Debate me gazetarë për raportim kredibil gjatë zgjedhjeve

Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë (SEMM), në bashkëpunim me Institutin Maqedonas për Media (MIM), gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale në Maqedoninë e Veriut, organizoi disa takime me gazetarë me fokus në rolin e gazetarisë së përgjegjshme për një proces zgjedhor kredibil dhe demokratik.

Anëtarët e Komisionit për Ankesa pranë SEMM, në takimet në Manastir, Shkup dhe Shtip, paraqitën shembuj të shkeljeve më të shpeshta të standardeve profesionale gazetareske, përkatësisht të Kodit të gazetarëve të Maqedonisë dhe Udhëzimeve për raportim etik të mediave online.

дебата Штип 1

Përvoja e Komisionit për Ankesa tregon se edhe në periudhat zgjedhore më së shpeshti shkelet rregulli për publikimin e informacioneve të sakta dhe të verifikuara me përfshirjen e të gjitha palëve të prekura, se një pjesë e gazetarëve nuk bëjnë dallim mes lajmit dhe komentit, se senzacionalizmi është gjithnjë e më i pranishëm në raportim, ndërsa një pjesë e mediave kundër të cilave është paraqitur ankesë – e anashkalojnë detyrimin për publikimin e demantit ose korrigjimit.

Praktika e përhapur e transmetimit të komunikatave partiake ose deklaratave të përfaqësuesve politikë, në tërësi, pa ndërhyrje gazetareske, madje edhe kur ato përmbajnë gjuhë urrejtjeje, diskriminim mbi baza të ndryshme, dezinformata ose manipulime – u identifikua edhe këtë vit, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale në tetor/nëntor 2025.

Një gazetari e tillë copy-paste, veçanërisht e praktikuar në mediat online, sipas përvojës së gazetarëve të pranishëm në debatet, megjithëse nuk kontribuon për informim më të mirë të qytetarëve dhe as për përmirësimin e kredibilitetit të mediave, vazhdon të nxitet nga redaktorë ose pronarë mediash për shkak të më shumë “like”-eve në rrjetet sociale dhe eventualisht më shumë reklama nga sponsorët.

Në kushte të tilla, të pranishmit në debatet theksuan se është e nevojshme forcimi i vetërregullimit mediatik, harmonizimi i legjislacionit vendor me atë evropian dhe edukimi i vazhdueshëm, si i gazetarëve dhe punonjësve të mediave, ashtu edhe i popullsisë, me qëllim arritjen e gazetarisë së përgjegjshme dhe një publiku të aftësuar për rolin e “rojtarit” të së drejtës së qytetarëve për informim të saktë dhe në kohë, paanshmëri gjatë zgjedhjeve.

Scroll to Top