Video storјa për prerjet ilegale të pyjeve të Jabllanicës, përgjatë kufirit me Shqipërinë, është punimi gazetaresk që fitoi çmimin e parë të thirrjes së Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni me temën “Fakte dhe dezinformata për ambientin jetësor”.
Për qëllimet e emisionit televiziv me titull “Pyjet e brishta”, autorët e vlerësuar me çmimin e parë Aleksandar Metodijev dhe Suzana Miceva ndjekin gjurmët e sasive të mëdha të drurit të prera në mënyrë ilegale, të udhëhequr nëpër qafat malore të Jabllanicës nga eko-aktivistët vendas të cilët paralajmërojnë se natyra pëson dëme të pakthyeshme nga “biznesi i organizuar” në mjedisin e tyre, pa ndërhyrje nga institucionet që do të ndalojnë prerjet e paligjshme.
Çmimi i dytë iu nda gazetares Viktorija Dimitrova Jovanova, korrespondente për MIA, për tekstin me titull “Zjarrfikësit e Shtipit kanë mbi 70 ndërhyrje pas përfundimit të korrjes”. Teksti flet për praktikën e fermerëve vendas për të djegur kashtën pas korrjes, pavarësisht këshillave të ekspertëve të bujqësisë se kjo nuk garanton cilësi më të mirë të tokës, siç besohet zakonisht, dhe paraqet rrezik për djegien e pyjeve përreth. Brenda vetëm një sezoni, zjarrfikësit e Shtipit janë detyruar të ndërhyjnë me të gjitha pajisjet e tyre 70 herë, duke u përballur me pasojat e djegies së kashtës, e cila zakonisht përfundon me dëme të mëdha në mjedis brenda një hapësire të madhe.
Nga gjithsej 20 shkrime gazetareske të pranuara nga 13 autorë, juria e përbërë nga Biljana Georgievska – drejtoreshë ekzekutive e KEMM, Kiril Sotirovski – profesor dhe dekan i Fakultetit të Shkencave Pyjore në Shkup dhe Vasko Magleshov – gazetar, vendosi të vlerësojë edhe tre gazetarë tjerë për punën e përkushtuar ndaj temave të ekologjisë: Vanja Micevska – MMS, Martin Pushevski – RTM dhe Svetlana Darudova – MIA.
Tema e thirrjes së KEMM për çmimet gazetareske “Fakte dhe dezinformata për ambientin jetësor” përputhet me moton e këtij viti të Ditës Botërore të Lirisë së Mediave, me 3 maj, me titull “Mediat për planetin – Gazetaria përballë krizës mjedisore”.
Duke zgjedhur këtë temë specifike, KEMM përpiqet të inkurajojë një përkushtim më të madh të mediave dhe gazetarëve ndaj problemeve që lindin nga kriza globale klimatike por edhe nga neglizhenca lokale ndaj mjedisit njerëzor. KEMM dëshiron të inkurajojë punime gazetareske me cilësi sa më të lartë, më etike dhe më të përgjegjshme që do të nxisin veprime midis popullatës dhe autoriteteve për të zgjidhur problemet që shfaqen jo vetëm në mirëqenien e natyrës, por edhe shëndetin e njerëzve.
Çmimet u ndanë në Europe House Shkup, me pjesëmarrjen e ambasadorit të BE në Maqedoninë e Veriut, David Geer, koordinatorit rajonal të UNESCO, Xhoshua Masarenti, si dhe të gazetarëve dhe aktivistëve nga organizata joqeveritare.
Shpërblimet gazetareske të KEMM realizohen si pjesë të projektit të mbështetur nga UNESCO dhe Bashkimi Evropian – “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: mbështetja e gazetarisë si një e mirë publike”.