Saktësia nuk nënkupton vetëm paraqitjen e fakteve të sakta apo të verifikuara, ndërsa gazetarët nuk janë thjesht “transmetues” që i përmbahen fort rregullit të përgjigjes së pesë pyetjeve të gazetarisë. Shteti ynë është një nga vendet ku publikimi i lajmeve të paverifikuara në media është i përditshëm. 31 shkelje të konstatuara në vendimet dhe mendimet e Komisionit për Ankesa pranë KEMM i referohen raportimeve të pasakta ose të pavërteta ose shkeljes së nenit 1 të Kodit Etik të Gazetarëve. “Ana e dytë” mungon shpesh në tekstet për të cilat janë parashtruar ankesa, gjë që vjen si pasojë e ndarjes së thellë të mediave në vija politiko-partiake.
Shkruan: SEFER TAHIRI
Që nga nisma e gazetarisë e deri më sot, por edhe në të ardhmen, e vërteta dhe saktësia kanë qenë dhe duhet të jenë parimet kryesore të këtij profesioni, dhe mu nga respektimi dhe zbatimi i tyre në praktikën e gazetarisë varet besueshmëria e një gazetari apo medie, por edhe i profesionit në përgjithësi.
Besimi varet nga raportimi pa dezinformata
Gazetarët, redaktorët dhe veçanërisht kryeredaktorët duhet të jenë të vetëdijshëm se besimi fitohet shumë vështirë, kërkon shumë “djersë gazetareske”, shumë energji, shumë stres, por edhe punë nën presionin e kohës dhe presioneve të jashtme. Nga ana tjetër, besimi humbet shumë lehtë. Ndonjëherë vetëm me një ose disa dezinformata, ose ndonjë fotografi të rreme.
Për të mbrojtur integritetin profesional, gazetarët dhe redaktorët pritet të japin informacion të saktë dhe gjithëpërfshirës, në bazë të të cilit qytetarët do të nxjerrin përfundime dhe vendime.
Informacionet që përcillen përmes mediave duhet të përputhen me realitetin, të jenë të vërteta, dhe prandaj është shumë e rëndësishme që të verifikohen nga së paku dy burime. Nga kjo, gazetarët kanë të drejtë të kërkojnë informacione, t’i publikojnë ato, por edhe t’i analizojnë të njëjtat në mënyrë kritike. Secili element i lajmit (raporti, kronika) duhet të jetë i saktë: ngjarjet, emrat, datat, vendet, citatet etj. Një gabim për njërin fakt mund ta hedh në ujë tërë tekstin gazetaresk.
Vërtetësia nënkupton nëse informacioni përmban fakte dhe detaje që mund të verifikohen përmes burimeve parësore ose alternative. Kështu thuhet në doracakun për trajnerë “Edukim mediatik: MËSOJMË TË NJOHIM”. Në të theksohet që “profesoresha amerikane Keri Galager dallon disa nivele të informacioneve të rreme:
- Gënjeshtra të paturpshme: kur dikush qëllimisht shpërndan gënjeshtra;
- Gënjeshtra të pjesërishme: kur dikush përdor një fakt për të parashtruar një supozim të paarsyeshëm. Edhe pse ajo pjesë e informacionit është fakt, çdo gjë tjetër nuk është;
- Lëshim i qëllimshëm i informacionit relevant: kur personi që shpall informacionin është i vetëdijshëm për një fakt të caktuar, por nuk e shpall atë sepse nuk e mbështet teorinë që ai e përfaqëson“.
Në këtë doracak thuhet edhe që “Është e rëndësishme të bëjmë dallimin mes gënjeshtrave dhe gabimeve”. Prandaj dallojmë:
- Informacione të gabuara (misinformacione): Informacione të pasakta apo informacione që janë shpërndarë si pasojë e gabimit të paqëllimshëm apo padijes.
- Dezinformatat: Informacione të rreme që krijohen dhe shpërndahen në mënyrë të qëllimshme përmes teknologjive të automatizuara që mashtrojnë publikun rreth një personi të caktuar, grupi shoqëror, organizate apo shteti.
- Informacionet e dëmshme (malinformacione): Informacione të vërteta, por qëllimkeqe që shpërndahen për të shkaktuar dëm, shpeshherë duke përçuar informacione që duhet të jenë private, përkatësisht informacione që barten nga sfera private në atë publike me qëllim t’i shkaktohet dëm dikujt.
Saktësia nuk nënkupton vetëm paraqitjen e fakteve të sakta apo të verifikuara, ndërsa gazetarët nuk janë thjesht “transmetues” që i përmbahen fort rregullit të përgjigjes së pesë pyetjeve të gazetarisë: kush, çka, kur, ku, pse (dhe pyetja e gjashtë – si?).
Në publikimin e Këshillit për Etikë në Media me titull “Raportimi në interes të publikut” – mbrojtja e parimeve etike të raportimit përmes punës së Komisionit për Ankesa, thuhet:
“Gazetarët nuk janë vetëm mbledhës të lajmeve, por ata pritet të hetojnë, raportojnë në mënyrë objektive dhe të saktë se çfarë po ndodh. Zgjedhja e fakteve duhet të ofrojë informacion objektiv dhe të marrë në konsideratë të gjitha aspektet e rëndësishme të temës në diskutim.“
Sipas Kodit Etik të Gazetarëve, “detyra themelore e gazetarëve është të respektojnë të vërtetën dhe të drejtën e publikut të informohet në pajtim me Kushtetutën.”
Standardet e saktësisë dhe të vërtetës si parime themelore gazetareske
Në Doracakun për interesin publik në gazetari thuhet “Shpejtësia nuk guxon të jetë më e rëndësishme se sa saktësia dhe preciziteti.”
“Mediat nuk duhet të publikojnë apo të emitojnë ndonjë lajm apo raport pa kryer hulumtim përkatës dhe rutinor për ta verifikuar besueshmërinë. Gjithashtu është e rëndësishme që të gjitha lajmet, raportet dhe zhanret tjera të gazetarisë të kenë një numër të mjaftueshëm të burimeve në dispozicion që të bazohen në dëshmi të forta.”
Nëse ndodhin gabime në raportim, ato duhet të pranohen dhe të korrigjohen sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë të qartë dhe përkatëse. Pranimi i gabimit është një virtyt, ndërsa fshehja e tij është e papajtueshme me dinjitetin profesional. Është vendosur në nivelin e një rregulli – mediat duhet të publikojnë një korrigjim të qartë dhe të theksojnë në një vend të dukshëm se janë publikuar informacione të pasakta dhe të shtrembëruara, dhe nëse është e nevojshme edhe të kërkojnë falje.
Saktësia dhe verifikimi i informacioneve janë pjesë të disa neneve të Kodit Etik. Interpretimi i këtyre neneve bazohet mbi Doracakun për Etikë në Gazetari, i shpallur në vitin 2012 nga Shoqata e Gazetarëve.
Neni 1 thekson se nevoja për të raportuar në periudhë të shkurtë kohore nuk guxon të cenojë saktësinë, kredibilitetin dhe profesionalizmin e tekstit apo kronikës. Gazetari duhet ta sigurojë “anën e dytë”, që nënkupton një kontroll sistematik të të gjitha fakteve në një tekst apo kronikë. Gazetarët duhet t’u japin mundësi palëve të përfshira në një ndodhi, proces apo ngjarje, t’i shprehin apo t’i shpjegojnë qëndrimet e tyre para se të publikohet teksti apo kronika. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rastet kur gazetari ngre dyshime apo akuza, ose kur dikush është subjekt i sulmit dhe kritikës. Për më tepër, ata nuk duhet të shtrembërojnë ose keqpërdorin deklaratat e bëra në lidhje me ngjarjen specifike që raportohet.
Sipas nenit 2, kur gazetari nuk merr përgjigje nga qeveria për pyetje të cilat ai konsideron se janë me interes publik, ai duhet ta njoftojë publikun për këtë gjë.
Nga ana tjetër, neni 4 i referohet citimit të burimeve. Burimi i informacionit sipas rregullave duhet të identifikohet, përveç rasteve kur identifikimi mund të ndikojë në sigurinë e tij ose të një pale të tretë.
Praktika në Maqedoninë e Veriut tregon se publikimi i lajmeve të paverifikuara në media është një dukuri e përditshme këtu.
Përmbajtja e paverifikuar nuk prodhohet vetëm për konsumim të brendshëm, por edhe për “tregun ndërkombëtar”, si në rastin e të rinjve të Velesit, të cilët ndikuan në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së në vitin 2016. Të rinjtë e këtij qyteti krijuan mbi 100 faqe interneti me emra të ndryshëm, të cilat favorizuan ish-presidentin Donald Trump dhe e bënë për përfitime ekonomike.
Vendimet e Komisionit për Ankesa të lidhura me principin e vërtetësisë dhe saktësisë
Sipas statistikës së Këshillit për Etikë për vitin 2023, për 132 ankesa të pranuara janë marrë 107 vendime apo mendime. Për 61 raste është konstatuar shkelje e kodit të gazetarëve dhe ndërsa 41 raste nuk kanë pasur shkelje të “rregullave të lojës”. Për 20 ankesa nuk është iniciuar asnjë procedurë pasi janë cilësuar si të pabaza për shqyrtim. 5 ankesa janë zgjidhur me ndërmjetësim ose pajtim ndërmjet palëve.
Ankesat janë paraqitur nga qytetarë dhe subjekte të ndryshme juridike. 53 ankesa janë paraqitur nga qytetarë, 9 nga media, 13 nga gazetarë, 35 nga organizata apo shoqata të sektorit civil, 2 nga bartës të funksioneve publike, 1 nga një avokat, 5 nga kompani private, 10 nga partitë politike, kurse për 4 ankesa parashtruesi është kategorizuar si “të tjerë”.
Nga 132 ankesa, 110 u referohen teksteve apo kronikave gazetareske në media online, 10 faqeve të internetit të televizioneve, 6 u referohen televizioneve, 2 gazetave, 1 ankesë (pabazë) i referohet platformës Facebook dhe 3 ankesa (të pabaza) për grumbulluesin e lajmeve Time.mk.
Mbi 37% e shkeljeve të konstatuara (ose 31 vendime/mendime) i referohen raportimeve të pasakta ose të pavërteta ose shkelje të nenit 1 të Kodit të Gazetarëve. Mesatarisht, çdo muaj gjatë vitit 2023 janë pranuar 2.33 ankesa, në të cilat është konstatuar shkelje e nenit 1.
Nga analiza e rasteve të shqyrtuara nga Komisioni për Ankesa pranë KEMM rezulton se në një numër të madh tekstesh gazetareske thuajse mungon “ana e dytë”. Shpeshherë konstatohet se tekstet mungojnë të paktën dy burime të pavarura ose të palidhura mes vete.
Kjo para së gjithash është pasojë e ndarjes së thellë të medias në vija politiko-partiake, e cila ndikon në prodhimin dhe transmetimin e dy rrëfimeve mediatike paralele/kundërshtuese para publikut, të cilat demonizojnë anën ndaj së cilës ata kanë një qasje kritike. Joprofesionalizmi në gazetari shpesh ndikohet nga interesat ekonomike, tregtare dhe personale të pronarëve ose redaktorëve të mediave.
Por besohet se faktori dominues që rezulton në joprofesionalizëm është mungesa e ndonjë rregullimi mediatik në sferën online. Një pjesë e gazetarëve dhe redaktorëve këtë e interpretojnë si “liri absolute”, pra se në mediat (portalet) online çdo gjë është e lejuar. Por në thelb, mungesa e rregullores për mediat online nuk do të thotë se lejohen shkeljet e normave profesionale dhe etike në gazetari.
Raportimi i njëanshëm ndikohet edhe nga jotransparenca e institucioneve, por edhe e partive politike. Ndonëse gazetarët që kanë kërkuar përgjigje nga “pala e dytë” dhe nuk e kanë marrë, shpesh e shpërfillin detyrimin për ta theksuar këtë në tekstin/kronikën e tyre gazetareske.
Disa gazetarë publikojnë me vetëdije përmbajtje që bazohet vetëm në një burim. Por një nga faktorët kyç që rezulton në informacione të pasakta, të paverifikuara apo të njëanshme në media është se gazetarët nuk njohin mjaftueshëm standardet profesionale të profesionit. Disa prej tyre janë pa studime të kryera ose me fakultete të kryera, të cilët nuk kanë asnjë pikë kontakti me gazetarinë, ndaj konsiderojnë se e plotësojnë “aspiratën e tyre gazetareske” duke përfaqësuar vetëm njërën anë të ngjarjes. Disa nga reporterët janë të rinj dhe pa eksperiencë në profesion, fakt ky që keqpërdoret nga kryeredaktorët/redaktorët, duke i detyruar ata të raportojnë në mënyrë të njëanshme.
Rekomandime
Në një raport të përgatitur nga Platforma për Kontrollin e Lajmeve hibrid.info dhe Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës bën disa rekomandime për redaksitë e lajmeve:
- Verifikimi i burimeve të informimit;
- Balancimi i informacionit në përmbajtjen gazetareske;
- Duke i dhënë më shumë rëndësi saktësisë sesa shpejtësisë për të publikuar lajme.
Për çfarë produkti më cilësor dhe më të përgjegjshëm gazetaresk rekomandohet një analizë e kontekstit të ngjarjeve para publikimit të tregimit, sepse konteksti i materialeve të shpërndara në internet mund të jetë manipulues.
Sistemi i medias do të përfitojë nëse një pozicion futet në redaksitë – një redaktor i veçantë për kontrollin e fakteve, siç kanë bërë disa media evropiane dhe amerikane.
Megjithatë, sipas tekstit të cituar, situata financiare dhe kapaciteti i stafit nuk i lejojnë mediat të punësojnë një redaktor të veçantë për të verifikuar faktet, por kjo nuk do të thotë që gazetarët/redaktorët duhet të pranojnë pa rezerva gjithçka që u serviret.
“Një gazetar ose redaktor i mirë është ai që është gjithmonë dyshues ndaj autoriteteve dhe informacionit të vendosur prej tyre. Kjo do të thotë që redaktorët e lajmeve, në çfarëdo mediumi të jenë, duhet të hapin “katër sy”, në mënyrë që të mos u mohohet, duke vënë kështu në dyshim besueshmërinë e audiencës.
Redaktorët duhet të konsultohen vazhdimisht me gazetarët dhe nëse kanë dilema për vërtetësinë e fakteve, të marrin kohën e tyre në publikimin e storjes. Ata duhet të motivojnë gazetarët të eksplorojnë burime të tjera shtesë për një pamje sa më të plotë që të jetë e mundur. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur burimet janë anonime ose të paidentifikuara”.
Mediat nuk duhet të lejojnë prodhimin e lajmeve bazuar në parashikime, supozime ose ngatërresa, që burojnë nga gazetarët ose të tjerët për ngjarje ose çështje të caktuara.
(Autori është profesor universitar në fushën e gazetarisë dhe komunikimit publik, si dhe anëtar i Komisionit për Ankesa në KEMM).
—
Ky tekst është i përpunuar nga KEMM në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: mbështetja e gazetarisë si një e mirë publike”, i finansuar nga UNESCO. Teksti jo medoemos i pasqyron qëndrimet e UNESCO.