Gazeta

Një numër i madh i mediave nënshkruan Kartën për raportim etik mbi zgjedhjet, në ceremoninë e mbajtur më 12 shkurt, në Qendrën informative të BE-së. Kartën e përgatiti Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë (KEMM), ndërsa përmbajtja e saj bazohet në parimet më të rëndësishme dhe universale të profesionit, e që janë pjesë e dokumenteve dhe publikimeve të Federatës ndërkombëtare të gazetarëve, Iniciativës për gazetari etike, Fondacionit Rojters, Raportuesëve pa kufi, Nenit 19, etj.

Karta bazohet në parimet e vërtetësisë dhe objektivitetit, ekuilibrimit, dallimit të qartë ndërmjet informacioneve dhe komenteve, sinqeritetit dhe neutralitetit, solidaritetit profesional, pavarësisë redaktuese, respektit dhe tolerancës, lirisë dhe përgjegjësisë.

“Më e rëndësishme rreth Kartës është që parimet e saj të zbatohen në vazhdimësi në praktikën e përditshme të raportimit mediatik. Rezistenca e mediave ndaj veprimit në këtë mënyrë nuk do të jetë rezistencë ndaj Kartës dhe nismës sonë, por, do të jetë rezistencë ndaj interesave të tyre dhe ndaj interesave të gazetarisë së mirëfilltë, duke humbur edhe statusin e gazetarit të vërtetë. Sot, më shumë se kurrë ekziston nevoja që gazetari të jetë tregues i së vërtetës, të shpalos esencën dhe të sqarojë rrethanat”, tha drejtoresha e KEMM-it.

Mirçe Adamçevski, Kryetar i Komisionit për ankesa pranë KEMM-it, tha “shpresoj se nënshkrimet tuaja nuk do të mbeten vetëm një shkronjë e vdekur në letër, dhe se parimet etike do të mbisundojnë dhe nuk do të anashkalohen. Aq më pak se kjo do të bëhet ende pa u tharë ngjyra e nënshkrimeve tuaja”.