MMM 8739autori: m-r. Dejan Andonov
ekspert i mediave dhe komunikimeve
Instituti i Studimeve të Komunikimit

Që nga marsi i këtij viti, pandemia “Covid-19” krijoi një nevojë të madhe për lajme dhe vendosi në plan të parë rëndësinë e gazetarisë profesionale dhe qasjen deri te informacionet e verifikuar. Përhapja e korona virusit, situatat kritike në sistemin shëndetësor, masat mbrojtëse, politikat urgjente qeveritare, dëmet nga izolimi fizik - "Covid-19" është një temë për të cilën mediat raportojnë më intensivisht. Por me të njëjtën shpejtësi të virusit, po përhapen edhe shumë të pavërteta përmes portaleve onlajn dhe rrjeteve sociale që e bëjnë të vështirë që shoqëria të reagojë siç duhet dhe të përballet me pandeminë. Kështu që, qasja deri te informacionet e besueshme është bërë çështje e jetës a vdekjes. Shëndeti i njerëzve nuk varet vetëm nga mbrojtja shëndetësore, por edhe nga qasja derti te informacionet e sakta në lidhje me kërcënimet nga korona virusi dhe si ta mbrojnë veten, familjen e tyre dhe rrethin e tyre. Edhe kjo krizë ka theksuar nevojën për gazetarët në shoqëri, të cilët luajnë një rol kyç në sigurimin e informacioneve jetësore për opinionin.

Gazetaria më e rëndësishme se kurrë

Qarkullimi masiv i dezinformatave lidhur me pandeminë Covid-19 ka marrë gjithashtu një term të veçantë - desinfodemi. Dezinfodemia shkakton konfuzion midis njerëzve, ndarje në polemikat në opinion dhe në rrjetet sociale, madje kërcënon edhe jetë. UNESCO në botimin "Gazetaria, liria e medias dhe Covid-19" jep të dhëna statistikore që tregojnë përhapjen masive të dezinformatave në botë lidhur me korona virusin:

  • Rreth 40 për qind e postimeve të mediave sociale në lidhje me Covid-19 janë nga ndonjë burim jo i besueshëm, ka treguar studimi i Fondacionit Bruno Kesler, i bazuar në një analizë të 112 milionë postimeve në 64 gjuhë;
  • Pothuajse një e treta e përdoruesve të mediave sociale raportuan se kishin parë informacione të rremë ose të gabuara për korona virusin, thuhet në studimin e Institutit Rojters të kryer në gjashtë vende;
  • Në mars, në Facebook u identifikuan rreth 40 milionë postime problematike rreth Covid-19 dhe afwr tyre dha një paralajmërim, njoftojnë nga kompania, duke shtuar se qindra mijëra dezinformata në lidhje me virusin ishin mënjanuar;
  • Internet-kërkuesi NewsGuard identifikoi 191 ueb faqe në Evropë dhe Amerikën e Veriut që kishin publikuar informacione të rreme për virusin;
  • Aleanca “Korona virus fakte” ka zbuluar dhe mohuar më shumë se 3,500 informacione të rreme ose të gabuara në mbi 70 vende dhe në më shumë se 40 gjuhë.

Në mars, Facebook, Google, LinkedIn, Microsoft, Reddit, Twitter dhe YouTube lëshuan një deklaratë të përbashkët për përkushtimin e tyre në luftën kundër dezinformatave të lidhura me korona virusin. Ata janë zotuar t’i mënjanojnë, zvogëlojnë ose etiketojnë dezinformatat në lidhje me Covid-19, t’u japin donacione gazetarëve dhe kontrolluesve të fakteve, t'i drejtojnë përdoruesit drejt informatave nga organizatat zyrtare shëndetësore, duke i vendosur në krye të rezultateve të kërkimit, si dhe të ndalojnë reklama që përfshijnë dezinformatë për korona virusin.

Megjithatë, siç shkruhet në botimin e UNESCO-s, rrjeti onlajn i aktivistëve "Avaaz" zbuloi se 41 për qind e dezinformatave që identifikoi në Facebook ishin pa shenjën paralajmëruese. Instituti Rojters, në një mostër prej 225 dezinformatash, zbuloi se 59 për qind e postimeve në Twitter të vlerësuara si të rreme nga kontrolluesit e fakteve megjithatë kanë mbetur në internet. Në YouTube  kanë mbetur 27 për qind e postimeve të rreme, ndërsa në Facebook kanë mbetur 24 për qind e dezinformatave dhe pa shenjë paralajmëruese.

Në këtë lloj dezinfodemie globale, gazetaria profesionale u jep njerëzve një alternativë për dezinformatat duke publikuar fakte të verifikuara dhe mendime të informuara. Gazetaria, të paktën në vendet e zhvilluara demokratike të botës, njihet si "shërbim bazë" dhe "shërbim publik" që janë dhe do të jenë më të rëndësishëm se kurrë.

Gabimet gazetareske dhe kushtet e punës në korona-krizën në Maqedoni

Gjatë raportimit për pandeminë Covid-19, gazetarët në Maqedoni ishin (dhe ende janë) nën presion të madh në publikimin e informacioneve të karakterit publik, por kjo nuk dekurajoi disa media për të vazhduar me praktikat gazetareske problematike.

"Ky fëmijë i përkëdhelur e infektoi tërë Karposhin!", "A shërohet korona virusi me vazelinë?!", "Shkencëtarët francezë thonë se Sumamedi kroat ndihmon kundër korona virusit", “Sistemi bie: Të vdekurën nga korona 7 ditë e kanë shëruar përmes telefonit – është shtruar në spital vetëm 3 ditë më parë!"," MPJ dhe MM e Dimitrovit dhe Sheqerinskës për katër ditë në mes të krizës shpenzuan 2.5 milionë denarë për udhëtime jashtë vendit".

Këto janë disa nga tekstet lidhura me korona-krizën për të cilat Këshilli i Etikës në Mediat vendosi sipas ankesave që u paraqitën për raportim senscional, tekste të bazuara në fakte të pakonfirmuara, publikim i informacioneve të pasakta dhe të paverifikuara, për përhapje të frikës dhe panikut. Këshilli gjithashtu konfirmoi publikim të spekulimeve pa një burim informacioni dhe pa i treguar publikut se fjala është për supozime, informim të paanshëm dhe i paekuilibruar pa përfaqësimin e palës së dytë dhe pa distancë profesionale nga subjektet politike, si dhe teksteve që përmbanin gjuhë të urrejtjeje, diskriminimi dhe cenimit të privatësisë.

Krahas kësaj, redaksitë gazetareske raportuan shumë pak për efektet e dëmshme të izolimit fizik, si dhuna në familje, frika, ndjenjat e pashpresës. Kishte një mungesë ndjeshmërie dhe një perspektivë më njerëzore kur raportohej për statistikat e Qeverisë për të sëmurë dhe të vdekur nga virusi korona, sigurisht pa cenuar privatësinë e viktimave dhe familjeve të tyre. Pak storje gazetareske kanë potencuar çështjet karakteristike për të moshuarit, gratë dhe të rinjtë.

Nga ana tjetër, për të informuar publikun, gazetarët vendosën në rrezik sigurinë e tyre. Dy punonjës mediatik vdiqën nga Covid-19 dhe më shumë gazetarë u infektuan me korona virus. Në fillim të korona-krizës, ata rrezikuan shëndetin e tyre sepse redaksitë nuk kishin pajisje për mbrojtje personale, të tilla si maska, vizirë ose doreza. U përballën me presion të shtuar dhe pasiguri, orar të zgjatur të punës, pasiguri në punë. Përkundër rritjes së lartë të audiencës, media të caktuara ua ulën pagat e gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias për shkak të, sipas menaxherëve, të ardhurave më të ulëta nga reklamat. Dhe kjo mu në momentin kur gazetarët ishin më të nevojshëm.

Të angazhohemi për gazetarinë edhe në kushte krize

Kjo krizë mundësoi që njerëzit të njohin gazetarinë si një element thelbësor të jetës së tyre. Korona virusi i rriti sfidat me të cilat përballen gazetarët, por gjithashtu forcoi besimin te publiku se mund të mbështeten tek ata. Qytetarët ndien nevojën për media profesionale që të marrin informacione të kuptueshme, të arritshme, me kohë dhe të besueshme mbi kërcënimet e korona virusit për shëndetin e tyre.

Por, "Covid-19" i nxori në pah edhe boshllëqet që duhet të plotësohen në redaksitë gazetareske në Maqedoni. Institucionet e arsimit të lartë, organizatat që realizojnë trajnime, por edhe vetë mediat kanë një rol të rëndësishëm në forcimin e redaksive. Me kolegët e Institutit të Studimeve të Komunikimit, krijuam një program të ri praktik për njerëz të rinj e interesuar në gazetari, me pak ose aspak përvojë, që do t'u japë mundësinë të mësojnë për gazetarinë me interes publik dhe për prodhim mediatik, si dhe të marrin pjesë në krijimin e përmbajtjeve mediatike me gazetarë me përvojë dhe në redaksi gazetareske. Edukimi gazetaresk sipas trendëve më të fundit në industrinë e mediave dhe të komunikimit, do të mundësojë më shumë gazetarë dhe më të trajnuar me aftësi të ndryshme. Si të jenë vëzhgues dhe reporterë të paanshëm, të mendojnë jashtë kornizave kur kërkojnë ide për storje, të përfshijnë një gamë të gjerë zërash që krijojnë vetëdije dhe edukojnë, të pyesin sërish veten gjatë dëgjimit dhe të gjykojnë në mënyrë kritike, ta përfaqësojnë interesin e palës "njerëzore" dhe të komunitetit, t’i shmangen stigmatizimit, t’i tregojnë rrëfimet në një mënyrë origjinale. Gjithashtu të dinë se si t’i përdorin teknologjitë digjitale në mbledhjen e të dhënave, verifikimin e fakteve për përpunimin e storjeve. Dhe jo vetëm forcimin e aftësive gazetareske dhe digjitale, por edhe aftësitë sipërmarrëse që mundësojnë media “start up” dhe gazetari të pavarur dhe kritike.