Biseda për gazetarinë etike me nxënës të shkollave të mesme dhe studentë

Burimi kryesor i informacionit për nxënësit e shkollave të mesme me të cilët biseduam në gjimnazin “Josip Broz Tito” në Shkup janë rrjetet sociale. Ata thonë se nuk u besojnë shumë mediave tradicionale dhe online, edhe pse e kanë të vështirë t’i shpjegojnë arsyet për këtë. Ata shkëmbejnë informacion mes tyre, kryesisht përmes Instagram-it dhe TikTok-ut, ndërsa për zhvillimet në qytet dhe në vend, nëse janë të interesuar, më së shpeshti informohen nga prindërit dhe personat e afërt.

Për një përgatitje më të mirë të të rinjve që të zgjedhin një burim të besueshëm informacioni, të dinë të njohin dezinformatat dhe përmbajtjet manipuluese, por edhe për rëndësinë e respektimit të rregullave të gazetarisë së përgjegjshme, Këshilli për Etikën në Media i Maqedonisë organizon dhjetë punëtori, në shkolla të mesme dhe universitete nëpër vend, si pjesë e projektit “Nxitja e një qasjeje etike në raportim te gazetarët e rinj potencialë”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Punëtoritë do të mbahen në gjithsej gjashtë shkolla të mesme në Shkup, Tetovë dhe Shtip, por edhe në fakultetet për gazetari, komunikime ose për shkenca juridike në universitetet e këtyre qyteteve.

Të rinjtë shpesh janë viktima të dezinformatave dhe përmbajtjeve manipuluese, ndërsa jo rrallë futen edhe në diskutime virtuale që përfundojnë me diskriminim ose madje edhe me gjuhë urrejtjeje. Është e rëndësishme që ata t’i kuptojnë rreziqet nga ndjekja dhe shpërndarja pa dallim dhe pa kritikë e përmbajtjeve në internet, përkatësisht vazhdimisht ta përmirësojnë shkrim-leximin e tyre medial, paralelisht me zhvillimin teknologjik të mediave dhe me rreziqet e reja që sjell ky proces.

Vetërregullimi mediatik është një nocion i ri për shumicën më të madhe të nxënësve të shkollave të mesme, por pas njohjes së shkurtër me qëllimet e këtij mekanizmi për korrigjimin e përmbajtjeve gazetareske dhe me të drejtën e qytetarëve për të reaguar nëse dyshojnë se një media shpërndan përmbajtje joetike dhe shkel Kodin e Gazetarëve të Maqedonisë, ata thonë se “tani fuqia është në duart tona”.

Projekti “Nxitja e një qasjeje etike në raportim te gazetarët e rinj potencialë” është pjesë e aktivitetit më të gjerë projektues me titull “Akademia e Trajnimit për Gazetarë dhe Punonjës të Medias -T-AJM”, që e realizon Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Scroll to Top