“Mediat nuk guxojnë të lejojnë të jenë arenë garimi ku më të fuqishmit do të luftojnë të dominojnë me porositë e tyre, kurse gazetarët i kujtojmë se ndaj publikut duhet të jenë të sinqertë, por edhe ndaj fakteve, që të mos futen në kurthin e gazetarisë favorizuese”, deklaroi Marina Tuneva, Drejtore ekzekutive e Këshillit të Etikës për Mediat.
Këshilli shpalosi pritjet edhe nga servisi radiodifuziv publik, si përfaqësues i opinionit publik dhe interesit publik dhe në përputhje me rekomandimet e Radiodifuzionit të Bashkimit Evropian, do të ketë rol të rëndësishëm gjatë kohës së zgjedhjeve dhe fushatës parazgjedhore. “Presim që të plotësohen angazhimet për respektimin e standardeve profesionale dhe etike të RTVM-së, të miratuara kohë më parë për informim sa më profesional dhe etik për zgjedhjet”, theksoi drejtoresha e Këshillit të Etikës.
“Apelojmë që të gjithë mediat t’i përmbahen obligimit të tyre kryesor, të informojnë e jo të gënjejnë qytetarët, t’iu japin hapësirë të gjithë pjesëmarrësve të skenës politike dhe të hapet debat para opinionit publik”, theksoi Dragan Antonovski, kryetari i Këshillit drejtues të KEMM-së.
Siç informoi kryetari i Komisionit për Ankesa pranë Këshillit, Mirçe Adamçevski, Këshilli deri më tani ka pranuar 130 ankesa për shkeljen e standardeve të informimit profesional, gjuhës së urrejtje, zakonisht baza e këtyre ankesave është mungesa e palës së dytë të informimit, gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe përzierjen e fakteve me mendime dhe komente.