KËSHILLI PËR ETIKË: Qytetarët mund të ankohen për informim joprofesional

Që nga fundi i shtatorit të këtij viti, qytetarët tek kjo organizatë mund të dërgojnë ankesa për informim joprofesional në mediat elektronike, të shkruara dhe në mediat on-line.
Ankesat në lidhje me shkeljen e standardeve profesionale dhe etike do t’i shqyrtojë Komisioni për ankesa i përbërë nga gazetarët, përfaqësuesit e pronarëve të mediave dhe nga sektori civil.
Në një konferencë për shtyp, kryetari i Komisionit, Mirçe Adamçevski, tha se momenti i formimit të këtij trupi është shumë i rëndësishëm për sferën mediatike në Maqedoni.
– Kemi shansin për t’i mbrojtur qytetarët dhe opinionin nga gazetarët dhe mediat joprofesioniste, t’i ndihmojmë pronarët e mediave që t’i shmangen rrezikut nga gjobat e larta dhe ta ndihmojmë vetveten duke dënuar publikisht ata që nuk kujdesen për etikën në gazetari. Unë e di se në kushtet e sotme në Maqedoni, një synim të tillë, dikush do ta quajë donkishotesk, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë përpjekje për të marrë një hap në drejtim të ndarjes së profesionistëve nga jo-profesionistët. Unë e di se tek ne, aktualisht nuk ka ambient për një hap të tillë, por nuk duhet ndenjur duarkryq – thotë Adamçevski.
Sipas tij, të ndenjurit duarkryq u përshtatet atyre që e krijojnë një ambient të tillë.
– Prandaj, duhet filluar më – thotë ai, duke shpjeguar se Komisioni nuk do të shqyrtojë ankesat anonime. Ankesë mund të parashtrojë çdo qytetar, person juridik ose çdo përfaqësues tjetër publik, duke përfshirë dhe gazetarët.
Siç thekson Adamçevski, ankesat mund të parashtrohen kundër një mediaje të caktuar, e jo kundër gazetarëve individualë, dhe jo më vonë se një muaj pas publikimit të informacionit. Komisioni do të ketë afat prej një muaj që të deklarohet lidhur me ankesën.
Vendimi i Komisionit për ankesa i dërgohet medias, e cila duhet ta publikojë. Me rëndësi është që Komisioni për ankesa do të shqyrtojë edhe ankesat në lidhje me mediat që nuk janë anëtare të Këshillit për etikë.
– Është tejet e rëndësishme, që Komisioni të veprojë në mënyrë të paanshme, për të cilën maksimalisht do të përpiqemi të gjithë. Gjithashtu, është me rëndësi që Komisioni të krijojë një reputacion në opinion si trup profesional të cilit opinioni do t’i besojë – thotë Adamçevski.
Siç thekson kryetarja e Bordit Drejtues të Këshillit për Etikë, Katerina Sinadinovska, anëtarët e Këshillit janë të vetëdijshëm për të gjitha vështirësitë që do të shfaqen.
-Pikërisht për këtë arsye, ky trup ka bërë përgatitje nëntë muaj, ka punuar në të gjitha aspektet dhe me shumë kujdes i është qasur formimit të Komisionit, Bordit Drejtues dhe Bordit Mbikëqyrës. Komisioni është i përbërë nga profesionistë të zgjedhur, njerëz që gëzojnë besueshmëri në profesionin e tyre, andaj është koha që vëmendjen t’ua kushtojmë qytetarëve. Sfida kryesore është respektimi i të drejtës së çdo qytetari për t’u informuar. Problem i vetëm nuk është përballimi i gazetarëve me vështirësi në punën e tyre, por edhe fakti se qytetarëve u mungon informacioni i saktë dhe cilësor. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të vetëdijesohen se ky trup ekziston për të mbrojtur të drejtat e tyre, dhe në këtë mënyrë t’i rrisim standardet në punën tonë – thekson Sinadinovska.
Teofil Bllazhevski, anëtar i Komisionit për ankesa, nënvizon se parimi i punës së këtij trupi është vetë-rregullimi.
-Sa më shumë vetë-rregullim që të ketë, aq më pak do të ketë rregullim nga ana e shtetit ose nga dikush tjetër – thotë Bllazhevski.
Nga Këshilli për etikë vlerësojnë se përmes punës së kësaj organizate do të reduktohet numri i padive kundër gazetarëve.
-Praktikat ndërkombëtare tregojnë rënie në numrin e padive, pas fillimit të funksionimit të Këshillit për etikë – thekson Bekim Ajdini, anëtar i Komisionit për ankesa.
KEMM-i ka përgatitur Strategjinë për punë me ndihmën e një eksperti britanik = СЕММ ја подготви Стратегијата за работа со помош од британски експерт

Anëtarët e Bordit drejtues dhe të Komisionit për ankesa të Këshillit për etikë (KEMM) në korrik dhe tetor të këtij viti, kanë mbajtur dy punëtori me ekspertin e pavarur nga Britania e Madhe, Diter Lorejn për përgatitjen e Strategjisë për punë të kësaj organizate.
Lorejn, i cili ishte i angazhuar nga Misioni i OSBE-së në Maqedoni, në një konferencë për shtyp në Shkup, tha se aktualisht situata në mediat në rajon dhe më gjerë është larg nivelit të duhur, prandaj çdo përpjekje për të krijuar vetë-rregullimin është një hap përpara.
-Do të jetë e nevojshme mbështetja e plotë e gazetarëve dhe e redaktorëve në Maqedoni, për t’i qëndruar pranë Këshillit për etikë dhe për ta mbështetur atë – tha Lorejn, ekspert me përvojë pune me organizata të tilla në disa vende.
Sipas përfaqësueses së OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatoviç, zbatimi i suksesshëm i strategjisë dhe i planit të veprimit do të varet nga mbështetja e plotë e të gjitha mediave në vend.
– Besoj se KEMM-i do të ketë mbështetjen e pa rezervë nga i gjithë komuniteti i mediave – tha Mijatoviç.
Dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Ralf Bret tha se e mbështet procesin.
-Misioni mbështet këtë proces që nga fillimi, dhe ne besojmë se aktivitetet e KEMM-it do të kontribuojnë në rritjen e standardeve ndërkombëtare në afat të gjatë – tha Bret.

Scroll to Top