Komunikatë për opinionin për disa raste të shkeljes së standardeve etike gjatë raportimit

Arsyeja për reagimin e këtillë të Këshillit për Etikë në Media janë ankesat e shumta që kohët e fundit po arrijnë në Këshill, mes të cilave dhe shkresa e sotme nga Misioni i OSBE-së në Republikën e Maqedonisë lidhur me deklaratën e Nedellkovskit të dhënë në margjinat e evenimentit të “Lëvizjes qytetare për Maqedoninë” më 26 shkurt, në Kavadar.

Në reagimin e OSBE-së, Nedellkovski me deklaratën e tij, si dhe me vërejtjet e tjera të tij, ka tejkaluar vijën e kuqe të gjuhës së urrejtjes, që është një veprim që nuk duhet të tolerohet. Sipas tij, një numër i madh njerëzish, shumica prej tyre gazetarë dhe politikanë, duhet “të varrosen thellë dhe mbi to të vendoset një pllakë e trashë, e fortë, e përforcuar e betonit, që më mos të kenë kurrfarë ndikimi në atë që po ndodh”.

Duke i bërë thirrje Këshillit për Etikë në Mediat e Maqedonisë të shqyrtojë pasojat e deklaratave të tilla, Misioni i OSBE-së konstaton se në lirinë e shprehjes dhe shkëmbimin e mendimeve të ndryshme ekzistojnë kufij kur cënohet e drejta e jetës dhe integriteti fizik i të tjerëve. Përveç kësaj, sipas OSBE-së, kjo është e dëmshme edhe për edukimin moral të gjeneratave të ardhshme në vend.

“Vërejtjet e Nedellkovskit janë vazhdimësi e praktikës negative të gjuhës së urrejtjes, si pjesë e deklarimeve të tij të rregullta. Misioni i OSBE-së në Shkup është i përfshirë në projekte kundër gjuhës së urrejtjes. Nëse në mediat lejohet përhapja e gjuhës së tillë, atëherë janë komprometuar dhe nënvlerësuar përpjekjet tona”, thuhet në reagimin e Misionit të OSBE-së. Kështu, misioni i OSBE-së në Shkup “refuzon çfarëdolloj kontakti me Nedellkovskin dhe me të gjitha mediat që i sigurojnë një platformë për të shprehur mesazhe të tilla të tmerrshme”.

Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni me kujdes i shqyrton rastet e shkeljes së parimeve etike në gazetari dhe në afat sa më të shpejtë do të kumtojë reagimin e vet ndaj rasteve të tilla. Këshilli do të vazhdojë të kundërshtojë fuqishëm degradimin e profesionit të gazetarisë dhe abuzimin e tij për transmetimin e gjuhës së urrejtjes dhe do t’i dënojë të gjitha rastet e pranisë së saj në media, duke bërë thirrje për të parandaluar përhapjen e mëtejshme në hapësirën dhe në diskursin publik.

Scroll to Top