Rezultatet e monitorimit që e kreu Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë (SEMM), me qëllim që të përcaktohet niveli i respektimit të standardeve profesionale dhe etike gjatë raportimit të mediave online në Zgjedhjet Lokale 2025, tregojnë përmirësim sa i përket transparencës së strukturës së mediave, por edhe në shënimin e burimeve të informacionit.
Tendenca negative që mbeten si praktikë e rregullt në punën e përditshme të mediave online janë të ashtuquajturat gazetareshi copy-paste dhe mbështetja e theksuar në postimet nga rrjetet sociale si burim informacioni, të cilat në periudhë zgjedhore konsiderohen si rreziqe serioze për lexuesit.
U analizuan 30 media online, në periudhën nga 20 tetori deri më 10 nëntor 2025, më saktë informacionet që ato i publikonin çdo ditë lidhur me procesin zgjedhor.
Monitorimi përfshiu mesatarisht nga 90 tekste në ditë, gjë që mundësoi një pasqyrë të qartë për cilësinë, transparencën dhe raportimin profesional në një periudhë kur publiku është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pritjeve për informacione të sakta dhe kredibile.
Raporti është i destinuar për publikun e gjerë, komunitetin mediatik dhe organizatat partnere, si një hap drejt përmirësimit të praktikave mediatike.
Monitorimi u realizua përmes një qasjeje të kombinuar që përfshin analizë kuantitative dhe kualitative të publikimeve mediatike. Çdo tekst u vlerësua sipas kritereve të lidhura me transparencën e medias, qasjen në raportim, atribuimin profesional të burimeve, mbrojtjen nga diskriminimi, respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe praninë e plagjiaturës.
Këta parametra bazohen në Kodin e gazetarëve të Maqedonisë dhe Udhëzimet për raportim etik të mediave online.
Vlerësimet janë bërë nga një ekip i trajnuar monitorimi, ndërsa përpunimi i të dhënave është kryer me teknika statistikore të standardizuara.
Raportin e plotë për monitorimin e raportimit të mediave online gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025 mund ta shkarkoni këtu: Monitorimi i mediave online gjatë Zgjedhjeve Lokale 2025