Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) sot organizoi “Ditë të hapur”, në të cilën për herë të parë u mbajt seancë publike e Komisionit për ankesa. Anëtarët e Komisionit diskutuan tri vendime kundër mediave, në bazë të ankesave të fundit që janë pranuar.
Qëllimi i seancës së hapur është që opinioni dhe mediat të njoftohen nga afër me punën e Komisionit për ankesa të Këshillit për etikë, i cili që nga formimi i tij para tre viteve e gjysmë ka marrë 250 vendime. Lloji i këtillë i seancave të hapura do të jetë imperativ i Këshillit për etikë edhe në veprimin e mëtutjeshëm dhe promovimin e vetë-rregullimit në shtet.
Sipas drejtores ekzekutive të KEMM-it, Marina Tuneva, është me rëndësi të flasim për etikën në profesion, por edhe për të drejtat e gazetarëve për shprehje të lirë dhe punë të sigurt. Sipas Tunevës, nëse zëri i mediave është i heshtur, atëherë të gjithë ne jemi të privuar nga e drejta që t’i dëgjojmë.
Profesori Hub Evers (Hubb Evers) dhe anëtar i Këshillit holandez për Etikë i lokalizoi gabimet më të shpeshta te gazetarët holandez. Sipas praktikës së Këshillit të atjeshëm, problemet më shpesh të vërejtura në informimin e gazetarëve janë publikimi i informacioneve të pasakta dhe tendencioze, lajme që shkelin privatësinë, nuk kërkohet “palë e dytë” dhe nuk mbrohet burimi i informacionit. Me këtë rast, nuk e përmendi fare gjuhën e urrejtjes, e cila sa për krahasim, merr përmasa serioze sipas numrit të rasteve që i ka shënuar Këshilli për Etikë i Maqedonisë. Eversi foli edhe për nevojën e avokatëve të gazetarëve, të cilët në këtë moment, janë të angazhuar në pesë media holandeze.
Profesori Zhan – Zhak Zhespers (Jean – Jasques Jespers), kryesues i Këshillit për Etikë në Belgjikë, theksoi se industria e marketingut vazhdimisht tenton që përmbajtjet komerciale t’i bëjë të duken si raporte të gazetarëve.
Statistika në Belgjikë ka treguar se 71 për qind e shfrytëzuesve të internetit nuk e vërejnë dallimin mes përmbajtjes së redaktuar onlajn dhe reklamimit. Zhespersi e thekson të ashtuquajturin “lëshim mashtrues”, sipas të cilit mediat e sinjalizojnë përmbajtjen komerciale, por mënyra në të cilën sinjalizohet nuk konkretizohet, gjegjësisht përdoren qëllimisht terminologji të paqarta.
Kryetari i Komisionit për ankesa të KEMM-it, Mirçe Adamçevski, theksoi se po shënon rritje numri i mediave që mbështesin Këshillin për Etikë, i cili po bëhet gjithnjë e më i dukshëm në opinion. Sipas të dhënave, 75 për qind e numrit të përgjithshëm të ankesave të pranuara kanë të bëjnë me portalet e internetit.
Drejtori i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Dragan Sekullovski, konsideron se ligjet në të shumtën e rasteve e rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe lehtësisht mund të rezultojnë me vetë-censurë. Ai theksoi se rregullimi nuk mund t’i bëjë mediat më shumë etike dhe më profesionale. Sekullovski e theksoi rolin e rëndësishëm të Këshillit për Etikë në drejtim të uljes së numrit të padive për shpifje dhe ofendim.