Press Release - 10.04.2017

Këshilli për etikë në mediat e Maqedonisë me shqetësim të madh reagon lidhur me rastet e shpeshtuara të keqpërdorimit të disa mediave, veçanërisht në kontekst të situatës aktuale politike, për përhapjen e spekulimeve, propagandës dhe të pavërtetave të cilat mund të intensifikojnë tensionet dhe të çojnë në trazira të mundshme në shoqëri.

Këshilli reagon lidhur me këto raste një kohë më të gjatë, mirëpo ditëve të fundit ato janë shtuar deri në nivel shqetësues.

Veçanërisht shqetësuese është mënyra e informimit të mediave ku janë vërejtur raportime gazetareske me informim të njëanshëm dhe informacione që kanë nxitur frikën e trazirave të mundshme në shoqëri, e që ngërthejnë në vete thirrje për mobilizimin e qytetarëve në shërbim të mbrojtjes së interesave të partive të caktuara politike.

Ne kujtojmë se mediat nuk duhet të keqpërdoren për të transmetuar thirrjet për bashkimin e individëve dhe grupeve për sjellje dhe veprime radikale, të cilat kërcënojnë rendin publik dhe paqen në shoqëri, dhe në veçanti nenin 10 të Kodit ku thuhet se "gazetari nuk do të nxisë dhunë dhe diskriminim në asnjë bazë." Mediat duhet të respektojnë kodin e etikës, sepse përndryshe pasojat e mosrespektimit të dispozitave të tij mund të jenë fatale.

Mediat kanë një rol veçanërisht të rëndësishëm në mbrojtjen e qytetarëve nga paraqitja e jotolerancës dhe mosbesimit, dhe ekspozimin e tyre ndaj rrezikut nga dhuna.

Në të njëjtën kohë, bëjmë thirrje për reagim edhe nga institucionet tjera, duke përfshirë Agjencinë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale dhe Prokurorinë Publike për dënimin e këtij fjalimi nxitës, si dhe marrjen e masave të nevojshme në përputhje me kornizën ligjore.

KEMM vazhdon ta vëzhgojë mënyrën e informimit të mediave, si të atyre që janë pjesë e anëtarësisë, ashtu edhe të atyre që ende nuk janë anëtare të saj, dhe do të bëjmë thirrje për respektim rigoroz të Kodit të gazetarëve, si një parakusht për anëtarësim në këtë organ të përbashkët, profesional për vetërregullim në media.