kritik dhe përdorim të sigurt të IA-së. Shkrim-leximi për IA duhet të bëhet pjesë përbërëse e edukimit mediatik dhe e fushatave publike.
Modernizimi i kornizave etike
Duhet të ekzistojnë mekanizma efektivë për ankesa dhe ndërhyrje në rast të përdorimit joetik ose manipulues të përmbajtjeve të gjeneruara me IA.
Mediat si ruajtëse të demokracisë
Mediat duhet ta ruajnë rolin e tyre si korrigjuese të pushtetit, ndërsa IA duhet të përdoret si mbështetje për këtë funksion demokratik. Algoritmet duhet ta forcojnë, e jo ta fshehin, përgjegjësinë, transparencën dhe interesin publik.
Përfundim
Në një kohë kur inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e ekosistemit mediatik, është e domosdoshme që ajo të përdoret etikisht, me përgjegjësi dhe transparencë.
Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, angazhohemi që:
- t’i përmirësojmë kodet etike gazetareske në kontekstin e sfidave të reja etike;
- të nxisim bashkëpunimin dhe shkëmbimin e praktikave të mira ndërmjet organeve vetërregulluese dhe shoqatave mediatike në rajon;
- të sigurojmë trajnim të vazhdueshëm për zbatimin e përgjegjshëm të IA-së në media;
- ta avancojmë vetëdijen publike dhe shkrim-leximin kritik te gazetarët, profesionistët e mediave dhe qytetarët.
Jemi të bindur se vetëm përmes etikës, transparencës dhe vizionit të përbashkët mund të ndërtojmë një sistem mediatik që do të jetë rezistent, gjithëpërfshirës dhe i denjë për besimin e publikut në epokën digjitale.
Ohër, maj 2025
![]()