Teofil2

autori: Teofil Bllazhevski

Lufta kundër lajmeve të rreme kërkon unifikim të komunitetit mediatik

Veprimi i përbashkët i organizatave mediatike dhe të ekspertëve për efektet afatshkurta dhe afatgjata nga lufta kundër lajmeve të rreme dhe informimit tjetër jo-etik të opinionit, është domosdoshmëri

Kur në Shkup kishte numër të madh viktimash nga përmbytja e shkaktuar nga moti i ligë, që e goditi katër vjet më parë, në vitin 2016, problemi me lajmet e rreme në mediat në vend, nuk ishte shumë i dukshëm, as sasior as cilësor. Ky problem edhe kur shfaqej dukshëm deri atëherë, i referohej kryesisht ekzistencës politike dhe luftës së atëhershme midis qeverisë dhe opozitës për dalje nga kriza e rëndë politike, e cila praktikisht filloi që në dhjetor të vitit 2012.

Sidoqoftë, edhe atëherë, mund të gjendeshin shembuj të lajmeve të rreme ose jo-etike, të cilat nuk përmbushin standardet themelore të profesionit, e me këtë edhe të Kodeksit të gazetarëve dhe të lajmeve, të cilat në kushte të një katastrofe të madhe natyrore ose krize të shkaktuar nga ajo mund të përkeqësonin situatën rishtas duke mashtruar dhe duke sjellë në huti një pjesë të madhe të opinionit. Një shembull i tillë eklatant, i cili, për fat të mirë, nuk u përhap në komunitetin e medias, por u publikua në rrjetin më masiv social Facebook, ishte "lajmi" i "Naroden Glas" se "Numri i viktimave në Stajkovc dhe rrethinë është rritur në mbi 50".

Reminishencat e përmbytjes dhe të lajmeve të rreme, megjithatë, mund të shiheshin shumë më tepër disa muaj më vonë në vitin 2016, kur, gjithashtu,  Shkupi u prek nga reshje të mëdha të shiut dhe kur kishte lajme, madje edhe në media me reputacion, të llojit: "Stajkovci i RIMËKËMBUR përsëri nën ujë, banorët në panik! FOTO", ose PËRSËRI FRIKË: Banorë të Stajkovcit raportojnë për rrugë të përmbytura, por edhe raportime të moderuara dhe korrekte me titull Rrugët në Stajkovci nën ujë, por deri më tani nuk ka ujë në bodrumet dhe shtëpitë, ose, përfundimisht edhe një "demant mediatik" i lajme të botuara jo-korrekte me ekzagjerim: GALERI: Në Stajkovci thatë - informacionet për përmbytje janë të pasakta.

Numri më i madh i shembujve janë marrë nga faqja e arkivuar e Tajm.mk dhe mund të vërehet se lajmet, pra linqet nga të njëjtat të mediave që kanë shkuar në "klikime", sot janë jo funksionale, që do të thotë se lajmet e tilla ose janë fshirë ose janë zhvendosur në një arkiv tjetër. Këshilli Etik i Mediave në Maqedoni (KEMM) edhe atëherë kishte ankesa për lajmet e tilla, por numri nuk është as afërsisht i madh sa ankesat që ekzistojnë sot, të lidhura me pandeminë e korona virusit.

Shqipëria, tërmeti, mediat

Një situatë e ngjashme mund të regjistrohet në Shqipëri në vitin 2019 për sa i përket raportimit të mediave gjatë tërmetit katastrofik që i goditi, para se gjitha, Durrësin dhe Tiranën. Autoritetet shqiptare atëherë, para se gjithash, me iniciativën e kryeministrit Edi Rama, vendosën për masa drakonike me qëllim të parandalimit të përhapjes së lajmeve të rreme, kështu që u ndaluan dy gazetarë që kishin shkaktuar panik me artikujt e tyre në lidhje me lëkundjet e tërmetit kryesor, me çka mijëra banorë të Tiranës u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre, duke u besuar lajmeve të tilla. Qindra njerëz kanë zhvendosur automjetet e tyre ose dolën në autostradë ose kaluan natën jashtë, sepse duke besuar në lajmet e tilla, ata prisnin një aftër-shok para mesnatës me një fuqi prej 6 ballësh sipas Shkallës Evropiane.

E gjithë kjo, megjithatë, ishte një rast i mirë për miratimin e një ligji të ri për media, i cili ishte shumë më restriktiv, veçanërisht duke i rregulluar mediat onlajn dhe që shkaktoi pakënaqësi të mëdha dhe protesta në komunitetin e medias në Shqipëri dhe më gjerë, sepse ata edhe të gjitha institucionet evropiane dhe botërore kompetente për këto çështje vlerësuan se bëhet fjalë për kufizim të lirisë së medias. Prirje të ngjashme për restrikcione dhe ndalime të gazetarëve mund të vëreheshin në Mal të Zi dhe Serbi në fazën e hershme të krizës me pandeminë.

Kriza e koronës i nxori në pah të gjitha dobësitë e mediave

Shembujt e përmendur të raportimit jo-etik në kohë fatkeqësish natyrore, megjithatë, nuk mund të krahasohen me dëmin që e bëjnë lajmet e rreme ose ndonjë lloj tjetër i lajmeve jo-etike, që plasohen në vend dhe në botë, e që lidhen me korona krizën.

Kryetari i Komisionit të Ankesave të KEMM, Mirçe Adamçevski, në uebinarin që u mbajt para do kohe kushtuar problemit - mediat në kushtet e korona krizës, prezantoi të dhënat e mëposhtme: “Deri më 10 gusht deri te Komisioni i Ankesave pran KEMM  janë paraqitur 106 raste të raportimit joprofesional dhe jo-etik. Prej tyre shumica (35 ankesa apo madje 33 për qind e rasteve) kanë të bëjnë me raportimin lidhur  me pandeminë e korona virusit. Nëse analizojmë këto 35 ankesa, shkelje e nenit 1 të Kodeksit të gazetarëve, që i referohet publikimit të informacioneve të sakta dhe të verifikuar, është konfirmuar në 46% të rasteve të raportuara, ose 16 tekste për të cilat është parashtruar ankesë, ndërsa shkelje e nenit 8 të Kodeksit të gazetarëve, respektivisht informimit sensacional është konfirmuar në 11 tekste ose në 31% të rasteve të raportuara".

Nëse vetëm deri te KEMM kanë arritur 35 ankesa është një supozim i arsyeshëm se në hapësirën mediatike janë publikuar të paktën 350 lajme jo-etike dhe informacione të tjera rreth të gjitha aspekteve të korona krizës, sepse KEMM nuk punon sipas parimit vet t’i monitorojë dhe t’i zbulojë të gjithë artikujt e tillë, por vetëm pas raportimit të subjekteve të pakënaqura në opinion. Nga ky numër, në mënyrë analogjike, 46 për qind ose rreth 165 artikuj ishin pa verifikim të fakteve, neni 1 i Kodeksit.

Problemi shumëfishohet duke pasur parasysh gazetarinë “copy paste”, por veçanërisht nëse kihet parasysh se shtrirja e informatave të tilla jo-etike është rritur me dhjetëra apo edhe qindra mijëra shikime përmes rrjeteve sociale, para se gjithash Facebook-ut, i cili është jashtëzakonisht i popullarizuar në Maqedoninë e Veriut dhe shpesh herë përdoret si burimi kryesor i informacionit për një pjesë të madhe të popullatës midis moshës 16 dhe 40 vjeçe.

Nëse kësaj i shtohen dhe trendët e reja që janë me tendencën që "fake news" të zëvendësohen me "deepfake", për të cilën kohët e fundit u botua një punim profesional në blogun "Republika", me të drejtë, të gjithë ne që jemi të përfshirë në botën e mediave në vend duhet të jemi të shqetësuar dhe të kërkojmë zgjidhje.

Maksimalizimi i efekteve pozitive të vetë-rregullimit

Në kushtet kur autoritetet në vend nuk kanë një vizion të duhur, por edhe një vullnet të fortë për të zbatuar dispozitat ligjore kundër lajmeve të rreme gjatë krizave natyrore ose shëndetësore, duke ditur që nuk janë në gjendje të ruajnë ekuilibrin dhe të mos e kalojnë kufirin që çon drejt kufizimit të lirisë së medias dhe të fjalës publike, vetë-rregullimi dhe lufta brenda komunitetit të medias janë e vetmja ndalesë për raportimin jo-etik.

Ato që quhen kushte të jashtme, siç janë atmosfera dhe ambienti pozitiv mediatik, mbeten shqetësimi ynë i vazhdueshëm në komunikimin me ata që i sjellin vendimet. Ndihma nga institucionet në kushte fatkeqësish natyrore ose të krizës shëndetësore, sikurse kjo aktualja, u treguan si të domosdoshme, megjithëse deri para pak kohësh mbizotëronte qëndrimi se çdo ndërhyrje financiare nga shteti në media ishte e palejueshme, me përjashtime të vogla. Por gjithashtu u tregua nevoja për kushte të ndërtuara saktësisht për një ndihmë të tillë dhe kush duhet ta marrë atë, si dhe mbikëqyrje për atë se si përdoret. Ndërkaq, kushti më i madh i jashtëm pa të cilin nuk mund të bëhet në kriza të tilla është transparenca e plotë e institucioneve kyçe nga të cilat varet lufta për informim etik mediatik dhe për këtë gjë duhet të insistohet vazhdimisht.

Vetë-rregullimi deri më tani ka dhënë efekte të dukshme në komunitetin e medias, nga i cili përfitim ka shoqëria në tërësi, megjithëse mund të flasim vetëm për rezultate plotësisht të suksesshme pas një kohe të gjatë dhe gjetjes së modeleve të reja të përballjes me raportimin jo-etik, nga të cilat lajmet e rreme dhe “deepfake”-u janë më të rrezikshmet. Lind pyetja, duke pasur parasysh përvojën e deritanishme, çfarë mund të bëjë vetë komuniteti i medias për efekt më të madh nga vetë-rregullimi?

Këtu do të përmenden vetëm disa zgjidhje për të cilat mund të mendohet:

  • Diskutim i gjerë i drejtuar nga ne, organizatat mediatike, së bashku me të gjithë përfaqësuesit e mediave relevante, për përpunimin e një kodeksi të ri të mediave, në të cilin, gjithsesi, do të përfshiheshin edhe postulatet themelore të Kodeksit ekzistues të gazetarëve. Nëse mundej Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve të vlerësonte se botës mediatike i nevojitet një kodeksi i ri dhe e miratoi të njëjtin në fillim të vitit 2019, pse mendojmë se te ne nuk duhet?
  • Në bazë të atij kodeksi të ri dhe në bazë të specifikave të secilës media, duhet seriozisht të këmbëngulet dhe të ngritet vetëdija se çdo media më e madhe në shtet duhet të zhvillojë edhe kodeksin e saj, për relevancën e të cilit garanci do të jetë ndihma që do të merrej nga ne (mendohet nga organizatat relevante të medias në shtet). Deri më tani kemi vetëm një shembull të tillë pozitiv, Kodeksin Etik të RTVM/NRT, të miratuar dy vjet më parë.
  • Reforma në parimin e punës së KEMM, mbi të gjitha, në drejtësinë që mundet edhe sipas gjykimit të vetë të vlerësojë për shembuj ekstremë të raportimit jo-etik dhe të reagojë në një mënyrë të përshtatshme.
  • Bashkëpunim i formalizuar me rregullatorin e tregut mediatik, ASHMAA, para se gjithash me KEMM, por edhe me organizata të tjera mediatike, pas së cilës, në komunikimin dypalësh, së bashku do të luftonin raportimin jo-etik, por mbi të gjitha kundër lajmeve të rreme, sepse u tregua se dëmi më i madh në vend (akoma), mund të shkaktohet nëse lajmet e tilla transmetohen përmes mediave elektronike.
  • Një bashkëpunim shumë më i thellë midis KEMM, SHGM, SSNM, MIM, QKC dhe organizatave të tjera më të vogla ose më të mëdha gazetareske dhe ekspertëve të pavarur në fushë me tre qëllime të supozuara: luftë efektive kundër lajmeve të rreme në periudhën afatshkurtër; luftë efektive kundër lajmeve të rreme dhe llojeve të tjera të raportimit jo-etik në planin afatgjatë, para se gjithash përmes zbatimit të plotë të edukimit mediatik efektiv, si dhe ngritjen e kushteve të punës të gazetarëve dhe punonjësve të medias. Subjektet e përmendura duhet të formalizojnë një bashkëpunim të tillë përmes një lloj këshilli mediatik, i cili në situata krize do të vepronte shpejt dhe zëshëm në opinion, ndaj mediave dhe vendimmarrësve, ndërsa në planin afatgjatë do të merrte vendime, paraqitje të përbashkët dhe kërkesë të përbashkët për ndihmë financiare për të realizuar qëllimin e dytë dhe të tretë – edukimin mediak dhe përmirësimin e standardit dhe kushteve të punës për punonjësit e medias.

Rezultatet janë më të mëdha me veprimin e përbashkët

Kuptohet, sigurisht ekzistojnë edhe modele të tjera te të cilat mund të arrihet përmes dialogut të përbashkët. Siç mund të shihet, shumica e modeleve të veprimit të ardhshëm të përmendura këtu nënkuptojnë unitet dhe unifikim.

Përvoja pozitive e organizatave mediatike kur vepronin bashkërisht në periudhën e shtatë-tetë viteve të fundit, e konfirmon rregullin e vjetër sindikalist për bashkim (që u vërtetua edhe me rastin e SSNM që në performancë të përbashkët me organizatat e tjera ishte "dëgjuar" më mirë nga Qeveria).

Komuniteti i medias është më i fuqishëm në arritjen e qëllimeve të veta vetëm kur është i bashkuar dhe për këtë është koha përsëri për një gjë të tillë.