Statuti i Shoqatës Këshilli për etikë në media në Maqedoni ETIKA PRES Shkup

Në bazë të Nenit 18 dhe Nenit 104 të Ligjit për shoqata dhe fondacione (Gazeta Zyrtare e R. M. nr. 52/10, 16.04.2010),Kuvendi i Shoqatës Këshilli për etikë në media në Maqedoni, ETIKA PRES Shkup, në takimin e mbajtur me datë 30.03.2017, miratoi dhe solli Statutin me të cilin rregullohet veprimtaria, struktura organizative dhe funksionimi i organizatës.

 

Statuti i Këshillit për etikë në media në Maqedoni – ETIKA PRES Shkup

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Shoqata Këshilli për etikë në media në Maqedoni, ETIKA PRES Shkup (në tekstin e mëtejmë, Këshilli) objektivat, detyrat dhe aktivitetet e tij i realizon në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë, në bazë të Kodeksit të gazetarëve të Maqedonisë, si dhe në bazë të të gjitha dokumenteve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Maqedonisë në lidhje me lirinë e mediave, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut.

Këshilli është trup vetë-rregullues, misioni dhe objektivi i të cilit është avancimi dhe mbrojtja e standardeve profesionale dhe etikës në media në Republikën e Maqedonisë.

Neni 2

Ky Statut është në përputhje me Nenin 18, paragrafi 1, të Ligjit për shoqata dhe fondacione dhe rregullon:

  • emrin dhe selinë,
  • objektivat e Këshillit,
  • aktivitetet për të realizuar objektivat,
  • mënyrën e vendosjes për anëtarësim, përjashtim dhe ndërprerje të anëtarësisë në Këshill,
  • të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e anëtarëve,
  • llojin e organeve dhe përbërjen e tyre, mënyrën e emërimit dhe shkarkimit, kohëzgjatjen e mandatit të anëtarëve të organeve dhe mënyrën e vendimmarrjes,
  • përfaqësimin në bazë të ligjit,
  • mënyrën e fitimit dhe disponimit me mjetet,
  • mënyrën e miratimit të raporteve financiare dhe raporteve të tjera,
  • mënyrën e realizimit të transparencës dhe llogaridhënies në punë,
  • mënyrën e miratimit, ndryshimit dhe plotësimit të Statutit,
  • mënyrën e vendimmarrjes për ndryshime statutore dhe ndërprerjen e veprimtarisë së Këshillit,
  • mënyrën e miratimit të planeve dhe programeve dhe veprimin me mjetet dhe/ose pronën në rast të ndërprerjes së veprimtarisë të Këshillit,
  • shenjën dhe simbolin e Këshillit,
  • mënyrën e miratimit të akteve të tjera,
  • konfliktin e interesave,
  • mënyrën e zgjidhjes së çështjeve kontestuese dhe çështjeve të tjera me rëndësi për punën dhe realizimin e objektivave të Këshillit.

Neni 3

Këshilli është organizatë joqeveritare, jopolitike dhe jofitimprurëse, e cila bazuar në parimin e vullnetit të lirë, bashkon anëtarët e tij për të realizuar qëllimet dhe aktivitetet e përcaktuara me këtë Statut.

Veprimtarinë e tij, Këshilli e bazon në parimet e të qenit të hapur dhe transparentë, dhe lirshëm promovon qëndrimet dhe opinionet, nxit iniciativa dhe merr pjesë në ndërtimin dhe përmirësimin, mbrojtjen dhe avancimin e standardeve profesionale dhe të etikës në mediat në Republikën e Maqedonisë.

Këshilli është organ për vetë-rregullimin e mediave nëpërmjet zbatimit të sanksioneve morale kundrejt atyre që nuk respektojnë standardet profesionale dhe Kodeksin e gazetarëve.

Këshilli është person juridik.

Selia e Këshillit gjendet në adresën: Teodosij Golloganov 54/2, 1000, Shkup.

Emri i plotë i Këshillit është: Këshilli për Etikë në Media në Maqedoni.

Shkurtesa e emrit të Këshillit është: KEMM.

Emri i Këshillit në anglisht është: Council of Media Ethics of Macedonia.

Këshilli mund të ndryshojë emrin dhe selinë me propozim të Bordit drejtues.

Vendimin për ta ndryshuar selinë e merr Bordi drejtues i Këshillit.

Vendimin për të ndryshuar emrin e merr Kuvendi i Këshillit.

OBJEKTIVAT DHE AKTIVITETET E KËSHILLIT

OBJEKTIVAT

Neni 4

Këshilli është trup vetë-rregullues, i cili kryen një shkallë të caktuar të rregullimit të mediave përmes:

  • Mbrojtjes së lirisë të mediave dhe të drejtës së opinionit për t’u informuar,
  • Parandalimit të ndikimit të shtetit, partive politike dhe qendrave të tjera të ndikimit mbi mediat,
  • Mbrojtjes së interesave të opinionit, duke siguruar një proces të pavarur efikas dhe të drejtë për zgjidhjen e ankesave në lidhje me përmbajtjet mediatike,
  • Promovimit të cilësisë në përmbajtjet mediatike, duke miratuar udhëzime të qarta dhe praktike për punën e redaktorëve dhe gazetarëve,
  • Ngritjes së vetëdijes të opinionit mbi standardet profesionale dhe etike që duhet t’i respektojnë mediat,
  • Krijimit të një mjedisi për autokritikë, vetë-ndërgjegjësim dhe llogaridhënie të mediave ndaj opinionit,
  • Lehtësimit të qasjes në media për opinionin,
  • Zhvillimit të vazhdueshëm të kodeksit etik të gazetarëve dhe
  • Reduktimit të të gjitha formave të censurës dhe vetë-censurës në gazetari.

AKTIVITETET

Neni 5

Realizimin e objektivave të përcaktuara në Nenin 4, Këshilli e kryen përmes këtyre veprimtarive dhe aktiviteteve: avancon dhe mbron profesionin e gazetarisë përmes avancimit dhe mbrojtjes të standardeve etike në media, duke përforcuar vetë-rregullimin në media në Republikën e Maqedonisë.

  • monitorimin e zbatimit të standardeve profesionale në raportimin gazetaresk në Republikën e Maqedonisë;
  • ofrimin e asistencës profesionale dhe këshillimore për anëtarët e Këshillit, për opinionin dhe profesionistët më gjerë;
  • organizimin e seminareve, punëtorive, konferencave, debateve, me qëllim avancimin e standardeve profesionale dhe promovimin e punës së Këshillit;
  • ngritjen e iniciativave para organeve kompetente me qëllim krijimin e kushteve për funksionim të lirshëm të trupit vetë-rregullues për media në Republikën e Maqedonisë;
  • shkëmbimin e përvojave dhe informacioneve me shoqata të ngjashme dhe me organizata të tjera joqeveritare në vend dhe jashtë vendit;
  • botimin e librave, broshurave, buletinëve dhe botimeve të tjera, si dhe krijimin e një faqeje të internetit për të realizuar objektivat e Këshillit.

Neni 6

Për të arritur objektivat dhe detyrat e tij, Këshilli vepron në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë, në bazë të Kodeksit të gazetarëve të Maqedonisë, në bazë të parimeve të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, si dhe në bazë të të gjitha dokumenteve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Maqedonisë, në lidhje me lirinë e mediave, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut.

ANËTARËT E KËSHILLIT

Neni 7

Anëtar i Këshillit mund të jetë çdo person juridik i regjistruar tek organet kompetente në territorin e Republikës së Maqedonisë, që kryen aktivitete në fushën e gazetarisë dhe industrisë mediatike.

Me nënshkrimin dhe pranimin e Statutit bëheni anëtar të Këshillit.

Anëtarë të Këshillit janë mediat dhe shoqatat që merren me mbrojtjen dhe avancimin e veprimtarisë së mediave.

Anëtar, mund të jetë çdo media që krijon përmbajtje të veta të karakterit informativ, në përputhje me standardet profesionale dhe me normat etike.

Për pranim të një anëtari të ri vendos Bordi Drejtues, i cili e shqyrton kërkesën për anëtarësim dhe vërteton nëse kandidati pranon Statutin dhe programin e Këshillit.

Anëtarët paguajnë anëtarësi vjetore, shuma e së cilës përcaktohet nga Kuvendi.

Këshilli për anëtarët e tij mban regjistër, i cili azhurnohet të paktën një herë.

Neni 8

Në përputhje me dispozitat e këtij Statuti, anëtarët e Këshillit kanë këto të drejta dhe përgjegjësi:

  • t’ju përmbahen dispozitave të këtij Statuti,
  • moralisht dhe në mënyra të tjera të ruajnë reputacionin e Këshillit,
  • të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur në organet e Këshillit,
  • të marrin pjesë në mënyrë aktive në realizimin e objektivave dhe detyrave të Këshillit, në pajtim me këtë Statut,
  • të shqyrtojnë dhe vlerësojnë punën e Këshillit,
  • të jenë të informuar në kohë për punën e Këshillit,
  • të marrin pjesë në të gjitha seancat që i organizon Këshilli,
  • të japin sugjerime, të bëjnë pyetje dhe të kërkojnë përgjigje
  • të realizojnë të drejta dhe përfitime të tjera, në përputhje me vendimet dhe aktet e tjera të Këshillit,
  • të kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga Këshilli gjatë zgjidhjes së çështjeve profesionale dhe të tjera,
  • t’i respektojnë dhe t’i publikojnë vendimet e Komisionit për ankesa, veçanërisht kur ankesa ka të bëjë me median e tyre.

Anëtarët e Këshillit janë të barabartë në realizimin e të drejtave dhe detyrave të tyre.

Neni 9

Anëtarësia në Këshill mbaron:

  • me largimin vullnetar nga Këshilli me anë të një njoftimi me shkrim dërguar Kryetarit të Këshillit,
  • me mospublikimin e vendimeve të Komisionit për ankesa tre herë bredna një viti, kur ankesa ka të bëjë me median – anëtare dhe nëse i është tërhequr vëmendja edhe më herët. Në rast të këtillë, për të aplikuar sërish për anëtarësi në KEMM, duhet të kalojë një vit nga data e largimit nga Këshilli,
  • me përjashtimin nga Këshilli për shkeljen e Statutit dhe vendimeve të organeve të Këshillit, apo për shkak të cenimit të reputacionit të Këshillit,
  • për shkak të mos pagesës së anëtarësisë për më shumë se gjashtë muaj,
  • për shkak të përfundimit të punës së personit juridik,
  • për shkak të përfundimit të punës së Këshillit.

Vendimin për përfundimin e statusit anëtar i Këshillit e sjell Kuvendi, me propozim të kryetarit të Bordit Drejtues. Anëtari i Këshillit njoftohet me shkrim për përjashtim nga Këshilli, ku tregohen arsyet për të cilat është përjashtuar.

Personi i cili nuk është i kënaqur me vendimin e Këshillit, mund të parashtrojë ankesë në Kuvendin e Këshillit brenda 15 ditëve nga marrja e vendimit. Kuvendi i Këshillit e merr në shqyrtim ankesën në seancën e parë të radhës dhe merr vendim përfundimtar.

Neni 10

Për ankesë të një anëtari të Këshillit i cili është larguar, Kuvendi i Këshillit mund të sjellë një rregullore, që do të jetë në përputhje me Ligjin dhe këtë Statut, i cili në mënyrë më të përafërt do të përcaktojë mënyrën dhe procedurën për anëtarësim dhe përfundim të anëtarësisë.

ORGANET E KËSHILLIT

Neni 11

Organet e Këshillit janë:

  • Kuvendi,
  • Bordi Drejtues,
  • Bordi Mbikëqyrës,
  • Drejtori Ekzekutiv,

Organet e Këshillit janë të obliguar:

  • që në kuadër të të drejtave dhe detyrave të tyre, t’i kryejnë punët me ndërgjegje dhe në pajtim me këtë Statut dhe aktet e tjera të Këshillit,
  • që të zhvillojnë dhe avancojnë veprimtarinë e Këshillit dhe në lidhje me këtë të informojnë anëtarësinë dhe opinionin,
  • që të sigurojnë pjesëmarrje të lirshme të anëtarëve në menaxhimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në realizimin e objektivave dhe aktiviteteve të Këshillit.

KUVENDI

Neni 12

Kuvendi është trupi më i lartë i Këshillit dhe përbëhet nga të gjithë anëtarët e tij.

Kuvendi zgjedh Kryetar dhe Zëvendëskryetar të Kuvendit nga radhët e anëtarëve para fillimit të Kuvendit.

Kuvendi i Këshillit thirret dhe drejtohet nga Kryetari i KEMM-it, dhe në mungesë të tij, këtë e bën zëvendësi, më së voni 15 ditë para mbajtjes së kuvendit. Kryetari i Kuvendit është i obliguar të thërrasë seancën e Kuvendit atëherë kur këtë e kërkojnë të paktën një e treta e numrit të përgjithshëm të anëtarëve. Kuvendi i Këshillit mund të thirret dhe me kërkesë të dy të tretave të anëtarëve të Bordit Drejtues të Këshillit.

Neni 13

Kuvendi i Këshillit vepron dhe vendos në seanca publike në bazë të këtij Statuti dhe sipas akteve të tjera të Këshillit, nëse në to marrin pjesë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kuvendi i merr vendimet me shumicë të thjeshtë të votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, përveç nëse nuk është përcaktuar ndryshe me këtë Statut.

Prononcimi në seancat e Këshillit është publik.

Neni 14

Anëtarët e Kuvendit nuk mund të votojnë lidhur me çështjet ku palët kanë koflikt interesash, dhe nëse çështjet kanë të bëjnë me ta.

Neni 15

Kompetencat e Kuvendit:

  • të miratojë Statutin, programin për punë, Rregulloren dhe aktet e tjera;
  • të miratojë raportin vjetor për punë dhe raportin financiar,
  • të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarin e Kuvendit,
  • të emërojë dhe shkarkojë anëtarët e Bordit Drejtues,
  • të emërojë dhe shkarkojë anëtarët e Bordit Mbikëqyrës,
  • kryen dhe aktivitete të tjera në pajtim me Statutin.

Neni 16

Kuvendi mban seancë të paktën një herë në vit, dhe sipas nevojës mund të thërrasë dhe seancë të jashtëzakonshme.

Kuvendi vepron në pajtim me këtë Statut dhe Rregulloren për punë të Kuvendit, e cila për së afërmi përcakton kushtet, mënyrat, shumicën e nevojshme dhe procedurat për thirrje, funksionim dhe marrje të vendimeve në Kuvend, si dhe përzgjedhjen e personave, organeve dhe trupave nën kompetencat e tij.

Neni 17

Kuvendi mblidhet me thirrje publike dhe me ftesë me shkrim dërguar anëtarëve nga kryetari i Bordit Drejtues.

Kuorumi i nevojshëm për funksionimin e Kuvendit është shumica e thjeshtë e numrit të anëtarëve të Kuvendit.

Kuvendi vendos përmes votimit publik, përpos për emërimin e anëtarëve të Bordit Drejtues.

BORDI DREJTUES I KËSHILLIT

Neni 18

Bordi drejtues është organ ekzekutiv i Këshillit, i cili e organizon dhe e harmonizon punën e Këshillit midis dy seancave të Kuvendit. Bordi Drejtues zbaton programin e Këshillit, planin financiar dhe vendimet e Kuvendit.

Neni 19

Bordi drejtues përbëhet nga shtatë anëtarë dhe shtatë zëvendës anëtarë. Anëtarët e Bordit Drejtues dhe zëvendësit e tyre i zgjedh Kuvendi i shoqatës për një periudhë prej katër vitesh, me mundësi për rizgjedhje. Katër nga anëtarët e Bordit Drejtues zgjedhen nga përfaqësuesit e pronarëve të mediave, ndërsa tre nga gazetarët që i propozon SHGM-ja.

Bordi drejtues nga radhët e tij zgjedhë Kryetarin dhe një Zëvendëskryetar.

Neni 20

Bordi Drejtues takohet sipas nevojës, të paktën katër herë brenda vitit. Seancat e Bordit Drejtues thirren nga kryetari ose, në mungesë të tij, nga nënkryetari, më së voni 7 ditë para seancës. Në seancë marrin pjesë anëtarët, por në rast kur njëri prej tyre mungon, atëherë merr pjesë zëvendësi i tij.

Neni 21

Bordi drejtues i ka këto kompetenca:

  • përgatit seancat e Kuvendit;
  • përgatit draft-statutin dhe aktet e tjera që i miraton Kuvendi;
  • zbaton politikën, konkluzionet dhe vendimet e Kuvendit;
  • vendos për shfrytëzimin e mjeteve të Kuvendit në përputhje me planin financiar;
  • vërteton llogaritë gjysmëvjetore dhe vjetore për realizimin e planit vjetor të aktiviteteve;
  • parashtron për miratim raporte periodike apo vjetore për punën e vet;
  • emëron dhe shkarkon anëtarë të Komisionit për ankesa;
  • merr vendime për shpërblime dhe mirënjohje;
  • vendos në lidhje me furnizimet, shitjen dhe shlyerjen e vlerave të mjeteve kryesore;
  • shqyrton dhe vendos në lidhje me propozimet dhe raportet që i dorëzon Drejtori Ekzekutiv;
  • kryen edhe detyra të tjera që do t’i besohen nga Kuvendi, në përputhje me Ligjin dhe me këtë Statut dhe
  • zgjedh Drejtorin Ekzekutiv përmes shpalljes publike.

Neni 22

Bordi Drejtues mund të sjellë dhe të miratojë vendime të formës së prerë, me praninë e shumicës nga numri i përgjithshëm i anëtarëve.

Vendimet e Bordit drejtues merren me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve.

Prononcimi në seancat e Bordit Drejtues është publik.

Neni 23

Anëtari i Bordit drejtues mund të shkarkohet nga detyra para skadimit të mandatit:

  • me kërkesë personale,
  • në qoftë se pa ndonjë arsye nuk merr pjesë në tri mbledhje të njëpasnjëshme,
  • nëse me sjelljen e tij cenon reputacionin e Këshillit,
  • në raste të tjera të parashikuara me Ligj ose me këtë Statut dhe akte të tjera të Këshillit.

Për përfundimin e anëtarësisë shqyrton dhe vendos Bordi Drejtues i Këshillit, ndërsa vendimin e vërteton Kuvendi i Këshillit.

Neni 24

Kryetari dhe zëvendësi i Bordit Drejtues janë njëkohësisht dhe Kryetar dhe Zëvendëskryetar të Këshillit.

Neni 25

Kryetari i Bordit Drejtues ka këto kompetenca:

  • thërret seancat e Bordit Drejtues me vetë iniciativë ose me kërkesë të të paktën një të tretës së anëtarëve të tij,
  • menaxhon punën e Bordit Drejtues dhe të Këshillit,
  • kujdeset për zbatimin e aktiviteteve programore, vendimeve, konkluzioneve dhe udhëzimeve të Kuvendit,
  • kujdeset për realizimin e planit të të ardhurave dhe të shpenzimeve të Këshillit,
  • i nënshkruan aktet që i miraton Bordi Drejtues,
  • në mënyrë të pavarur ose bashkërisht me anëtarët e Bordit Drejtues realizon kontakte të drejtpërdrejta me të gjitha subjektet që mund të ofrojnë ndihmë financiare ose ndonjë ndihmë tjetër për Këshillin,
  • përgatit analiza, informacione dhe materiale të tjera për Kuvendin,
  • kryen dhe detyra të tjera që do t’i besohen nga Kuvendi dhe nga Bordi Drejtues.

BORDI MBIKËQYRËS I KËSHILLIT

Neni 26

  • Bordi mbikëqyrës ka pesë anëtarë dhe pesë zëvendës anëtarë. Anëtarët e Bordit mbikëqyrës i zgjedhë Kuvendi i Shoqatës për një periudhë katër vjeçare, me mundësi për rizgjedhje. Tre nga anëtarët e Bordit Mbikëqyrës zgjedhen nga përfaqësuesit e pronarëve të mediave, ndërsa dy prej tyre nga gazetarët që i propozon SHGM-ja.
  • Anëtarët e Bordit Mbikëqyrës nga radhët e tyre zgjedhin Kryetarin e Bordit Mbikëqyrës dhe një zëvendës. Mandati i anëtarëve të Bordit mbikëqyrës është katër vjeçar, me mundësi për rizgjedhje. Në rast të përfundimit të parakohshëm të anëtarësisë së një anëtari në Bordin Mbikëqyrës, anëtari i ri i Bordit Mbikëqyrës, i cili do ta zëvendësojë, do ta përfundojë mandatin e tij.

Bordi Mbikëqyrës i KEMM-it:

  • kryen kontrollin mbi zbatimin e Statutit dhe akteve të tjera të përgjithshme të KEMM-it;
  • kryen kontrollin mbi punën materiale-financiare të KEMM-it;
  • kryen kontrollin mbi disponimin e dedikuar të mjeteve dhe të ardhurave të KEMM-it;
  • të paktën një herë në vit dërgon te Kuvendi i KEMM-it, Raportin mbi konstatimet dhe vendimet e tij;
  • nëse vlerëson se është e nevojshme, në pajtim me Statutin e KEMM-it, mund të thirrë seancë të jashtëzakonshme të Bordit Drejtues të KEMM-it.
  • në seancë marrin pjesë anëtarët, por në rast kur mungon njëri prej tyre, atëherë, merr pjesë zëvendësi i tij.

DREJTORI EKZEKUTIV I KËSHILLIT

Neni 27

Këshilli ka Drejtor ekzekutiv që e zgjedhë Bordi Drejtues, me një mandat katër vjeçar, me mundësi për rizgjedhje. Drejtori ekzekutiv jep llogari para Bordit Drejtues dhe para Kuvendit.

Neni 28

Drejtori ekzekutiv ka këto kompetenca dhe obligime:

  • të kryejë punët e Këshillit me përgjegjësi dhe në përputhje me Ligjin,
  • të merr pjesë në aktivitetet e të gjitha organeve të Këshillit,
  • të propozojë te Bordi Drejtues planin strategjik dhe planin e veprimit për vitin aktual,
  • të ndërmerr masa dhe aktivitete për realizimin e planit të miratuar vjetor, vendimeve dhe akteve të tjera të miratuara nga Kuvendi dhe Bordi Drejtues,
  • të dorëzojë raporte vjetore dhe periodike për punën e vet, dhe raport financiar te Kuvendi, përmes Bordit Drejtues,
  • me autorizim nga kryetari i Bordit Drejtues, të paraqesë dhe të përfaqësojë Këshillin para opinionit,
  • të përgjigjet për organizimin dhe menaxhimin e aktiviteteve në shërbimin administrativo-teknik të Këshillit dhe në njësitë e tjera, nëse ekzistojnë, në përputhje me Rregulloren për përshkrimin e detyrave të punës dhe akteve për sistematizimin e vendeve të punës,
  • të kryejë dhe punë të tjera në pajtim me Ligjin dhe me këtë Statut,
  • ta paraqesë dhe përfaqësojë Këshillin në mbrojtjen ligjore.

Neni 29

Drejtori ekzekutiv i Këshillit mund të shkarkohet nga detyra nga Bordi Drejtues, para skadimit të mandatit:

  • me kërkesë personale,
  • nëse nuk kryen punët dhe detyrat e specifikuara në kontratën për punë,
  • në raste të tjera të parashikuara me Ligj dhe me këtë Statut.

Neni 30

Vendimin për shkarkimin e Drejtorit Ekzekutiv e miraton Bordi Drejtues.

KOMISIONI PËR ANKESA

Neni 31

Në Këshill vepron trupi këshillimor, Komisioni për ankesa, të cilin e emëron Bordi Drejtues me konsensus, me mandat katërvjeçar, me mundësinë për një rizgjedhje. Komisioni për ankesa përbëhet nga shtatë anëtarë, të zgjedhur sipas parimeve të mëposhtme:

  • dy përfaqësues të pronarëve të mediave;
  • dy përfaqësues të gazetarëve të propozuar nga SHGM-ja;
  • tre përfaqësues të jetës publike, të cilët janë ekspertë të sferës së mediave, etikës në gazetari, të drejtës mediatike dhe të sferave të tjera të ngjashme.

Komisioni i emëruar për ankesa (ose parashtresa) nga radhët e tij zgjedh kryetarin dhe një zëvendës, të cilët kanë për detyrë të thirrin dhe udhëheqin seancat e Komisionit.

Neni 32

Anëtarë të Komisionit për ankesa nuk mund të jenë anëtarët e Bordit Drejtues të Këshillit, politikanët, dhe anëtarët e organeve partiake.

Neni 33

Komisioni për ankesa ka këto obligime dhe kompetenca:

  • shqyrton ankesat nga qytetarët, personat juridikë, organizatat qytetare dhe organizatat ndërkombëtare në lidhje me përmbajtjet e publikuara në media e shtypura, elektronike dhe mediat onlajn;
  • ndërmjetëson midis personave të cilët kanë parashtruar ankesë dhe medias medias, përmbajtjes së të cilës i referohet ankesa;
  • merr vendime mbi ankesat që kanë të bëjnë me shkeljet e mundshme të Kodeksit;
  • jep rekomandime për redaktorët dhe mediat për të shmangur shkeljen e Kodeksit dhe të parimeve të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve;
  • miraton udhëzime në bazë të interpretimit të dispozitave të Kodeksit;
  • inicion shqyrtime rreth çështjeve të veçanta të rëndësishme në lidhje me dispozitat e Kodeksit;
  • shqyrton rezultatet nga monitorimi dhe hulumtimi në lidhje me respektimin e standardeve profesionale në përmbajtjet e mediave dhe në bazë të vlerësimit të tij ngrit iniciativa për reagim publik.

Neni 34

Komisioni për ankesa i Këshillit mund të merr vendime me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve.

Neni 35

Komisioni për ankesa takohet sipas nevojës, të paktën një herë në muaj. Mënyra e funksionimit të Komisionit për ankesa rregullohet me anë të një rregulloreje të veçantë për punë të Komisionit për ankesa, të cilën e miraton Kuvendi me propozim të Bordit Drejtues.

PRONA E KËSHILLIT

Neni 36

Prona e Këshillit përbëhet nga mjetet financiare, pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme. Pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme është e përbërë prej mjeteve kryesore dhe inventarit.

Neni 37

Këshilli financohet nga burimet e mëposhtme:

  • anëtarësia,
  • donacionet dhe dhuratat nga institucionet publike, personat fizikë dhe juridikë, vendasë dhe të huaj, nga para të gatshme, shërbime dhe prona të çfarëdo lloji,
  • interesi, qiraja, honorarët dhe burime të ngjashme të të ardhurave pasive të fituara nga realizimi i objektivave dhe aktiviteteve të Këshillit, siç është përcaktuar me Statut dhe
  • të ardhura të tjera në pajtim me Ligjin dhe këtë Statut.

Shuma, mënyra e pagesës së anëtarësisë, si dhe mënyra e shfrytëzimit të mjeteve nga anëtarësia, rregullohet me Vendimin për anëtarësi që e miraton Kuvendi.

Neni 38

Bordi Drejtues e dorëzon planin vjetor financiar dhe raportin për miratim në Kuvend. Nëse për ndonjë arsye Kuvendi nuk mund të mblidhet, planin e përkohshëm financiar dhe raportin e miraton Bordi Drejtues. Në përputhje me planin financiar dhe programin për punë, mjetet e Këshillit mund të përdoren vetëm për realizimin e objektivave të Këshillit.

Neni 39

Në përputhje me këtë Statut dhe me Ligjin, Bordi Drejtues është përgjegjës për realizimin, përdorimin dhe shfrytëzimin e mjeteve të Këshillit. Vendimet mbi të ardhurat, shpenzimet, mbulimin e humbjes dhe shlyerjen e detyrimeve të papaguara i merr Bordi Drejtues, në përputhje me planin financiar dhe programin e Këshillit.

Realizimi, shfrytëzimi dhe disponimi i mjeteve të Këshillit përcaktohet me planin financiar, të cilin e miraton Kuvendi me propozim të Bordit Drejtues.

Neni 40

Personave në funksionet e zgjedhura të Këshillit dhe të tjerëve, mund të ju përcaktohet kompensim në të holla për mbulimin e shpenzimeve si rezultat i kryerjes së punëve dhe detyrave të besuara.

Vendimin për kompensim nga paragrafi paraprak e miraton Bordi Drejtues i Këshillit.

Neni 41

Puna materiale-financiare e Këshillit do të menaxhohet në përputhje me parimet përgjithësisht të pranuara të kontabilitetit, me detyrimin për të përpiluar raport financiar gjysmëvjetor dhe vjetor, në përputhje me dispozitat valide ligjore.

Neni 42

Bordi drejtues mund të miratojë rregullore dhe akte, me të cilat prej së afërmi përcaktohet mënyra e mbledhjes dhe shpërndarjes së mjeteve.

BASHKIMI, NDARJA, TRANSFORMIMI DHE PËRFUNDIMI I VEPRIMATRISË SË KËSHILLIT

Neni 43

Këshilli mund të bashkohet, ndahet ose transformohet vetëm në një shoqatë tjetër. Vendimin për qëndrimin e mësipërm e merr Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave të të gjithë anëtarëve. Me këtë vendim rregullohet emri dhe selina e Këshillit, d.m.th. ndarja e pronës, të drejtat dhe detyrimet, si dhe çështjet e tjera statusore.

Neni 44

Këshilli mund të përfundojë veprimtarinë e tij vullnetarisht apo me Ligj. Vendimi për përfundimin vullnetar të veprimtarisë së Kuvendit të Këshillit merret me shumicën e dy të tretave të votave të të gjithë anëtarëve.

Njëkohësisht, Kuvendi miraton planin për likuidimin e Këshillit, me të cilin përcaktohet shpërndarja e pronës, të drejtat dhe detyrimet e Këshillit, në pajtim me Ligjin dhe me këtë Statut, duke shlyer paraprakisht detyrimet ligjore dhe kontraktuale. Në bazë të vendimeve të Kuvendit, prona e mbetur, pas shlyerjes së detyrimeve nga paragrafi paraprak do t’i jepet një shoqateje tjetër që kryen veprimtari të njëjtë ose të ngjashme statutore.

Neni 45

Iniciativën për përfundimin e veprimtarisë së Këshillit mund ta japë një e treta e të gjithë anëtarëve të shoqatës, nëse:

  • numri i anëtarëve të Këshillit zvogëlohet nën minimumin e paraparë me ligj për themelimin e një shoqate;
  • nëse Këshilli dy vite me radhë nuk kryen aktivitete, dhe gjendja financiare është zero;
  • dhe në rastet e tjera të parashikuara me ligj.

Iniciativa për përfundimin e veprimtarisë së Këshillit parashtrohet tek kryetari i Këshillit, i cili e përgatit materialin për Kuvendin.

Neni 46

Këshilli përfundon veprimtarinë me Ligj dhe në përputhje me dispozitat e Nenit 51 dhe Nenit 52 të Ligjit për shoqata dhe fondacione.

Këshilli është i obliguar që çdo ndryshim statusor ta paraqesë brenda afatit të përcaktuar me ligj në ministrinë përkatëse.

VEPRIMTARIA PUBLIKE

Neni 47

Veprimtaria e të gjitha organeve të Këshillit është publike dhe realizohet nëpërmjet informimit të drejtpërdrejtë dhe nëpërmjet mediave.

Neni 48

Për qëndrimet, konkluzionet dhe vendimet zyrtare të Këshillit, opinioni do të informohet rregullisht përmes njoftimeve për shtyp dhe përmes faqes së internetit, ndërsa anëtarët e Këshillit përmes buletinëve, telefonit, e-mail adresës ose letrave të dërguara në adresë personale të anëtarëve.

Çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë që gojarisht ose me shkrim të parashtrojë pyetje rreth ndonjë konkluzioni, vendimi apo segmenti të punës së Këshillit, që nënkupton se pyetja e tij do të marrë përgjigje përfundimtare në afat sa më të shkurtër.

Për veprimtarinë publike të Këshillit është përgjegjës Drejtori Ekzekutiv i Këshillit.

ÇËSHTJET STATUTORE DHE TË TJERA TË KËSHILLIT

Neni 49

Ndryshimet dhe plotësimet në Statutin e Këshillit i miraton Kuvendi i Këshillit me shumicë të thjeshtë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve.

Iniciativa për ndryshime dhe plotësime të Statutit mund të paraqesin dy të tretat e numrit të përgjithshëm të anëtarëve. Iniciativa i dërgohet Bordit Drejtues, i cili përgatit propozim për ndryshimet dhe plotësimet në Statut. Ndryshimet dhe plotësimet përfundimtare të Statutit i miraton Kuvendi.

Neni 50

Këshilli, përpos Statutit mund të ketë edhe akte të tjera të përgjithshme. Organet e Këshillit i miratojnë aktet e përgjithshme të Këshillit: rregulloret dhe vendimet, të cilat duhet të jenë në përputhje me Ligjin dhe këtë Statut.

VULA DHE SHENJA MBROJTËSE E KËSHILLIT

Neni 51

Këshilli ka vulën në formë rrethi me një diametër prej 4 cm., me një tekst të shkruar në formë gjysmërrethi.

Neni 52

Përdorimi, ruajtja dhe asgjësimi i vulës së Këshillit rregullohet me udhëzim të veçantë të Bordit Drejtues, për zbatimin e të cilit kujdeset Drejtori Ekzekutiv i Këshillit.

Neni 53

Shoqata ka shenjën e saj mbrojtëse, respektivisht logon e cila reflekton barazi, baraspeshë, drejtësi dhe liri.

MËNYRA E MBROJTJES DHE E PËRFAQËSIMIT TË KËSHILLIT

Neni 54

Në proceset juridike, Këshillin e mbrojnë dhe e përfaqësojnë Drejtori Ekzekutiv dhe kryetari i Bordit Drejtues brenda autorizimeve të tyre të përcaktuara me këtë Statut dhe me Ligjin.

Neni 55

Në procedurat në të cilat merr pjesë Këshilli si palë për realizimin e të drejtave të tij, obligimeve dhe përgjegjësive para organeve kompetente, Kryetari i Bordit Drejtues mund të jep autorizim me shkrim për përfaqësim nga avokati ose nga ndonjë profesionist tjetër.

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Neni 56

Ky Statut hyn në fuqi në datën e miratimit, dhe do të zbatohet nga data e regjistrimit të Këshillit në Regjistrin e shoqatave, në ministrinë përkatëse.

Neni 57

Argumentimin e këtij Statuti e bën Kuvendi i Shoqatës

NDËRPRERJA E VEPRIMTARISË SË KËSHILLIT

Neni 58

Këshilli do të pushojë së ekzistuari nëse:

  • merret vendimi për përfundimin e ekzistencës së tij, në pajtim me Statutin;
  • ka kaluar dyfish më shumë kohë nga koha e paraparë për mbajtjen e një seance të organit më të lartë, të përcaktuar me Statut, dhe ajo nuk është mbajtur;
  • brenda dy viteve të njëpasnjëshme nuk është dorëzuar llogaritja përfundimtare në përputhje me Ligjin;
  • bëhet ndryshim statusor që parasheh shuarjen e Shoqatës;
  • me vendim të gjykatës kompetente;
  • falimenton;
  • është zbatuar likuidimi në pajtim me dispozitat e Nenit 68-71 të Ligjit për shoqata dhe fondacione, dhe
  • nëse numri i anëtarëve zvogëlohet nën numrin e përcaktuar për themelim të Këshillit.

Neni 59

Pas përfundimit ligjor të veprimtarisë së Këshillit, prona dhe mjetet që mbeten pas shlyerjes së detyrimeve, i transferohen në pronësi trashëgimtarit legjitim ligjor, i cili do të caktohet më pas.

Në të kundërtën, prona dhe mjetet i transferohen Komunës Qendër ose Qytetit të Shkupit.

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 60

Statutin e Këshillit e miraton Kuvendi me shumicë të thjeshtë nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit, ndërsa e nënshkruan Kryetari i Këshillit.

Ky Statut hyn në fuqi në ditën e miratimit.

Trupat ekzistues, organet dhe personat e autorizuar të Këshillit, prej ditës së hyrjes në fuqi të këtij Statuti deri në ditën e mbajtjes së kuvendit të ri zgjedhor, mbajnë titujt e tyre dhe vazhdojnë të ushtrojnë kompetencat dhe detyrat e tyre si një zgjidhje teknike dhe kalimtare, deri në atë masë dhe mënyrë që është e nevojshme për funksionimin e pandërprerë të Këshillit, por pa marrë detyrime të paparashikuara financiare, si dhe pa bërë akte obliguese dhe akte me pasoja me/kundrejt personave të tretë, e në veçanti pa miratuar akte dhe vendime interne, të cilat do të pengojnë, shtyjnë apo pamundësojnë mbajtjen e Kuvendit zgjedhor.

Të gjitha aktet që janë në kundërshtim me atë që është thënë në paragrafin 1 të këtij Neni, do të konsiderohen të pavlefshme dhe nuk do të paraqesin veprim ligjor.

Neni 61

Menjëherë pas miratimit të këtij Statuti, do të pasojë votimi dhe miratimi i rregulloreve mbi procedurën për kandidimin dhe zgjedhjen e organeve dhe trupave të Këshillit, të parapara në Statut. Kandidimi dhe zgjedhja e organeve dhe trupave në kuvendin e parë të ardhshëm zgjedhor do të zbatohet në një procedurë sipas këtij Statuti dhe rregulloreve.

Neni 62

Në procedurën e përcaktuar me këtë Statut dhe Rregulloren për kandidim dhe zgjedhje të organeve dhe trupave të Këshillit, në kuvendin e parë të ardhshëm zgjedhor, së pari do të zgjedhen anëtarët e rinj të Bordit Drejtues, Bordit Mbikëqyrës, Kryetari i Bordit Drejtues respektivisht i Këshillit, ndërsa Bordi Drejtues i sapo zgjedhur, në afat që do ta përcaktojë Kuvendi, do të shpall konkurs për zgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të Këshillit.

Neni 63

Të gjitha çësthjet e rëndësishme për organizimin, veprimtarinë dhe punën e Këshillit të cilat nuk janë të rregulluara me Statutin, rregullohen me vendime dhe rregullore të posaçme.

Në përputhje me këtë Statut, rregulloret prioritare që specifikojnë punën e Këshillit, dhe që janë nën kompetencat e Kuvendit janë:

  • Rregullorja për anëtarësi dhe taksa të anëtarësisë;
  • Rregullorja për zgjedhjen dhe funksionimin e Bordit Drejtues;
  • Rregullorja për zgjedhjen dhe funksionimin e Bordit Mbikëqyrës;
  • Rregullorja e punës së Kuvendit;
  • Rregullorja për zgjedhjen dhe punën e kryetarit të Bordit Drejtues respektivisht Këshillit;
  • Rregullorja për zgjedhjen dhe funksionimin e Komisionit për ankesa;

Në përputhje me këtë Statut, rregulloret e mëposhtme që specifikojnë punën e Këshillit, dhe për miratimin e të cilave është i autorizuar Bordi Drejtues, janë:

  • Rregullorja për themelimin dhe funksionimin e seksioneve, grupeve të punës dhe trupave të tjerë;
  • Bordi Drejtues është i obliguar t’i përgatitë dhe miratojë Rregulloret e paragrafit 2 të këtij Neni, brenda 30 ditëve pas konstituimit të tij.

Neni 64

Kryetari i Këshillit do të shpallë thirrje publike për thirrjen e kuvendit zgjedhor të KEMM-it, në përputhje me dispozitat e këtij Statuti, më së voni në afat prej 60 ditëve nga data e miratimit të Statutit.

Me dispozitën e paragrafit 1 të këtij Neni, konsiderohet se është marrë vendimi për thirrjen e kuvendit zgjedhor, kështu që, nëse për ndonjë arsye Kryetari i KEMM-it nuk shpallë thirrje publike, atëherë, grupi i punës për përgatitjen e këtij Statuti ka të drejtën e deleguar të shpallë thirrjen publike, që do të thotë se thirrja për seancë dhe thirrja publike janë realizuar në mënyrë legjitime.

Neni 65

Ndryshime dhe plotësime në këtë Statut bëhen me të njëjtën procedurë, si për miratimin e tij.

Interpretim autentik të dispozitave të këtij Statuti jep Kuvendi i Këshillit në seancën e Kuvendit.

Ndërmjet dy kuvendeve, interpretimin e dispozitave të Statutit e bën Bordi Drejtues i Këshillit.

Neni 66

  1. Programi dhe aktivitetet e Këshillit nuk mund të synojnë:
  • përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues të Republikës së Maqedonisë;
  • nxitjen dhe thirrjen për agresion ushtarak dhe nxitjen e urrejtjes etnike, racore ose fetare ose jotolerancë;
  • ndërmarrjen e aktiviteteve që kanë të bëjnë me terrorizëm ose aktiviteteve që janë në kundërshtim me Kushtetutën apo Ligjin dhe që shkelin të drejtat dhe liritë e të tjerëve.
  1. Shoqata është person juridik.

Këshilli jep llogari për detyrimet e tij me tërë pronën dhe mjetet e tij.

Anëtarët e organeve të Këshillit, përgjigjen personalisht dhe në mënyrë të pakufizuar për obligimet e tyre ndaj Këshillit, për keqpërdorimin e mjeteve të Këshillit, për arritjen e qëllimeve që për ta si individë janë të ndaluara apo për keqpërdorimin e Këshillit si person juridik për të dëmtuar emëruesit e tij.

Anëtarët e organeve të Këshillit dhe përfaqësuesit e tyre, sipas ligjit janë bashkërisht përgjegjës për dëmin që ia shkaktojnë Këshillit me punën e tyre, nëse dëmi është shkaktuar nga pakujdesia apo me qëllim që të shkaktohet dëm, përveç në raste kur kanë theksuar mendimin e tyre në procesverbal, ose nëse nuk kanë marrë pjesë në vendimmarrje.

Kërkesën për kompensim të dëmit e parashtron Kuvendi.

  1. Mjetet financiare të Këshillit shfrytëzohen për realizimin e objektivave të Këshillit, të përcaktuara me Statutin dhe Programin për punë.

Anëtarët e organeve të Këshillit dhe përfaqësuesit e tyre janë të obliguar me ligj të udhëheqin dhe të punojnë me kujdes dhe në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë, në interes të Këshillit, dhe mbi interesat personale respektivisht, në interes të realizimit të objektivave, në përputhje me Ligjin dhe me Statutin.

Anëtarët, themeluesit, anëtarët e organeve, përfaqësuesit, stafi, si dhe persona të afërt me to, nuk mund të paguhen nga mjetet e Këshillit, përveç në rast kur një anëtar i Këshillit është shfrytëzues i shërbimeve të Këshillit, në përputhje me objektivat e përcaktuara me Statutin dhe Programin e Këshillit.

Puna në organet e Këshillit është në bazë vullnetare, dhe anëtarët e Këshillit mund të marrin kompensim për shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet ditore, si dhe për kryerjen e punëve në organet e Këshillit, në përputhje me Ligjin.

Stafi ka të drejtë page dhe kompensimi, të cilat do t’u paguhen në përputhje me Ligjin, me Marrëveshjen kolektive dhe me Rregulloren për pagesën e pagave dhe kompensimeve për stafin.

Shfrytëzimi dhe disponimi me mjetet e Këshillit bëhet në mënyrë të përcaktuar me këtë Statut, Rregullore dhe sipas normave të tjera ligjore.

Këshilli miraton planin vjetor financiar për të ardhurat dhe shpenzimet e Këshillit.

Plani financiar përmban të ardhurat që fitohen sipas nenit 36 të Statutit, si dhe shpenzimet për aktivitetet e planifikuara, për shpenzimet e përbashkëta të stafit, shpenzimet materiale për punën e Këshillit dhe shpenzimet e tjera që kanë të bëjnë me punën.

Scroll to Top