Kumtesë për mediat – 05.02.2015

Dëshirojmë ta informojmë Prokurorinë Publike se, në pajtim me Nenin 272 dhe Nenin 273 par. 3 të LPP, çdokush mund të raportojë vepër penale, dhe arsyeja për ndërmarrjen e veprimit nga ana e Prokurorit Publik është fjala e dëgjuar, kështu që është e pakuptueshme pse Prokuroria Publike kërkoi ndalesë për të informuar nga mediat, si një nga burimet kryesore për inicimin e ndjekjes nga ana e Prokurorisë, ekzistenca e të cilave është garantuar me Nenin 16 të Kushtetutës së RM-së. Nga kumtesa mbetet e paqartë edhe ajo se si gazetarët do t’i dallojnë paraprakisht cilat materiale mund të bëhen subjekt i procedimit të mëtejshëm penal ?
Duke pasur parasysh normativat vendore dhe ndërkombëtare, nënshkrues it ë cilave është Republika e Maqedonisë, KEMM-i i informon mediat dhe gazetarët se nuk kanë arsye për t’u shqetësuar nëse i respektojnë ato.

Republika e Maqedonisë është nënshkruese e Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe është e obliguar, ndër të tjerash, në tërësi ta respektojë Nenin 10 për lirinë e shprehjes.
Në pajtueshmëri me Nenin 16 të Kushtetutës së RM-së, garantohet liria e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe e shprehjes publike të mendimit. Garantohet liria e fjalës, paraqitjes publike, informimit publik dhe e themelimit të lire të institucioneve për informim publik. Garantohet qasja e lirë tek informatat, liria e pranimit dhe bartjes së informatave. Garantohet e drejta e përgjigjes në mjetet për informim publik. Garantohet e drejta e korrigjimit në mjetet e informimit publik. Garantohet e drejta e mbrojtjes së burimit të informatës në mjetet e informimit publik. Censura është e ndaluar.

Në pajtueshmëri me Nenin 48 të Ligjit për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike, shërbimet audio dhe audiovizuale mediatike nuk duhet të përmbajnë programe të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare, nxisin përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë, bëjnë thirrje për agresion ushtarak ose konflikt të armatosur, nxisin ose përhapin diskriminimin, armiqësinë ose urrejtjen në bazë të racës, gjinisë, religjionit ose kombësisë.
Ndalesat specifike të alinesë (1) të këtij Neni duhet të jenë në pajtueshmëri me praktikën e Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut.
Kështu, sipas vendimeve të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut Observer and Guardian kundër Mbretërisë së Bashkuar në vitin 1991, dhe Vereniging Weekblad Bluf kundër Holandës në vitin 1991, vendoset parimi që, pas paraqitjes së tyre në opinion, informatat mbi sigurinë kombëtare nuk mund të ndalohen e as të dënohen autorët për paraqitjen e tyre.
Në vendimin Observer and Guardian, Gjykata thekson se “liria e shprehjes përbën një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike, e sipas paragrafit 2 të Nenit 10, kjo është e zbatueshme jo vetëm për “informata” dhe “ide” që pranohen me dashamirësi ose konsiderohen si të padëmshme, ose si çështje indiference, por edhe për ato që fyejnë, tronditin a shqetësojnë. Këto parime janë të një rëndësie të veçantë kur është fjala për shtypin (mediat). Ndërsa ata nuk duhet të tejkalojnë kufijtë e përcaktuar me ligj, ndër të tjera, në “interes të sigurisë kombëtare”, ata megjithatë janë të detyruar të dërgojnë informata dhe ide mbi çështjet e interesit publik. Shtypi, jo vetëm që ka për detyrë të dërgojë informata dhe ide, por edhe opinioni nga ana tjetër ka të drejtë t’i pranojë. Përndryshe, shtypi nuk do të jetë në gjendje të luajë rolin e tij jetik të “vigjilit publik”.
Neni 10 i Konventës nuk përmban ndalesë për vendosjen e kufizimeve paraprake mbi publikimin. Nga ana tjetër, rreziqet që vijnë me kufizimet e mëparshme ftojnë inspektimin më të kujdesshëm nga ana e Gjykatës. Kjo vlen në veçanti kur bëhet fjalë për shtypin, për shkak se lajmi është një produkt me afat të shkurtër dhe prolongimi i publikimit të tij, qoftë edhe për një periudhë të shkurtër, mund t’ia revokojë tërë vlerën dhe interesin.

Gjithashtu, mediat dhe gazetarët gjatë punës së tyre në situata të tilla duhet të udhëhiqen nga Neni 3 dhe 4 i Deklaratës për lirinë e debatit politik në media, të miratuar nga Këshilli i Evropës më 12.02. 2004, ku thuhet se “figurat politike kanë vendosur që të apelojnë për mirëbesimin e opinionit dhe kanë pranuar të bëhen subjekt i debatit politik publik, dhe në këtë mënyrë t’i nënshtrohen mbikëqyrjes nga ana e opinionit dhe kritikës së fuqishme potenciale publike përmes mediave, duke konsideruar mënyrën se si i kanë kryer apo i kryejnë funksionet e tyre, për aq sa kjo është e nevojshme, me qëllim të sigurimit të transparencës dhe kryerjes së funksionit të tyre me përgjegjësi.”
I kujtojmë gazetarët që në përputhshmëri me preambulën e Kodit të gazetarëve të RM-së, dhe në pajtim me rolin e tyre në ndërtimin e demokracisë dhe të shoqërisë civile, ata do t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe lirinë, do ta respektojnë pluralizmin e ideve dhe të qëndrimeve, do të kontribuojnë në përforcimin e shtetit juridik dhe në kontrollin e qeverisë dhe të subjekteve të tjera nga jeta publike.

Me respekt,

Komisioni për ankesa pranë KEMM-it

Scroll to Top