Qasja e përmirësuar e publikut në informacione të tilla do të thotë edhe klimë e përmirësuar për zhvillimin e lirë të veprimtarisë gazetareske, respektimit të të drejtave themelore të mediave dhe mbrojtjes së sigurisë të punonjësve mediatik. Pavarësia në profesionin e gazetarit, përveç që përfshin autonominë e gazetarëve dhe lirinë nga ndikimet politike dhe afariste, nënkupton ekzistencën dhe mbështetjen e mekanizmave të vetë-rregullimit dhe një shkallë të kënaqshme të autonomisë profesionale. Në Deklaratën e Windhoek, miratimi i së cilës sivjet shënon 25 vjetorin, theksohet se pavarësia dallohet nga praktikimi i etikës në gazetari dhe nga ndikimi i organizatave profesionale gazetareske dhe mediatike në shoqëri. Tre elementet kryesore të Deklaratës së Windhoek vazhdojnë të jenë aspekte të rëndësishme të punës së mediave, duke përfshirë lirinë, pluralizmin dhe pavarësinë e të gjitha platformave mediatike.
Në konferencën e këtij viti të UNESCO-s në Helsinki, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të lirisë së shtypit, Këshilli për etikë në media prezantoi veprimtarinë e tij ekzistuese dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet, duke marrë pjesë edhe në diskutimet për përforcim dhe mbështetje të mëtutjeshme të vetërregullimit në media.