Komunikatë për media - 01.03.2017

Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM) dënon ashpër sulmin e djeshëm ndaj ekipit të gazetarëve të portalit A1 On dhe me shqetësim vlerëson se incidenti konfirmon përpjekjet tendencioze për të cenuar lirinë e mediave dhe të drejtën e publikut për t'u informuar.

Ky nuk është një incident i izoluar, ndërsa tendenca e dhunës dhe e pengimit të punës së gazetarëve dhe punonjësve mediatik vazhdon të jetë një problem serioz. Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës, apelojmë për një reagim të menjëhershme të policisë dhe të Prokurorisë publike dhe marrjen e masave të nevojshme për ndriçimin e incidenteve. Pandëshkueshmëria e sulmeve është e papranueshme, ndërsa siguria e gazetarëve duhet të përmirësohet dhe të çlirohet nga çdo kërcënim dhe presion.

Shteti, në përputhje me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është përgjegjës për marrjen e të gjitha masave aktive për të krijuar dhe për të ruajtur një mjedis të përshtatshëm për lirinë e shprehjes. Rikujtojmë se kjo përgjegjësi lind nga rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e gazetarisë dhe sigurisë së gazetarëve dhe aktorëve të tjerë mediatik. Në të njëjtën kohë, kujtojmë edhe rapotin i vitit të kaluar të Freedom House, sipas të cilit mediat në Maqedoni janë subjekt i presionit dhe ngacmimit politik, që rezulton me vetë-censurë, ndërsa shteti është vlerësuar si jo i lirë në lidhje me statusin e lirisë së mediave.

Nga ana tjetër, Këshilli për Etikë në Media vë në dukje se ditëve të fundit, gjithnjë e më të shpeshta janë rastet e abuzimit me rolin e mediave dhe përdorimin e tyre si një platformë për nxitjen e situatës dhe rritjen e tensioneve në shoqëri. Apelojmë deri te gazetarët dhe redaktorët që t’u përmbahen rolit të tyre të rëndësishëm dhe të përgjegjshëm, veçanërisht në kontekst të situatës aktuale politike, dhe të aplikojnë rolin e qetësuesit të tensioneve, sidomos në rastet kur jepen vlerësime për eskalimin e mundshëm të ngjarjeve.

Nuk është gazetareske transmetimi i spekulimeve dhe zhvillimi a ndërtimi i debateve bazuar në gënjeshtra dhe propagandim. Mediat nuk duhet lejuar të keqpërdoren për thirrje për bashkim të individëve dhe grupeve për sjellje radikale dhe veprime që kërcënojnë rendin publik dhe paqen në shoqëri. Mungesa e lirisë së mediave nuk duhet të përdoret si një argument për sjellje të gabuar dhe vendosje të gënjeshtrave të cilat i krijojnë dëme të përhershme gazetarisë dhe dëmtojnë interesin publik.

Deri më tani, Këshilli për etikë ka pranuar rreth 200 ankesa për raportim joprofesionale të mediave. Ne përsërisim se edhe më tej do ta monitorojmë mënyrën e informimit të mediave, si të atyre që janë pjesë e KEMM-it, ashtu edhe të atyre që ende nuk janë anëtarë të tij, dhe do të apelojmë për respektimin rigoroz të Kodit të gazetarëve, si një parakusht për përkatësinë në këtë trup tonin të përbashkët, profesional për vetërregullim në media.

Што е медиумска саморегулација?