Vetë-rregullimi në mediat në Maqedoni – Mission Possible!

 

(Publikuar në proverkanafakti.mk)

Liria e shprehjes, duke përfshirë këtu edhe lirinë e mediave, si pushteti i katërt në shoqëritë demokratike, janë ndër të drejtat universale të njeriut dhe si të tilla janë të njohura dhe të mbrojtura me dokumentet përkatëse të organizatave më të larta ndërkombëtare (shihni këtu në faqen 7). Sot nuk ka asnjë shoqëri që mund të konsiderohet demokratike, nëse ballafaqohet me ankesa për media jo të lira ose nga frika e shprehjes publike të mendimeve dhe pikëpamjeve. Për këtë arsye, tema mbi mënyrat dhe mjetet për mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe lirive universale është një temë jashtëzakonisht e rëndësishme për debat publik në të gjitha shoqëritë moderne.
Maqedonia nuk është përjashtim për sa i përket kësaj çështjeje. Organizatat dhe institucionet përkatëse, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në skenën vendore, vite me radhë liferojnë raporte tejet shqetësuese mbi gjendjen e lirisë së shprehjes në vend, e në veçanti theksojnë gjendjen e keqe në të cilën gjenden mediat, për sa i përket funksionit të tyre themelor – informim i opinionit në mënyrë të lire dhe pa presione, për të gjitha çështjet relevante në shoqëri. Kjo çon në debate të vazhdueshme lidhur me këto çështje.
Në këto debate, qëndrimet janë të polarizuara. Ndërsa shteti dhe zyrtarët e saj më të lartë thonë se nuk ka asnjë problem apo se problemet janë minimale, shumë media, organizata profesionale, sektori joqeveritar që merret me sferën mediatike dhe me lirinë e shprehjes, si dhe një numër i madh gazetarësh, pohojnë të kundërtën. Natyrisht, duke u nisur nga faktet, e vërteta është një – situata është, thënë më butë, pesimiste dhe dalja është në gjetjen e veglave, përmes të cilave të drejtat universale do të realizohen në praktikë. Në fakt, mekanizma që do të mundësojnë funksionimin praktik të të drejtave dhe lirive të lartpërmendura, të cilat, madje janë të integruara në Nenin 16 të Kushtetutës sonë, si dhe në Ligjin për media.
Duke u nisur nga kritikat e shumta, shteti u përpoq që ta rregullojë këtë fushë. Viteve të fundit janë miratuar disa dispozita ligjore, të cilat synonin plotësimin e zbrazëtirës në të cilën dy dekada nuk kishte asnjë ligj themelor për mediat, të cilat, nga ana tjetër, në shikim të parë kanë funksionuar disi në mënyrë kontradiktore, më lirshëm dhe me më pak presion. Kështu, shteti miratoi, fillimisht Ligjin për mbrojtje të të drejtës së qasjes në informata të karakterit publik, dhe gjatë tre viteve të fundit edhe tre ligje – Ligjin për media audio-vizuale dhe shërbime mediatike, Ligjin për media dhe Ligjin për përgjegjësi civile për shpifje dhe fyerje. Në të njëjtën kohë, shteti themeloi edhe trupat rregullatorë për një pjesë të materies të rregulluar me ligjet.
Edhe pse këto ligje kanë ku më pak e ku më shumë dobësi dhe lëshime, shteti, si një demokraci relativisht e re, i cili nuk e ka kuptuar plotësisht thelbin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, tregoi tendenca të hapura për të kontrolluar përmes rregullimit. Kështu, me anë të mashtrimeve të shumta (të integruara në rregulloret) dhe me imponimin e paskrupullt të shumicës politike, derogoi edhe nenet e mira të ligjeve dhe punën praktike të përditshme të trupave rregullatorë.
Këto tendenca, sigurisht se nuk janë “fenomen endemik”. Ato janë vërejtur edhe në demokracitë e zhvilluara, por shumë më parë dhe ata kanë zgjidhur problemin dhe kanë gjetur mekanizmat mbrojtës. Një nga veglat kryesore, ndër të tjera, është vetë-rregullimi i mediave – një parim i cili ka dalë nga vet mediat dhe nga pronarët e tyre. Qëllimi është mbrojtja e interesave themelore – liria e shprehjes, dhe në të njëjtën kohë, besimi në mesin e opinionit lidhur me përmbajtjet e tyre mediatike. Kështu, vetë-rregullimi i cili daton qysh nga shekulli i 19, ndërsa Këshilli i parë për shtyp u themelua në Norvegji në vitin 1903, sot ka arritur pothuajse përsosmërinë në aspektin e teorisë dhe të praktikës. E tërë kjo rezulton në rregullim më të vogël, në besim më të madh në mesin e opinionit në media. Madje, motoja që shpesh përmendet nga përkrahësit e këtij sistemi është sa më shumë vetë-rregullim – aq më pak rregullim (shtetëror).

Ç’ËSHTË VETË-RREGULLIMI?
E thënë thjeshtë, vetë-rregullimi është një sistem rregullash që përcaktojnë mediat për të mbrojtur biznesin e tyre dhe për të fituar më shumë besim në mesin e opinionit. Thelbi i biznesit mediatik qëndron në informatat, d.m.th. shpërndarjen e të vërtetës përmes informimit të vërtetë, objektiv dhe të plotë të opinionit, duke respektuar rregullat etike gjatë gjithë kohës. Kështu, me vetë-rregullimin mbrohen edhe të drejtat universale të njeriut – liria e shprehjes dhe e drejta për tu informuar (media të lira dhe profesionale).
Pjesëmarrës në procesin e vetë-rregullimit janë mediat dhe opinioni. Mediat, respektivisht pronarët e mediave (me redaktorët dhe me gazetarët) themelojnë një trup profesional, roli primar i të cilit është një urë në mes të mediave dhe opinionit, kur është fjala për mbrojtjen e standardeve profesionale e sidomos atyre etike në gazetari.
Megjithatë, vegla themelore e trupave vetë-rregullues janë kodet etike. Siç thekson profesori Sefer Tahiri, komunikolog dhe anëtar i trupit të parë vetë-rregullues në Maqedoni, i cili u themelua nga mediat dhe nga organizatat profesionale joqeveritare, në botë ekzistojnë më shumë se 400 kode. Por, parimet kryesore të këtyre kodeve janë të njohura dhe shtrihen në nëntë parimet e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve. Mbi këto parime është miratuar dhe Kodi i Gazetarëve të Maqedonisë, që në vitin 2001. Ai është funksional, dhe përveç këtij dokumenti, ekziston dhe një Doracak për etikën në gazetari, publikim i SHGM-së, qëllimi kryesor i të cilit është promovimi i rregullave etike dhe i vetë-rregullimit brenda SHGM-së, por ka edhe një pjesë ku ofrohen rekomandime dhe udhëzime për interpretimin e neneve të Kodit.
Ky Kod përbëhet nga parime dhe nga 17 nene dhe në thelb mbulon të gjitha normat më të rëndësishme profesionale dhe etike që duhet t’iu përmbahen gazetarët. Por, siç theksojnë dhe ekspertë ndërkombëtarë, atje ku ka më shumë se një organizatë profesionale të gazetarëve a të mediave, duhet bërë përpjekje për një kod të unifikuar të pranuar nga të gjithë (shih këtu, f.8). Kështu është edhe situata në Maqedoni për momentin. Trupi i parë vetë-rregullues i themeluar nga mediat, Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM), punon kryesisht në përputhje me parimet e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve dhe sipas Kodit të gazetarëve të Maqedonisë, të miratuar nga SHGM-ja, por në vijim e sipër janë edhe përgatitjet për miratimin e një kodi të ri, i cili do të dakordohet nga të gjitha organizatat profesionale.

Nga promovimi i KEMM-it në Manastir, më 23.04.2015. Foto: KEMM

SI FUNKSIONON VETË-RREGULLIMI?

Vetë-rregullimi funksionon dhe zbatohet pothuajse gjithandej në mënyrë të ngjashme, dhe procedura shtrihet në parimin e ndërmjetësimit ndërmjet opinionit (qytetarëve) dhe mediave. Që të dy aktorët në këtë proces, supozohet se i qasen me besim, dhe se nëpërmjet procesit do të arrihen efektet e dëshiruara – mediat do të arrijnë tek profesionalizmi më i madh dhe tek standardet etike, si dhe tek besimi i klientëve, ndërsa qytetarët do të arrijnë tek realizimi i ndonjë të drejte të tyre, të cilën në një moment të caktuar e konsiderojnë të cenuar nga ana e një mediaje apo një grupi mediash.

Ndërmjetësues në këtë proces është organizata profesionale, e cila zakonisht quhet këshilli për shtyp, këshilli për media apo këshilli për etikë. Në Maqedoni, trupi i parë i tillë është themeluar në fillim të vitit të kaluar dhe emir zyrtar është Këshilli për Etikë në mediat e Maqedonisë. (Vetëm për sqarim – një lloj i vetë-rregullimit në mesin e gazetarëve ka një histori të gjatë brenda SHGM-së, ku ekziston Këshilli i Nderit, por ai është me kompetenca shumë më të ngushta dhe kryesisht i referohet shkrimeve të gazetarëve, anëtarë të SHGM-së).
Këshilli për etikë është themeluar si rezultat i një iniciative shumëvjeçare të një pjese të mediave dhe të SHGM-së dhe aktualisht po mbështetet nga një duzinë mediash nacionale dhe rajonale, ndër të cilat edhe Shërbimi Publik mediatik – RTM, dhe përbërja e mediave është nga të gjitha sferat – elektronike, të shtypura dhe mediat e reja të ashtuquajtura internet-media.
Këshilli për etikë përbëhet prej tre trupave: Bordi Drejtues (BD), Zyra Ekzekutive (ZE) dhe Komisioni për Ankesa (KA). Kjo është procedura sipas së cilës punon KEMM-i:
Qytetari, personi juridik apo institucioni dërgon parashtresë deri te KEMM-i;
Zyra ekzekutive e dërgon më tutje parashtesën deri te Komisioni për ankesa;
Komisioni për ankesa mblidhet dhe nëse vlerëson se parashtresa është në rregull nga aspekti formal dhe esenca e saj, atëherë jep urdhër që ZE ta fillojë procesin e ndërmjetësimit;
ZE i drejtohet redaksisë së medias, e njofton atë me parashtresën e pranuar dhe kërkon mendim nga media nëse pajtohet plotësisht apo pjesërisht me konkluzionet në parashtresë apo e refuzon atë;

Nëse media dakordohet në tërësi apo pjesërisht, atëherë vijon një shpjegim me shkrim me kërkim falje eventuale deri te parashtruesi i ankesës. Nëse parashtruesi i ankesës pajtohet me shpjegimin apo me kërkimfaljen, procedura përfundon këtu, e KA-ja konstaton atë dhe rasti konsiderohet i përfunduar me ndërmjetësim të suksesshëm;
Nëse media refuzon parashtresën, KA-ja diskuton mbi temën e parashtresës në seancë dhe sjell vendim. Vendimi mund të jetë refuzim i parashtresës apo pranim i saj;

Vendimet e KA-së (gjegjësisht të Këshillit), të cilat mbështeten me sqarime serioze, publikohen në ueb-faqen e KEMM-it dhe dërgohen më tutje deri te palët në fjalë. Media e cila është anëtare e KEMM-it është e obliguar që konkluzionin ta publikojë në një vend të dukshëm në median e saj. Për momentin, ky është problem më i madh me të cilin po ballafaqohet Këshilli, sepse një numër i madh hi lëndëve të zgjidhura nuk janë publikuar në median në fjalë, qoftë ajo parashtresë e pranuar, apo konkluzion negativ për median.
Vendimi i KA-së është një lloj aktvendimi me dimension moral. Nuk ka kurrfarë sanksionesh për mediat përveç të natyrës morale të vendimit se një media e caktuar nuk i ka respektuar standardet etike dhe profesionale në një pikëpamje të caktuar dhe me këtë e ka cenuar profesionalizmin në punën e saj.

A ËSHTË VETË-RREGULLIMI I MBIVLERËSUAR DHE A ËSHTË I MJAFTUESHËM?

Këto debate që u hapën tek ne, pas themelimit të KEMM-it, ekzistojnë dhe akoma janë aktuale në botë. Sidomos pas aferës së përgjimeve të mediave në pronësi të Rupert Murdoch në Britani të Madhe disa vite më parë, gjë që çoi në rrëzimin e Komisionit të atjeshëm për ankesa në media, për shkak se, në sajë të faktit që mjetet financiare më të mëdha vinin nga mediat e përmendura, komisioni nuk ka reaguar në kohë dhe nuk arriti që të merret me pasojat. Megjithatë, vitin e kaluar u themelua përsëri si trup i ri, me rekomandim që të inkorporojë mekanizma mbrojtës që të mos përsëriten gabimet.
Megjithatë, përvojat e shumë demokracive të vjetra janë pozitive. Po bëhen pozitive edhe përvojat nga rajoni. Kohët e fundit në Beograd, nën patronazhin e Këshillit të Evropës, u mbajt një konferencë rajonale e trupave vetë-rregullues nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, si dhe nga iniciatorët e një trupi të tillë nga Shqipëria. Me këtë rast, u konkludua që të themelohet një rrjet rajonal i trupave vetë-rregullues, të cilët në një koordinimin dhe shkëmbim më të ngushtë të përvojave, do të arrinin më shumë rezultate edhe në mjediset e tyre dhe në tërë rajonin.
Përvoja e deritanishme disa muajshe e KEMM-it është gjithashtu shumë apo të paktën në përgjithësi pozitive. Për një periudhë të shkurtër, Këshilli ka zgjidhur tridhjetë lëndë në bazë të parashtresave të pranuara (disa të tjera janë refuzuar për shkak të skadimit të afatit të dorëzimit i cili duhet të bëhet brenda 30 ditëve nga dita e publikimit të materialeve të kontestueshme gazetareske). Nga lëndët e zgjidhura, disa prej tyre janë me ndërmjetësim (numri i përafërt i afrohet një të tretës), gjë që vetëm konfirmon interesin e opinionit për ekzistencën e këtij trupi dhe interesin e mediave për të njëjtën gjë.
Sipas përvojave ndërkombëtare, të cilat i prezantoi edhe profesori i lartpërmendur Tahiri në debatet në Manastir dhe në Ohër, ekzistojnë të paktën pesë arsye pse nevojitet vetë-rregullimi:
Ruhet liria redaksionale;
Minimizohet intervenimi i shtetit;
Inkurajohet cilësia e mediave;
Vërtetohet përgjegjësia e mediave;
Ju mundësohet lexuesve (dëgjuesve, shikuesve, publikut të internet-mediave) të kenë qasje në media.
Mirëpo, ekzistojnë edhe të paktën dy arsye serioze që lidhen me përvojat tona dhe të cilat tregojnë pse është e domosdoshme ekzistenca dhe veprimtaria e KEMM-it.
Arsyeja e parë është ndërmjetësimi. Ndërmjetësimi, siç u theksua në konferencën e parë për shtyp të Komisionit për ankesa, pritet të kontribuojë në reduktimin e lëndëve gjyqësore për fyerje dhe për shpifje. Përvoja e fundit, kur Komisioni vendosi në një rast që kishte përfshirë dy profesoresha universiteti dhe një televizion kombëtar, konfirmoi këtë. Me ndërmjetësim të KEMM-it, shtëpia mediatike kërkoi falje dhe theksoi se kanë bërë gabim pa qëllim, ndërsa parashtruesit e ankesës deklaruan publikisht se nëse media e bënë një gjë të tillë, ata do të heqin dorë nga padia.
Arsyeja e dytë serioze është se vendimet e KEMM-it, de fakto, mund të përdoren si mendim i kualifikuar në ndonjë procedurë eventuale gjyqësore për fyerje dhe shpifje. Në fakt, siç u theksua nga Filip Gjurçinovski, anëtar i KA-së pranë KEMM-it, në tribunën e fundit në Manastir, në ligjin aktual për fyerje dhe shpifje është inkorporuar Neni 5 me interpretimin e termave dhe nocioneve të ligjit. Në paragrafin 3 të këtij neni, thuhet se, “Si rregulla profesionale të profesionit të gazetarisë konsiderohen rregullat për mbledhjen, analizimin dhe publikimin e informatave të përcaktuara nga organizata profesionale e gazetarëve”.
Për shkak se Këshilli është një organizatë e formuar nga mediat, në të cilat punojnë gazetarë dhe për shkak se puna bazike e Këshillit është interpretimi i rregullave profesionale, përmes vlerësimit të Kodit, parimeve, si dhe përmes praktikave nga vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, është mjaft e qartë se vlerësimi, apo mendimi, apo vendimi i KEMM-it, gjegjësisht Komisionit për ankesa, do të ishte mendim relevant ose pjesë e një procedimi gjyqësor për shpifje ose fyerje.
Arsyet e dhëna janë vetëm disa nga arsyet e shumta që konfirmojnë nevojën për ekzistencën e vetë-rregullimit në Maqedoni. Natyrisht, sfidat janë të mëdha, dhe një nga sfidat më serioze është financimi i këtij trupi. Tani për tani, ai po punon me sukses, ndër të tjera, falë mbështetjes nga Holanda, por edhe nga UNESCO, të cilët e kuptuan dhe e mbështetën këtë ide. Si rregull, këto këshilla financohen nga anëtarët, por edhe nga shteti dhe atë pa asnjë parakusht rreth funksionimit. Ekzistojnë mundësitë për të arritur një gjë të tillë edhe tek ne. Deri më tani, nuk ka asnjë dyshim se vetë-rregullimi i vërtetë në Maqedoni, nga mision i pamundur, bëhet mission possible.

Shkruan: Teofill Bllazhevski *

*(Autori është gazetar dhe anëtar i Komisionit për Ankesa pranë KEMM-it)
Ky mësim gazetaresk është përpunuar në suaza të Projektit të USAID për përforcimin e mediave në Maqedoni – Komponenti Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, i implementuar nga Metamorfozis. Mësimi gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e mësimit gazetaresk është përgjegjësi e autorit dhe nuk reflekton qëndrimet e Metamorfozis, të USAID-it apo të Qeverisë së SHBA-së. Për më shumë informata lidhur me veprimtarinë e USAID-it në Maqedoni, Ju lutemi vizitoni ueb-faqen (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e Fejsbukut të USAID-it (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Scroll to Top