Me Katerina Bllazhevska-n biseduam rreth situatës me respektimin e standardeve profesionale dhe etike në profesionin gazetaresk në Maqedoni, nga perspektiva e situatës gjatë tranzicionit dhe gjithë asaj që po ndodh në 15 vitet e fundit.
KEMM: Si do ta përshkruani shkurtimisht situatën me respektimin e standardeve profesionale dhe etile në gazetarinë në vend?
Me nder disa përjashtimeve të vogla mediatike, standardet profesionale dhe etike në Maqedoni janë pothuajse tërësisht të mënjanuara nga profesioni. Me një fjalë të vetme, ekzistojnë për t’u shkelur në mënyrë brutale për çdo ditë.
KEMM: Duke pasur parasysh se për shumë vite jeni në profesionin e gazetarisë, si gazetare dhe redaktore, cilat tendenca dhe etapa do të i kishit identifikuar lidhur me respektimin e standardeve profesionale në gazetari, që nga pavarësia e Maqedonisë, e deri te ajo që po na ndodh tani?
Në periudhën para dhe menjëherë pas pavarësisë, rëndësia dhe roli i standardeve profesionale shënoi rritje intensive për sa i përket cilësisë së respektimit të tyre. Pluralizmi partiak, i cili ishte në fillimet e tij, pati ndikim edhe në media. Kjo kryesisht ka rezultuar në një pluralizëm të mendimeve, debateve, produkteve objektive dhe profesionale të mediave, ku u shprehën qëndrime të ndryshme pa kufizime apo censurë.
Kjo ishte periudha në të cilën mediat filluan të ndërtojnë domethënien e tyre thelbësore e jo vetëm frazeologjike të “fuqisë së shtatë” apo “pushteti i katërt”. Ata ishin dritare profesionale dhe demokratike edhe në vitin 1994, kur Kuvendi mbeti pa opozitë parlamentare. Në fakt, pas atij viti filloi ngjyrosja partiake e mediave, para së gjithash e televizioneve, duke përdorur angazhimin e koalicioneve apo atë të deputetëve të pronarëve të tyre. Një ndikim i tillë vazhdoi edhe më pas. Gjatë gjithë kësaj periudhe e deri më sot, për shkak të ndikimit të madh partiak e qeveritar dhe presionit mbi mediat kryesore, gazetaria po pëson rënie të lirë, ndërsa standardet profesionale janë dy metra nën tokë. Përjashtim nga kjo bën periudha e Qeverisë së Lubço Georgievski-t, në të cilën mediat, të paktën nuk u gjetën nën presionin e qeverisë.
KEMM: Sipas jush, cilat aspekte të shkeljes së standardeve profesionale dhe etike janë më shqetësuese?
Shqetësues është mosrespektimi elementar i Kodeksit. Por ky nuk është problemi i vetëm. Nëse dekadën e kaluar e ka shënuar fillimi i pushtimit politik të mediave, në dekadën e dytë kjo tendencë jo vetëm që vazhdoi me më intensitet, por edhe u plotësua me një regresion të plotë të gazetarisë, me instalimin e filtrit të dobët mediatik i cili lëshoi shumë njerëz me analfabetizëm elementar. Sot, rezultati i gjithë kësaj është: gazetari edhe e kontrolluar por edhe analfabete!
KEMM: Si mendoni, sa dhe në ç’mënyrë ndikon viteve të fundit zgjerimi i mediave të reja të Internetit në këto situata?
Në rrethana kur çdokush mund të bëhet gazetar pa përmbushur kriteret e arsimit dhe standardet profesionale, dhe kur rrjetet sociale janë shndërruar në platformë kryesore për prodhimin dhe shkëmbimin e informacioneve, në të shumtën e rasteve “gjysmëfabrikate”, një pjesë e mediave të Internetit u bënë distributorë dhe riciklues kryesorë pikërisht të “produkteve” të tilla. Nga ana tjetër, një pjesë e mediave të Internetit të cilat në mënyrë të përpiktë u përmbahen standardeve profesionale, në këtë kaos bëhen të padukshëm, sipas parimit “nga pylli nuk shihet druri”. Metastazimi i jo profesionalizmit në hapësirën e Internetit, në mënyrë të pajustifikuar hedh njollë edhe mbi to. Në përgjithësi. një pjesë e mediave të Internetit përkeqësojnë edhe më tej imazhin ekzistues, ndërsa të tjerët të cilët janë pakicë në profesionalizmin e tyre, edhe pse japin shpresë të madhe, sërish nuk arrijnë që më thellësisht të ndikojnë në ndryshimin e situatave të përgjithshme.
KEMM: Si do ta kishit vlerësuar rolin e komunitetit mediatik në mbrojtjen e standardeve profesionale, dikur dhe tani?
Difuz, të pa koordinuar dhe të ndarë. Mbrojtja kolektive e standardeve profesionale mund të jetë efikase vetëm nëse bazohet edhe në mbrojtjen e tyre individuale. Komuniteti nuk mund të arrijë sukses nëse individë brenda tij për çdo ditë rrënojnë këto standarde.
KEMM: Sipas jush, ku duhet të fillojë “rehabilitimi“ i profesionit dhe kthimi i standardeve themelore të gazetarisë, dhe ku e shihni rolin e mekanizmave vetë-rregullatorë?
Rehabilitimi duhet të fillojë nga individi. Çdo gazetar duhet të rishqyrtojë nëse dhe sa i respekton standardet profesionale, a është i përshkuar nga censura ose nga vetë-censura, a i është robëruar liria gazetareske nga jo liria ekonomike gjegjësisht nga varësia nga paga dhe preferencat politike të punëdhënësit, dhe kujt i shërben gazetari në kushte dhe rrethana të tilla? Atëherë të gjithë duhet të marrin një vendim, por edhe përgjegjësi nëse ajo nuk është në interes të profesionit.