Njoftimе

SSNM ZNM MIM SEMM

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik (SPGPM), Instituti Maqedonas i Mediave (IMM) dhe Këshilli për Etikë në Mediat (KEMM) reagojnë ndaj njoftimit të Qeverisë për kthimin e praktikës së fushatave mediatike të paguara me para publike në mediat private.

Jemi duke i ndjekur me kujdes njoftimet nga Qeveria për ndryshimin e legjislacionit mediatik në pjesën që i referohet ndalimit të reklamimit nga pushteti qendror dhe lokal në mediat private. Këto njoftime i referohen ndryshimit të nenit 102 në Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (LASHMAA), i cili do të lejonte transmetimin e fushatave të porositura dhe të paguara nga institucionet publike dhe do të lejohej blerje të hapësirës ​​reklamuese për transmetim në mediat private.  

Praktika e zakonshme e BE-së 

Sipas praktikës së BE-së, vendet që kanë traditë më të madhe demokratike në legjislacionin e tyre kanë ndalim të plotë të reklamimit të paguar politik në televizion dhe në radio, edhe atë gjatë zgjedhjeve dhe pas mbarimit të tyre. Ndalimi i tillë justifikohet me faktin se transmetuesit kanë ndikim të madh në formimin e opinionit publik, dhe në të njëjtën kohë koha për transmetimin e mesazheve politiko-propagandistike në televizion kushton shumë para. Në këtë mënyrë, ato qendra të pushtetit që kanë qasje në burime më të mëdha, veçanërisht partitë politike që janë pjesë e qeverisë janë në situatë më të favorshme sesa partitë e tjera, por edhe organizatat civile dhe lëvizjet, gjë që lë hapësirë ​​për diskriminim. Rregullimi i këtyre çështjeve me ligj është jashtëzakonisht i rrezikshëm në planin afatgjatë, sepse do të vendoset një praktikë nga e cila asnjë qeveri në të ardhmen nuk do të heqë dorë, dhe kjo mund të rrezikojë përgjithmonë rolin e medias në vend. 

Theksojmë se në shumicën e vendeve të Evropës, lajmërimet publike në lidhje me tema që konsiderohen të rëndësishme për jetën e qytetarëve janë falas, dhe mediat, duke përfshirë këtu edhe servisin publik, duhet të jenë të vetëdijshme për përgjegjësinë shoqërore dhe të botojnë kësi lloj përmbajtjesh. Sigurisht, nga mediat pritet të vlerësojnë vetë nëse mesazhet në këto fushata apo lajmërime janë të rëndësishme për shëndetin ose sigurinë e qytetarëve dhe t’i transmetojnë ato falas, por jo edhe të blihet hapësira për reklame tek ato me para publike, sepse në këtë mënyrë mund të ndikohet në pavarësinë e tyre editoriale.  

Mundësi për mbështetjen e mediave 

Të vetëdijshëm se kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia aktuale ndikon negativisht në sektorin e mediave, SHGM, SPGPM, IMM dhe KEMM ishin dhe vazhdojnë të jenë një faktor konstruktiv në marrëdhëniet me Qeverinë në gjetjen e zgjidhjeve që do të ndihmonin punën e mediave. Ne mendojmë se kjo gjë mund të bëhet në dy mënyra:  

– Përmes politikës së zvogëlimit të mëtejshëm të shpenzimeve të mediave ndaj shtetit (koncesione, taksa, kontribute). Me këtë mund të arrihet efekt i mirë financiar, si dhe qasje jo-selektive ndaj të gjitha mediave, dhe për të shmangur pagesën e drejtpërdrejtë të mjeteve publike për blerjen e hapësirës në media.  

– Përmes konceptit të mbështetjes së projekteve me interes publik për prodhimin e përmbajtjeve cilësore mediatike, duke u bazuar në konkurs paraprak publik me kritere precize dhe transparencë gjatë procesit të vendimmarrjes. Kjo është një qasje shumë më e mirë për të mbështetur mediat profesionale. Në këtë mënyrë, do të inkurajohet prodhimi i përmbajtjeve profesionale gazetareske nga të cilat do të përfitonin qytetarët, dhe në planin afatgjatë programi mediatik do të përmirësohej sepse do të krijohej hapësirë ​​që mediat të garojnë me cilësi, hulumtime për korrupsionin, analiza, filma dokumentarë dhe përmbajtje edukative. Në këtë mënyrë përsëri do të shmangej lidhja e mundshme midis politikës dhe medias, gjë që mbetet si rrezik nëse lejohet pagesa e drejtpërdrejtë përmes fushatave publike. 

Praktika e dëmshme nga e kaluara 

Organizatat mediatike dhe gazetareske paralajmërojnë përsëri se praktika e fushatave publike të paguara në mediat private është dëshmuar të jetë jashtëzakonisht e dëmshme në të kaluarën sepse me paratë e qytetarëve është bërë presion mbi mediat për politikën e tyre editoriale. Në të njëjtën kohë, përmes këtij sistemi shpesh herë është keqpërdorur interesi publik, në favor të partive politike që kanë qenë në pushtet.  

Gjithashtu, kthimi i kësaj praktike mund të rrezikojë më tej tregun e brishtë të mediave, i cili tashmë po ndikohet përmes fondeve publike, kryesisht përmes programit politik të paguar, i parashikuar në Ligjin për Zgjedhje, i cili i referohet fushatave parazgjedhore të partive politike të paguara nga buxheti shtetëror dhe paraqesin një përqindje e konsiderueshme nga buxheti vjetor i mediave në vendin tonë.