Gazeta

Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë ka zbatuar me sukses konferencën rajonale "Sfida për Këshillat për etikë në media në rajonin e Ballkanit" në Shkup, më 18 dhe 19 maj, ku morën pjesë përfaqësues të trupave vetë-rregullues nga Maqedonia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi. Evenimenti u organizua në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Shkup dhe me Ambasadën e Mbretërisë së Holandës.

Puna e trupave vetë-rregullues në rajonin e Ballkanit është përcjellur nga një numër sfidash, nga të cilat varet edhe suksesi i tyre në funksionimin e përgjithshëm. Numri i sfidave rritet me zhvillimin e teknologjive. Nëse në të kaluarën është biseduar vetëm për mediat e shtypura, sot një numër i madh i trupave vetë-rregullues fusin nën "ombrellën" e tyre të gjitha llojet e mediave, dhe secili prej tyre ka specifikat e veta. Këshillat për etikë duhet të kujdesen për to edhe pse nuk janë sfidë vetëm mediat. Autoritetet në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit janë gjithnjë e më të prirur për të "shtrënguar bulonat" - për të vendosur rregullore edhe atje ku nuk është e nevojshme - p.sh. në hapësirën online.

Konferenca dy-ditore në Shkup ishte një mundësi për pjesëmarrësit në të, që të shprehin mendimet e tyre mbi gjendjen e vetë-rregullimit në mjediset e tyre. Ata diskutuan mbi rëndësinë e ballafaqimit me gjuhën e urrejtjes në media, mbi çështjet dhe sfidat e etikës në botën digjitale, mbi diskriminimin përmes mediave dhe mbi rolin e këshillave të etikës. Ata u përpoqën që t'i përgjigjen pyetjes se a përdoren të gjitha kapacitetet e internetit për të siguruar përgjegjësi mediatike, nga aspekti i etikës në to dhe në publik. Gjithashtu, diskutuan edhe mbi aktivitetet dhe fushatat për përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në punën e këshillave të etikës, mbi idetë dhe sfidat për këshillat, sa i përket llogaridhënies dhe transparencës së tyre, si dhe mbi mënyrat e reja për përfshirjen e qytetarëve në punën e këshillave të etikës.

Pjesëmarrësit u mirëpritën nga Marina Tuneva, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media, Rezarta Shuc, udhëheqëse e Departamentit për sundim të ligjit pranë Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Walter Plomp, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shkup. Duke shprehur kënaqësinë nga ky eveniment, Tuneva theksoi se kjo punëtori do të jetë në gjendje për t'iu përgjigjur pyetjeve të shumta në lidhje me vështirësitë, por edhe aspektet pozitive dhe mundësitë në procesin e ngritjes së standardeve profesionale. Ajo gjithashtu shprehu bindjen dhe sigurinë se bashkëpunimi dhe koordinimi ndërmjet trupave vetë-rregullues në rajon do të forcohet edhe më tutje.

Për Rezarta Shuc, vetë-rregullimi po bëhet kyç me vendosjen e standardeve, të cilave gazetarët duhet t’u përmbahen me qëllim që të ruajnë profesionin. Sipas saj, veprimet dhe konkluzionet e komisioneve për ankesa në të njëjtën kohë ofrojnë edhe një mekanizëm të brendshëm për të përmirësuar gjendjen. "Për të gjitha këto arsye, Misioni i OSBE-së në Shkup, me përfaqësues nga Departamenti për liri në media, me kënaqësi kanë mbështetur Këshillin për etikë në media që nga themelimi i tij në vitin 2013, dhe gjithnjë kemi qenë tepër të kënaqur duke parë se po bëhet trup efektiv dhe funksional, dhe i cili arriti që me sukses të krijojë lidhje me kolegët nga rajoni", theksoi përfaqësuesja e OSBE-së.

 

Për ambasadorin Plomp, vetë-rregullimi është shumë shpesh edhe më efikas se rregullimi, sepse mediat e kuptojnë mjedisin në të cilin veprojnë më mirë se Qeveria. „Kjo është arsyeja pse ne kemi mbështetur themelimin e trupit të parë vetë-rregullues në Maqedoni. Këshilli arriti që të zgjidh shumë probleme duke ruajtur njëkohësisht pavarësinë e tij" tha Plomp. Sipas tij, nënshkrimi i Kartës për raportim etik nga ana e mediave në fushatën parazgjedhore, ishte një nga ngjarjet që meritojnë të përshëndeten. Plomp thotë se mediat janë shndërruar në një fushë beteje të grindjeve politike, ku ata me xhepa më të thellë bëjnë zhurmën më të madhe. Zhvillimi i tillë i ngjarjeve, sipas tij, tregon se sa e rëndësishme është që të kemi media të pavarura dhe të lira, si dhe trupa vetë-rregullues. Trupat vetërregullues duhet të jenë shumë të zëshëm kur janë në pyetje standardet e veprimtarisë profeisonale: saktësi, objektivitet, paanshmëri dhe raporte të drejta. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të luajnë rolin e tyre në ruajtjen e standardeve të raportimit profesional dhe afrimin e mediave në nivelin e ardhshëm të zhvillimit.

Në sesionin hyrës të punëtorisë mbi rëndësinë e ballafaqimit me gjuhën e urrejtjes në media, folës ishin Dragan Antonovski nga Bordi drejtues dhe Sefer Tahiri nga Komisioni për ankesa pranë Këshillit për etikë në media. Sesionin mbi Etikën në botën dixhitale - çështjet dhe sfidat, e hapi Prof. Enes Osmançeviq nga Këshilli i etikës i Bosnjës dhe Hercegovinës.

Fjalën hyrëse në ditën e dytë të punëtorisë e mbajti Prof. Dejan Donev, i cili foli mbi Diskriminimin përmes mediave dhe rolin e këshillave të etikës. Bisera Zankova nga Këshilli i etikës i Bullgarisë, u drejtua para të pranishmëve me temën: Etika në media dhe në publik: a përdoren të gjitha kapacitetet në Internet për të siguruar përgjegjësi mediatike? Majda Bahto Kestenxhiq nga Këshilli i etikës i Bosnjës, Mirçe Adamçevski dhe Meri Jordanovska diskutuan rreth aktiviteteve dhe fushatave për përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në punën e këshillave të etikës, përgjegjësisë dhe transparencës së këshillave të etikës - idetë dhe sfidat, dhe rreth mënyrave novatore për përfshirjen e qytetarëve në punën e këshillave të etikës.

Pjesëmarrësit dhanë kontributin dhe mendimet e tyre për secilën temë, duke u nisur nga përvojat në vendet e tyre. Ata gjithashtu erdhën në përfundim se është e nevojshme që edhe më tej të vazhdohet me shkëmbimin e përvojave, me qëllim që t’u përgjigjen sfidave përmes gjetjes së zgjidhjeve për to.

Në kuadër të punëtorisë u promovua edhe botimi „Doracak për standardet themelore profesionale në profesionin gazetaresk” i përgatitur nga profesori Dejan Donev. Sipas tij, „Idea për këtë doracak ka qenë që të krijojmë diçka të shkurtër, gjegjësisht diçka që do të paraqesë një shoqërues të shkurtër në veprimtarinë mediatike, për këtë arsye u përcaktuam që ti paraqesim vetëm katër parimet themelore të veprimtarisë gazetareske, megjithatë e gjithë kjo të paraqitet në mënyrë praktike dhe me shkathtësi. Ky Doracak është një kryqëzim i bazës teorike dhe shembujve praktik të profesionit, por edhe i të bukurës më shumë nga aspekti etik se sa ai estetik“.