Nevojitet forcimi i kapaciteteve redaktuese të mediave online

Tendencat kryesore në raportimin e mediave online, gjatë zgjedhjeve lokale që u mbajtën në tetor/nëntor 2025 në Maqedoninë e Veriut, të nxjerra nga monitorimi i realizuar nga Këshilli për etikë në mediat, tregojnë gjendje të shumëanshme që pasqyrojnë natyrën komplekse të hapësirës online mediatike në vend, por edhe nevojën për përmirësimin e kapaciteteve kadrovike dhe redaktuese të portaleve.

Një pjesë e indikatorëve sugjerojnë tendenca pozitive, veçanërisht në pjesën e transparencës së pronësisë, ekipit dhe burimeve të informacionit, si dhe në pjesën e respektimit formal të dispozitave të Kodit të gazetarëve, por pamja e përgjithshme tregon dobësi strukturore, burime të kufizuara dhe varësi nga prodhimi i shpejtë i përmbajtjeve, gjë që reflektohet në cilësinë e procesit informativ.

Vëzhgimi i portaleve online ishte edhe një mundësi tjetër për të konfirmuar faktin se në sektorin mediatik digjital në vend dominojnë media private me redaksi të vogla, kryesisht të themeluara nga gazetarë (67.6% nga ata që ishin të përfshirë), prej të cilëve pritet një nivel i lartë i respektimit të standardeve profesionale. Por mungesa e burimeve, duket se edhe në këto portale çoi në mbushjen e hapësirës mediatike me lajme të shkurtra, në të cilat shpesh mungon “pala e dytë” në tregim, me një praktikë të përhapur të publikimit të komunikatave partiake, ripublikimit të postimeve nga rrjetet sociale dhe kopjimit.

Тип на сопственост

Nga ana tjetër, transparenca e pronësisë është përmirësuar – 85.7% e mediave të vëzhguara kanë impresum të plotë. Ky është një indikator mjaft pozitiv në aspektin e përgjegjshmërisë dhe është në përputhje me kriteret e SEMM për uljen e senzacionalizmit, shkrimeve të pabazuara dhe plagjiaturës.

Caktimi i burimeve të informacionit është kryesisht sipas standardeve të raportimit profesional, në 83.7% të teksteve burimet janë atribuar saktë. Megjithatë, në 14% të mostrës mbetet problemi i transparencës së pjesshme, përkatësisht ende publikohen tekste me formulime të tipit “sipas burimeve tona” ose “siç mësojmë”, gjë që krijon hapësirë për informacione të padokumentuara, të motivuara politikisht, që mund të ndikojnë në opinionin e lexuesve, veçanërisht në kohë zgjedhjesh, pasi informacionet e pasakta ose të pamjaftueshme të verifikuara kanë potencial të ndikojnë në perceptimet e votuesve.

Në anën e trendeve problematike në raportimin e mediave online është vazhdimi i praktikës së kopjimit të ndërsjellë të përmbajtjeve pa u treguar burimi nga është marrë përmbajtja, ose kopjimi i komunikatave partiake dhe të tjera pa ndërhyrje minimale gazetareske. Mbi gjysmën e teksteve që ishin subjekt i monitorimit u konstatua se janë përmbajtje copy-paste, dhe atë, 22.5% e teksteve janë të kopjuara plotësisht ose pjesërisht, në 6.8% të teksteve ka deklarata të marra pa përmendur burimin, ndërsa vetëm 16.8% e përmbajtjeve janë plotësisht origjinale, gjë që sugjeron gazetari të varfër, e cila nuk ofron një pasqyrë të plotë dhe as të thelluar analitikisht për lexuesit. Kjo është pasojë e ekipeve të vogla redaktuese, orientimit drejt prodhimit të shpejtë dhe të madh të përmbajtjeve, me mbikëqyrje minimale redaktuese, gjë që minon besimin në gazetarinë profesionale dhe nxit “inflacionin” e lajmeve të njëjta në media të ndryshme online që më pas përmbytin rrjetet sociale.

слика

Një tjetër praktikë negative e përhapur është transmetimi gjithnjë e më i shpeshtë i postimeve nga rrjetet sociale, pa verifikim të mjaftueshëm ose sfidim. Madje 25.7% e teksteve të përfshira në monitorim pjesërisht ose plotësisht mbështeten në një postim në Facebook, Instagram, X ose TikTok, si burim primar i informacionit. Pa verifikim, pa zgjerim me kontekst shtesë, pa palën e dytë të tregimit – këto përmbajtje paraqesin rrezik për përhapjen e dezinformatave dhe manipulimeve, veçanërisht të pranishme në periudhat zgjedhore kur rrjetet sociale përdoren si platformë kryesore për propagandë.

Pikërisht për shkak të këtyre dobësive të theksuara në sektorin mediatik online, aktualisht i përbërë nga qindra portale, Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë rekomandon që pronarët, redaktorët dhe institucionet të angazhohen për forcimin e kapaciteteve kadrovike dhe redaktuese të mediave online, për informim më kredibil të publikut, veçanërisht në periudha të ndjeshme si proceset zgjedhore. Respektimi i qëndrueshëm i Kodit të gazetarëve dhe Udhëzimeve për raportim etik të mediave online, respektimi i vetërregullimit mediatik, trajnimet për gazetarë për verifikimin e fakteve, për specifikat e raportimit zgjedhor, të drejtat e njeriut dhe korrupsionin, si dhe për përdorimin etik të teknologjive të reja, si mjet ndihmës veçanërisht në redaksitë e vogla, janë vetëm disa nga hapat që pritet të çojnë drejt një gazetarie më të përgjegjshme.

Scroll to Top