Forumi i SHGM-së – „Siguria dhe liria e gazetarëve në Maqedoni“

Në katër vitet e fundit janë regjistruar 24 sulme ndaj gazetarëve në Maqedoni, gjysma e të cilave kanë ndodhur në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Në vend janë të pranishme të gjitha format e dhunës, si sulme fizike ashtu dhe verbale, pengim i raportimit mbi ngjarjet dhe shkatërrimi i pajisjeve dhe pronës së tyre, tha Selmani. Sipas tij, publiku duhet të kuptojë se viktimat e kësaj dhune nuk janë vetëm gazetarët, por edhe qytetarët që kanë të drejtë të dinë se çfarë po ndodh në vendin e tyre.

Siguria e gazetarëve është jashtëzakonisht e rëndësishme për të siguruar media të lira dhe të shumta, dhe çdo gazetar duhet të mbrohet nga sulmet fizike dhe kërcënimet, tha ministresha Arsovska Tomovska.

Kreu i MPB-së, Oliver Spasovski theksoi se nuk ka progres atje ku ka shantazhe, rrahje ose burgosje të gazetarëve dhe mbyllje të mediave, dhe se sipas tij, në 2-3 vitet e fundit ushtrohet presion i fortë ndaj gazetarëve.

„Kur më pyesin mua se si mund t’i duroj presionet, unë u përgjigjem se forca ime buron nga ata që qëndrojnë pas meje dhe më mbështesin“, tha gazetari Kezharovski. Siç tha ai, shpresën atij ia jep faktori që tani më ka filluar hapur dhe qartë të flitet për problemet. Dhe, ai është I bindur se vetëm përmes luftës së vendosur do të mund të krijohet një shoqëri demokratike.

Për Tamara Çausidis, në skenë po zhvillohet një amputim i heshtur i kurrizit të gazetarisë i cili për çdo ditë po ndodh në redaksitë, dhe kjo gjithashtu, siç thotë ajo, është dhunë e cila nuk manifestohet vetëm me dëmtimin e pajisjeve, luftë fizike dhe/ose burgim të gazetarëve.

Avokati i Popullit Memeti, në fjalimin e tij tha se çështjet e lidhura me sigurinë e gazetarëve nuk duhet të jenë një justifikim për rrezikimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Nevojitet kujdes shoqëror për sigurinë, por jo në kurriz të lirisë së mediave. Përveç kësaj, autoritetet publike duhet që në mënyrë efikase t’i ndëshkojnë të gjitha presionet ndaj gazetarëve si dhe kërcënimet për sigurinë dhe integritetin e tyre, tha Memeti.

„Për të folur për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave atëherë kur ushtrohet dhunë mbi gazetarët është sikur të flisni për paqe kur dikush ua mban pistoletën në ballë“, tha drejtoresha e Këshillit për etikë, Marina Tuneva.

Vesna Nikodinovska nga IMM, tregoi shumë shembuj për shqyrtimet krahasuese të llojeve të dhunës ndaj gazetarëve në rajon. Fjalimet hyrëse ngjallën diskutime në të cilat u përmendën shembuj ku dhe familjet e gazetarëve janë subjekt i kërcënimit për shkak të punës së tyre. Fenomene të cilat janë duke marrë hov sidomos kohëve të fundit.

Mu për këtë, nevojitet që institucionet e shtetit urgjentisht dhe pa kushtëzime t’i ndriçojnë dhe sqarojnë të gjitha fenomenet e dhunës ndaj gazetarëve. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohen kushte normale për ushtrimin e profesionit të gazetarisë.

SHGM-ja e organizoi këtë eveniment në bashkëpunim me Unionin e pavarur të gazetarëve dhe të punonjësve në media (UPGM), Këshillin për etikë në mediat e Maqedonisë (KEMM) dhe Institutin Maqedonas për media (IMM). Evenimenti është pjesë e Civica Mobilitas, projekt i Agjencisë Zviceriane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS nga Danimarka, Qendra Maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar (QMBN) dhe Instituti Suedez për administratë publike (SIPU).

Scroll to Top