Gazeta

Cili është roli thelbësor i gazetarëve gjatë zgjedhjeve? Çfarë është vendimtare për informim objektiv dhe profesional të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor? Cili është roli i organeve vetë-rregulluese për të siguruar një raportim të balancuar dhe profesional për zgjedhjet? - Këto janë vetëm disa nga çështjet që i kemi diskutuar me Martin Hakerbi, ekspert i mediave dhe gazetar e redaktor me përvojë shumëvjeçare në mediat kryesore në Angli.

Martin Hakerbi (Martin Huckerby) është ish gazetar dhe redaktor në „The Times“, Londër, dhe redaktor i redaksisë së jashtme të „The Observer“. Pas disa viteve punë si redaktor i „The Prague Post“, punon në nivel botëror si trajnues i gazetarëve dhe si konsulent i redaktorëve në gazeta dhe agjenci të lajmeve. Angazhimi i tij i fundit përfshin trajnime për gazetarë që raportojnë mbi çështje politike në mediat elektronike dhe ato të shtypura në Nepal dhe Sudan.

KEMM: Sipas jush, cili është roli më thelbësor i gazetarëve gjatë zgjedhjeve?

Gazetarët duhet të kërkojnë përgjegjësi prej atyre që kanë pushtetin në dorë dhe prej atyre që dëshirojnë të kenë pushtet, duke shqyrtuar në të njëjtën kohë pohimet e tyre dhe duke iu vënë pas mospërputhjeve faktike. Kjo gjithashtu përfshin edhe studimin dhe shpjegimin e objektivave kryesore të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.

martin1

KЕММ: Cilat aspekte të raportimit zgjedhor janë thelbësore për informim objektiv dhe profesional të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes?

Hulumtimi i zotimeve të partive, gjegjësisht krahasimi i tyre me të dhënat dhe rrethanat ekzistuese, si dhe verifikimi i realizueshmërisë së politikave të propozuara. Në shtetet autoritare, është e vështirë që të gjesh ekspertë të pavarur, apo nga ata që duan të flasin për politikat që i propozojnë partitë. Në një situatë të tillë, do të ishte e arsyeshme që të shqyrtohen përvojat përtej kufijve dhe në fqinjësi, për të parë nëse në ato vende kanë funksionuar ide të ngjashme dhe çfarë janë komentet e ekspertëve vendorë lidhur me atë se sa realiste dhe praktike mund të jetë një politikë e caktuar.

KЕММ: Në çfarë niveli, raportimi gazetaresk, mund të ndikojë në motivimin e qytetarëve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor?

Raportimi i mirë mund të pushtojë publikun dhe t’ia nxjerr në pah rëndësinë e zgjedhjeve të vërteta, por, mediat gjithashtu mund të përjashtojnë publikun nga zhvillimet zgjedhore. Raportet e pafund për betejën mes kandidatëve dhe partive të ndryshme, në njëfarë mënyre, mund ta bëjnë publikun të pa interesuar për procesin zgjedhor. Gazetarët shpesh preokupohen me detajet lidhur me ngjarjet politike, duke injoruar pamjen më të gjerë. Raportimi mbi atë që po ndodh – kush ngjitet lartë dhe kush bie poshtë në betejën politike, mund të jetë po aq emocionues sa edhe komentimi i një loje sportive, por kjo nuk do të thotë edhe ndriçim i një situate të ndërlikuar.

KЕММ: Duke pasur parasysh përvojën tuaj ndërkombëtare si konsulent dhe trajnues, cilat aspekte të raportimit mediatik, në shtetet me shkallë të ulët të zhvillimit demokratik, i konsideroni për më problematike, në krahasim me shtetet e zhvilluara?

Kjo shpesh herë është më shumë një çështje që i përket intensitetit se sa një gjëje krejtësisht më ndryshe. Ka një problem themelor në ngatërrimin e rolit të gazetarëve. Për shembull, në gazeta, gazetarët që raportojnë mbi zgjedhjet mund të jenë në role të ndryshme, si "raportues" a "korrespondentë politik", duke përgatitur analiza dhe lajme, por edhe si "komentues" ose "opinionist", duke ofruar pikëpamjet e tyre mbi ngjarjet e procesit zgjedhor. Gjithashtu, ata mund të jenë në rolin e "redaktorëve" ose "pendëve kryesorë në redaksi", duke përfaqësuar politikën redaktuese të gazetës, madje edhe "propagandues" të cilët angazhohen për kauzën e një partie në kurriz të të tjerëve.

Gazetarët mund të pranojë disa nga këto role, por, parashtrohet pyetja - në bazë të çkahit lexuesi do të gjykojë besueshmërinë e asaj që i është thënë? Me sa duket, transmetuesit shtetërorë përballen me sfidën më të madhe. Ata duhet të demonstrojnë moral dhe etikë të jashtëzakonshme për t’iu bërë ballë kërkesave të partisë në pushtet për të raportuar në favor të saj.
Megjithatë, raportimi mbi procesin zgjedhor në vendet me zhvillim të pamjaftueshëm demokratik mund të ketë edhe anët pozitive, sepse, për shembull, mediat në vendet e "zhvilluara", shpesh preokupohen me personalitetin e udhëheqësve, duke u përqendruar në komentet, veshjen, sjelljen dhe gabimet minimale të tyre, madje shpesh herë mungon raportim mbi politikat e tyre.

KEMM: Sipas jush, cilat janë shkaqet më të shpeshta të raportimit joprofesional gjatë zgjedhjeve në vendet ku keni punuar deri më tani?

Pjesa më e madhe e problemeve janë të përbashkëta për të gjitha llojet e raportimit në këto vende - media të vogla, që shpesh janë të pajisura dobët ose pa burime financiare, të punësuar të cilët nuk paguhen mjaftueshëm, ose kryesisht të pa trajnuar dhe të paaftë për të raportuar në mënyrë korrekte, të balancuar dhe të detajuar. Pjesa më e madhe e shtëpive mediatike kanë pronarë, qëllimi të cilëve është që gjatë zgjedhjeve të sigurojnë ndikim politik ose përfitim financiar. Gjithashtu edhe përkatësia partiake e disa gazetarëve paraqet problem, ata janë ose bëhen avokatë të njerëzve mbi të cilët raportojnë. Edhe ata që përpiqen të jenë të balancuar mund të devijojnë nga rruga e tyre duke ndjekur një lider të caktuar në fushatën e tij.

KЕММ: Si duhet të vazhdojë zhvillimi profesional i gazetarëve dhe redaksive me qëllim që të sigurohet raportim profesional gjatë zgjedhjeve?

Mungesa e trajnimit adekuat për gazetarët paraqet një problem të përbashkët në vendet më pak të zhvilluara në planin politik. Ish-shtetet komuniste mund të kenë vështirësi të veçanta, duke pasur parasysh se arsimi teorik gazetaresk ka kontribuar që shumë gazetarë të jenë jo mjaft të përgatitur për t'u marrë me problemet praktike që lidhen me raportimin. Programi i vazhdueshëm i këshillimit dhe trajnimit praktik mund të ju ndihmojë gazetarëve në këto vende, që të përballen me sfidat që ua imponojnë politikanët e fuqishëm, por edhe të ju mundësojë që të kërkojnë temat më të rëndësishme për votuesit.

martin2

KЕММ: Ku e shihni rolin e organeve vetë-rregulluese, siç është Këshilli për etikë më mediat e Maqedonisë?

Organe të tilla vendosin rregullat e raportimit mediatik, ata mund t’i kujtojnë gazetarët se si të sillen, por edhe të ju ndihmojë që t’i frenojnë skandalet e ndryshme dhe incidentet të cilat në mënyrë të pashmangshme ndodhin gjatë zgjedhjeve. Por, ndoshta roli më thelbësor është në sigurimin dhe monitorimin e raportimit të barabartë dhe të balancuar në media, mbi partitë e ndryshme. Organet vetë-rregulluese mund të jenë element jetik në rrethana kur tensionet rriten, gjë që është e pashmangshme gjatë betejave politike në procesin zgjedhor. Ata mund të ofrojnë një reflektim të qetë dhe udhëzime të arsyeshme për gazetarët që duan të punojnë në mënyrë profesionale.