Gazeta

Komisioni për etikë në mediat e Maqedonisë (KEMM), organizoi debatin me temë “Mediat, zgjedhjet dhe roli i vetë-rregullimit“, më 25 shkurt, në hotelin „Kristal Pallas“ në Prilep.

Në këtë debat u diskutua për domethënien dhe perspektivat e vetë-rregullimit, si dhe për përvojat e deritanishme të Këshillit për etikë dhe bashkëpunimi me trupa të ngjashëm në suaza ndërkombëtare. „Ky eveniment është pjesë e një sërë debatesh që i organizojmë në tërë vendin, me qëllim që ta paraqesim punën e Këshillit për etikë dhe të flasim për tendencat më të shpeshta të shkeljes së etikës gjatë informimit“, tha drejtoresh e KEMM-it, Marina Tuneva.

U debatua edhe për mënyrat në të cilat KEMM-i vepron në lidhje me rastet e gazetarisë joprofesionale dhe joetike. "Qytetarët, OJQ-të dhe gazetarët drejtojnë parashtresat dhe ankesat e tyre deri te Komisioni për ankesa pranë KEMM-it. Ato kanë të bëjnë kryesisht me raportimin joetik, mospërfaqësimin e palës së dytë në rastin për të cilin raportohet, gjuhën e urrejtjes në raportim, shkeljen e privatësisë, rrezikimin e të drejtave të njeriut. Ne si trup sjellim vendime dhe nëse ka shkelje, medias i sugjerohet që ta publikojë vendimin", tha Mirçe Adamçevski, Kryetar i Komisionit për ankesa pranë KEMM-it.

Profesor doktor Sefer Tahiri, anëtar i Komisionit për ankesa, theksoi se edhe pse kohë më parë, pjesa më e madhe e mediave nënshkruan Kartën e KEMM-it për raportim etik për zgjedhjet, ajo duhet të aplikohet edhe në praktikë. "Ka raste të raportimit të njëanshëm, ndërsa ndjehet edhe ndarja e thellë në mesin e gazetarëve," tha Sefer Tahiri. Sipas Dragan Antonovskit, nga Bordi drejtues i KEMM-it, gazetarët kanë për detyrë të informojnë publikun në mënyrë objektive, e përmes informimit të balancuar, edhe media do ta fitojë besimin e publikut. "Tani, pyetja është se sa dhe se si do ta mbrojmë profesionin", tha ai.

Anëtari i Komisionit për ankesa, Filip Gjurçinovski, inkurajoi qytetarët që të reagojnë ndaj padrejtësive në raportimin e mediave, dhe me këtë rast, ai shpjegoi procesin e parashtrimit të ankesave deri te KEMM-i.

KEMM-i është një shoqatë civile, e themeluar në vitin 2014 nga disa media, ndërsa filloi me punë gjatë vitit të kaluar. Qëllimi kryesor i KEMM-it është arritja e një shkalle më të madhe të respektimit të standardeve etike në gazetari, si dhe qasje më e lehtë për publikun (qytetarët, institucionet dhe personat juridik) në media, atëherë kur ndjejnë ndonjë shkelje të standardeve të raportimit profesional dhe objektiv.