RREGULLORJA

RREGULLORJA PËR PUNË E KOMISIONIT PËR ANKESA PRANË KËSHILLIT PËR ETIKË NË MEDIAT E MAQEDONISË

Neni 1

Komisionin për ankesa e emëron Bordi Drejtues i KEMM-it. Ai përbëhet nga shtatë anëtarë, nga të cilët:
- dy përfaqësues të pronarëve të mediave;
- dy përfaqësues të gazetarëve dhe
- tre përfaqësues nga jeta publike.
Mandati i tyre është katër vjeçar, me mundësi për edhe një rizgjedhje.

Neni 2

Anëtari i Komisionit për ankesa mund të shkarkohet nga detyra para skadimit të mandatit, me kërkesë personale, nëse pa arsye nuk ka marrë pjesë në tri seanca, nëse me sjelljen e tij cënon reputacionin e Komisionit për ankesa. Bordi drejtues i KEMM-it, shqyrton dhe vendos për ndërprerjen e detyrës.

Neni 3

Komisioni për ankesa shqyrton të gjitha ankesat e pranuara në lidhje me shkeljen e standardeve profesionale dhe etike në mediat e shkruara (në shtyp dhe në agjencitë e lajmeve), mediat elektronike (TV dhe radio) dhe në mediat e internetit në Maqedoni.
Ankesat anonime nuk shqyrtohen.

Neni 4

Ankesa lidhur me përmbajtjet e publikuara në media të shtypura, elektronike dhe onlajn, mund të parashtrojë çdo qytetar, persona juridik, organizata qytetare dhe organizata ndërkombëtare. Ankesa mund të parashtrohet kundër një mediaje të caktuar. Nuk është e mundur të parashtrohen ankesa kundër gazetarëve individualë.

Neni 5

Ankesat dorëzohen me shkrim dhe në formë elektronike deri te Zyra Ekzekutive e KEMM-it, sipas procedurës së përcaktuar nga Zyra Ekzekutive, dhe të miratuar nga Bordi Drejtues. Ankesa mund të dorëzohet në afat prej 30 ditëve pas publikimit të artikullit /tekstit gazetaresk.

Neni 6

Zyra ekzekutive e Komisionit për ankesa, në konsultim me Kryetarin e Komisionit për ankesa, është e obliguar të shqyrtojë nëse ankesa është brenda kompetencave të KEMM-it.

Neni 7

Nëse ankesa nuk është nën kompetencat e KEMM-it, Zyra Ekzekutive, në konsultim paraprak me kryetarin e Komisionit për ankesa, mund ta refuzojë ankesën dhe ta njoftojë parashtruesin për arsyet e refuzimit. Drejtori Ekzekutiv menjëherë e informon Komisionin për ankesat e refuzuara.

Neni 8

Komisioni për ankesa mund ta refuzojë ankesën dhe në atë rast duhet ta njoftojë parashtruesin e ankesës për arsyet e refuzimit.

Neni 9

Për ankesat që janë nën kompetencat e KEMM-it, hapet lëndë me dosje, e cila regjistrohet me numër arkivor.

Neni 10

Komisioni për ankesa do të mblidhet të paktën një herë në muaj. Vendimet merren me konsensus, ose me shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve, në qoftë se nuk mund të arrihet konsensus.

Neni 11

Para fillimit të çdo seance të Komisionit për ankesa, anëtarët e tij deklarohen nëse kanë konflikt interesash për lëndën që do të shqyrtohet. Anëtari i cili ka konflikt interesash përjashtohet nga diskutimi për atë lëndë.

Neni 12

Nëse paraqitet nevoja, atëherë, Komisioni për ankesa mund të veprojë sipas parimit anëtar-raportues, të cilin e përcakton kryetari i Komisionit. Anëtari-raportues është i obliguar t’i informojë anëtarët e tjerë të Komisionit për ankesa lidhur me lëndën në fjalë.

Neni 13

Komisioni për ankesa është i obliguar që t’i shqyrtojë të gjitha ankesat, për të cilat është kompetent për të vendosur, duke kërkuar nga parashtruesi i ankesës, dhe nga media kundër të cilës është parashtruar ankesa, dorëzimin e të gjitha fakteve dhe informacioneve të nevojshme. Të gjitha informacionet e mbledhura i bashkëngjiten dosjes së lëndës. Media, kundër së cilës është parashtruar ankesa, në afat prej 7 ditëve të punës, duhet t’i përgjigjet kërkesës së Komisionit për ankesa dhe t’i dorëzojë informacionet e kërkuara.

Neni 14

Varësisht sa e ndërlikuar është lënda, Zyra Ekzekutive duhet të iniciojë dhe pajtimin e palëve kontestuese, dhe të kërkojë që media të shfrytëzojë të drejtën e saj për t’iu përgjigjur parashtruesit të ankesës, gjegjësisht të arsyetojë motivet dhe argumentet për publikimin e artikullit/tekstit.

Neni 15

Zyra ekzekutive është e obliguar që, nëpërmjet Drejtorit Ekzekutiv, t’ia prezantojë Komisionit për ankesa të gjitha rastet kundër të cilave është parashtruar ankesë, së bashku me të gjitha materialet e mbledhura nga grumbullimi i provave, si dhe rezultatin nga pajtimi eventual ndërmjet dy palëve, në qoftë se është iniciuar një gjë e tillë.

Neni 16

Komisioni për ankesa ka afat prej një muaji për t’u prononcuar lidhur me lëndën, përveç nëse nuk ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për zgjatjen e afatit, por jo më shumë se 3 muaj.

Neni 17

Vendimi i marrë nga Komisioni për ankesa duhet t’i dërgohet medias në afat prej 7 ditëve dhe i njëjti duhet të publikohet në faqen e internetit të KEMM-it, si dhe të publikohet në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter.

Neni 18

KEMM-i do të kërkojë nga shkelësi që të shpallë vendimin në vendin e njëjtë ku ka qenë i publikuar edhe teksti/artikulli me të cilin është shkelur Kodeksi. Komisioni për ankesa është i obliguar ta informojë Bordin Drejtues të KEMM-it për të gjitha situatat në të cilat mediat nuk i kanë publikuar vendimet e tij. Nëse vendimi nuk publikohet në afat prej 3 ditëve, në formë elektronike, atëherë dërgohet informacion deri te të gjitha mediat lidhur me vendimet e marra, me rekomandim për t’u publikuar. Publikimi në të gjitha mediat-anëtare të KEMM-it është falas. Në çdo tremujorsh KEMM-i do ta informojë opinionin lidhur me atë se cilat media nuk i kanë publikuar vendimet e Komisionit për ankesa.

Neni 19

Dokumentacioni për të gjithë lëndët duhet të arkivohet në mënyrë përkatëse dhe të ruhet në arkiv së paku 5 vjet. Dokumentacioni është në dispozicion për opinionin, përveç nëse kjo është në kundërshtim me Ligjin për Qasje në Informata të karakterit publik.

Neni 20

Komisioni për ankesa shqyrton edhe ankesat kundër mediave, të cilat nuk janë anëtare të KEMM-it. Procedura për këto ankesa është e njëjta si ajo që zbatohet për anëtarët e KEMM-it.

Neni 21

Anëtarët e Komisionit për ankesa nuk kanë të drejtë t’i diskutojnë dhe t’i komentojnë publikisht vendimet e marra. Lëndët dhe vendimet mund të sqarohen nga një tjetër anëtar i Komisionit, nëse dakordohen anëtarët e Komisionit ose nëse merret autorizim nga Kryetari ose zëvendësi i tij. Kryetari përfaqëson Komisionin për ankesa në publik, e në mungesë të tij, zëvendësi i tij apo Drejtori Ekzekutiv.

Shkup, 30 mars 2017